Polemizoni me ithtarët e Librit, (kur i ftoni në fenë tuaj) veçse ashtu si është më e mira, përveç atyre që janë të padrejtë... -
Allahu i Lartësuar i ndalon polemikat me ithtarët e Librit (të krishterë e jehudë), nëse muslimani nuk zotëron dituri të mjaftueshme dhe qetësi dhe nëse bëhet jo mbi baza dhe rregulla të qarta e të kënaqshme, për një polemikë të rregullt e korrekte. Ai na urdhëron që polemika me ta të bëhet në mënyrën më të mirë, me dituri, me edukatë, butësi dhe me fjalë të zgjedhura e të kujdesshme, duke i ftuar në të vërtetën dhe duke u shfaqur bukurinë e saj, duke e refuzuar të kotën dhe duke e nxjerrë në pah pavërtetësinë dhe kotësinë e saj, me fakte e argumenta të kuptueshme dhe me rrugët më të shkurtra. Qëllimi në të tilla polemika, nuk duhet të jetë kundërshtimi, fitorja mbi kundërshtarin dhe dëshira për t’u dukur, por duhet të jetë qartësimi i të vërtetës dhe udhëzimi i njerëzve. Megjithatë, nëse ndonjë nga ithtarët e Librit dëshiron të polemizojë me qëllimin që të sjellë dyshime e të tregojë veten fitimtar, ky lloj njeriu duhet larguar sepse polemika me të nuk ka asnjë vlerë. Kjo lloj polemike nuk sjell realizimin e qëllimit të saj.
dhe thuajuni: “Ne i besojmë Shpalljes që na u zbrit neve dhe Shpalljes që ju zbriti juve.” -
Polemika me ithtarët e Librit le të jetë e bazuar mbi faktin se ju besoni në të gjitha shpalljet e Zotit, si ato që ju zbritën juve, ashtu edhe ato që u zbritën më parë dhe se ju besoni Profetin tuaj dhe profetët e tyre, si dhe në faktin se ju besoni në një Zot të vetëm, që meriton të adhurohet. Këto janë disa baza, mbi të cilat duhet të zhvillohet dialogu juaj. Dialogu nuk duhet të zhvillohet mbi cënimin e ndonjërit prej librave të Zotit ose mbi cënimin dhe mohimin e ndonjërit prej profetëve të Zotit. Kështu veprojnë veçse injorantët, të cilët mohojnë çdo gjë që ka kundështari i tyre, e vërtetë apo e kotë qoftë ajo. Kjo është padrejtësi dhe shkelje e edukatës së detyrueshme të dialogut dhe polemikës. Është detyrë që të pranosh të vërtetën që është në dorën e kundështarit dhe të mos pohosh të kotën dhe të gabuarën. E vërteta nuk mund të refuzohet për shkak të atij që e thotë, edhe sikur të jetë qafir. Ndërtimi i dialogut me ithtarët e Librit mbi bazat e përmendura më sipër është i dobishëm, sepse mund të sjellë pranimin nga ana e tyre të Kur'anit dhe të Profetit, që e solli këtë Kur'an nga Zoti. Ata do të jenë të detyruar ta pranojnë këtë, sepse Kur'ani sjell ato të vërteta fetare për të cilat kanë rënë dakord të gjithë profetët dhe librat e Zotit, të vërteta të cilat dialoguesit duhet t'i pranojnë që në fillim si të padiskutueshme. Nëse Kur'ani dhe Muhamedi (a.s), ashtu si dhe librat e shkruar, i kanë mbrojtur këto principe bazë dhe i kanë qartësuar dhe kumtuar me forcë ndër njerëz, atëherë ato duhen besuar, dhe po kështu duhen besuar të gjitha shpalljet dhe profetët që kumtojnë ato të vërteta. Në fakt, besimi në të gjitha shpalljet dhe në të gjithë profetët është prej veçorive të Islamit dhe muslimanëve. Ndërsa të thuash se besojmë këtë libër dhe nuk besojmë librin tjetër, edhe pse ai është i vërtetë dhe në përputhje me të gjithë librat e tjerë, kjo është padrejtësi dhe pabarazi. Madje kjo tregon se po mohon edhe librin dhe profetin që pretendon se e beson. Ai që mohon Kur'anin, i cili është pohues dhe garantues i mesazheve të librave të mëparshëm, në fakt është mohues i ligjeve e librave të shkruar, edhe pse pretendon se i beson ato. Pastaj le të mendojnë me kujdes! Çdo argument nëpërmjet të cilit plotësohet profecia e çdo profeti dhe shërben si shenjë e vërtetësisë së tij, është përmbushur edhe për Muhamedin, madje në formën më të plotë. Gjithashtu, çdo dyshim që ngrejnë për profecinë e Muhamedit (a.s), të njëjta dyshime janë të detyruar të pranojnë edhe për profetët që i besojnë, madje edhe më shumë. E nëse i refuzojnë ato dyshime për profetët e tyre, atëherë janë të detyruar t’i refuzojnë edhe për Muhamedin (a.s), madje për të drejtën e tij kjo është më e dukshme dhe e detyrueshme.
“Zoti ynë dhe Zoti juaj është Një dhe ne vetëm Atij i jemi dorëzuar.” -
Ne i jemi nënshtruar dhe dorëzuar tërësisht Atij dhe jetojmë sipas urdhëresave të Tij. Dhe dihet mirë se ai që beson Allahun, duke e adhuruar si një e të vetëm, beson në të gjitha librat dhe profetët e tij, i nënshtrohet Zotit dhe pason profetët e Tij, pikërisht ai është i lumtur. Çdokush që devijon nga kjo rrugë është i humbur dhe po e çon veten drejt dëshpërimit dhe dënimit të Zotit.