Ai bëri shikimin rreshtor të shpendëve e tha: “Përse nuk po e shoh pupëzën? Apo, vallë, mungon?! -
Kjo tregon për rigorozitetin e Sulejmanit në ndjekjen me përkushtim të çështjeve të ushtrisë, qofshin ato të vogla në dukje, qofshin të mëdha. Atij nuk i shpëtonte asgjë nga lëvizjet e ushtarëve të tij. Aq i vëmendshëm ishte, saqë nuk la pas dore edhe çështjen e kësaj pjesëtareje të vogël të ushtrisë, pupëzës. Ai tha: “Përse nuk po e shoh pupëzën? Apo mungon?” Pra, shikoni a është prezent dhe në vendin e caktuar? A është e gjithë ushtria prezent apo mungon dikush? Ky është kuptimi i ajetit dhe jo siç thonë disa që nuk kanë asnjë argument dhe pretendojnë se Sulejmani pyeti për pupëzën sepse kishte nevojë që ajo t’i tregonte ku ishin burimet e ujit. Sipas tyre, pupëza mund të shohë ujin edhe nën tokën e ngjeshur dhe të fortë. Por ky mendim nuk ka asnjë argument ku të mbështetet. Madje argumentet logjike tregojnë për pavërtetësinë e saj. Sa për argumentin logjik, është e ditur nga përvoja dhe njohuritë e njerëzve se nuk ka ndonjë gjallesë që të arrijë të shohë poshtë shtresave të tokës. Nëse do të ishte kështu, do ta përmende Zoti, sepse kjo do të ishte nga shenjat më të mëdha dhe të veçanta. Ndërsa nga ajeti mund të themi se, nëse do të ishte e vërtetë ai pretendim, do të thuhej shprehimisht se Sulejmani kërkoi pupëzën që t’i tregonte për vendndodhjen e ujit. Por e vërteta është se Sulejmani kërkoi për pupëzën thjesht për të parë e kontrolluar ushtrinë e tij. Pastaj Sulejmani (a.s) nuk kishte nevojë që të pyeste dhe të priste ndihmën e një zogu për të gjetur ujë. Ai kishte në shërbimin e tij ifritë e shejtanë që mund t’i gërmonin e gjenin ujë, edhe sikur të ishte shumë thellë në tokë, mjaft që ai t'i urdhëronte. Gjithashtu, Allahu i kishte vënë në shërbim erën, që ishte shumë e shpejtë. Atëherë, si mund të kishte nevojë për pupëzën?! Në shumë tefsirë sillen të tilla shpjegime, që, në fakt, i marrin nga gojëdhënat e çifutëve, të ashtuquajtura israilijate, duke harruar dhe duke u treguar të pavëmendshëm që mund të bien ndesh me kuptimin e saktë të ajeteve. Kjo është shumë e keqe, sepse brezat i transmetojnë fjalët nga njëri tjetri, dhe kështu brezat pasardhës i mendojnë si të vërteta. Kështu mbushen tefsiret me fjalë të tilla të pabazuara. I dituri e di mirë se ky është një libër madhështor, që Zoti e ka sjellë në gjuhë arabe të pastër, nëpërmjet të cilit Zoti u foli të gjithë njerëzisë, si të diturve, ashtu edhe të paditurve dhe i urdhëroi që të meditojnë në kuptimet dhe kumtet e tij dhe t’i kuptojnë ato sipas rregullave dhe kuptimeve të sakta të arabishtes, që e kuptojnë arabët. Nëse dikush gjen fjalë nga popuj të tjerë, atëherë i kthen këto kuptime dhe i sheh nën dritën e kuptimeve të qarta të arabishtes. Nëse u përputhen atyre kuptimeve dhe nuk bien ndesh me to, pranohen. Por nëse bien ndesh me termat dhe kuptimet që ato sjellin, ose me njërin nga dy drejtimet, atëherë refuzohet, madje mund të dëshmohet për papranueshmërinë e tyre, sepse kemi një themel që e dëshmon këtë, që është gjuha arabe dhe kuptimet e saj. E rëndësishme, shkaku që Sulejmani e kërkoi pupëzën ishte përkushtimi dhe rregullsia e tij në kontrollin mbi ushtrinë e tij. Ai ishte aq i kujdesshëm saqë kontrollonte edhe një zog si pupëza kur thotë: “Përse nuk po e shoh pupëzën? Apo mungon? Mos, vallë, unë jam i pakujdesshëm dhe më shpëtoi, apo unë kam të drejtë dhe ajo ende nuk është rreshtuar, duke thyer urdhrin tim dhe duke vepruar pa lejen time?” Prandaj shprehu zemërim dhe e kërcënoi më pas për dënim, duke thënë: