Ali 'Imran Ayah 18
شَهِدَ اللّٰهُ اَنَّهٗ لَآ اِلٰهَ اِلَّا هُوَۙ وَالْمَلٰۤىِٕكَةُ وَاُولُوا الْعِلْمِ قَاۤىِٕمًاۢ بِالْقِسْطِۗ لَآ اِلٰهَ اِلَّا هُوَ الْعَزِيْزُ الْحَكِيْمُ ( آل عمران: ١٨ )
Shahidal laahu annahoo laa ilaaha illaa Huwa walmalaaa'ikatu wa ulul 'ilmi qaaa'imam bilqist; laaa ilaaha illaa Huwal 'Azeezul Hakeem (ʾĀl ʿImrān 3:18)
English Sahih:
Allah witnesses that there is no deity except Him, and [so do] the angels and those of knowledge – [that He is] maintaining [creation] in justice. There is no deity except Him, the Exalted in Might, the Wise. (Ali 'Imran [3] : 18)
Sherif Ahmeti:
All-llahu vërtetoi se nuk ka zot tjetër përveç Tij, e dhe engjëjt e ata që kanë dijeni, se Ai është Zbatues i drejtësisë. Nuk ka zot përveç Tij, Fuqiplotit, të Urtit (Ali 'Imran [3] : 18)
1 Feti Mehdiu
All-llahu e ka dëshmuar se nuk ka Zot tjetër përvç Atij, - edhe engjujt dhe të diturit, - me veprim të drejtë. Nuk ka Zot përveç Atij, të fortit dhe të urtit
2 Hassan Efendi Nahi
Allahu dëshmon, e po ashtu edhe engjëjt, edhe njerëzit e dijes, se nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Tij, duke mbajtur drejtësinë. S’ka zot tjetër përveç Atij, të Plotfuqishmit, të Urtit.
3 Tafsir as-Saadi
Allahu dëshmon, e po ashtu edhe melekët, dhe njerëzit e dijes, se nuk ka Zot tjetër (që meriton të adhurohet) përveç Tij. -
Ky është një argument shumë i fortë, që vërteton se adhurimi i takon veçse Allahut të Lartësuar, prandaj është i detyrueshëm pranimi i tij. Ai përmban: dëshminë e Zotit të Lartësuar, që është e sigurt dhe e pakundërshtueshme; dëshminë e melekëve të Tij, këtyre krijesave të pastra, të drejta e besnike; dhe dëshminë e dijetarëve, të mençurve e të urtëve. Dëshmia e Allahut të Lartësuar që vërteton njëshmërinë e Tij në adhurimin që meriton, është shumë e thjeshtë, e kuptueshme dhe bindëse. Fakti që nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet me dashuri dhe nënshtrim të plotë, është shumë i kuptueshëm për robërit e Allahut, nëse ata dinë të vështrojnë te krijimi në përgjithësi dhe te vetet e tyre. Allahu i Lartësuar thotë: “Ne do t’ua bëjmë atyre të mundshme që t’i shohin argumentet Tona në horizonte dhe në vetet e tyre, derisa t’u bëhet e qartë se ai (Kur’âni) është i vërtetë. A nuk mjafton që Zoti yt është Dëshmitar për çdo gjë?” [Fusilet, 53]. Mjaftojnë vetëm disa shenja që duken qartë në këtë botë, që njerëzit të binden plotësisht për këtë të vërtetë të madhe e të pakundërshtueshme: që askush nuk meriton të adhurohet me dashuri dhe nënshtrim të plotë, përveç Allahut të Lartësuar, Krijuesit dhe Kujdestarit të të gjitha krijesave. Çdokush që e njëson Zotin e tij me adhurime, me dashuri, bindje dhe nënshtrim total ndaj Tij, do të jetë i pamposhtur e gjithmonë fitimtar mbi çdo idhujtar, që refuzon ta njësojë Allahun në adhurim ose që refuzon çdo mësim të sjellë prej Zotit nëpërmjet profetëve. Njësuesi i Zotit do të triumfojë gjithmonë, mbi çdo lloj idhujtari e mohuesi, edhe nëse kjo do të ishte jashtë çdo mundësie njerëzore. A nuk është kjo shenjë, që vërtet Allahu është Një, i Pashoq dhe i Gjithëpushtetshëm?! Sigurisht që po. Ky triumf i përhershëm është argument i pakundërshtueshëm, që vërteton se Zoti është Një, i Plotfuqishëm, Absolut dhe Vetëvendosës. Ai është Allahu, i Vetëm dhe i Plotfuqishëm për gjithçka. Nëse shohim natyrën e mirësive dhe përkujdesjes së Allahut të Lartësuar për krijesat, do të kuptojmë që Ai është Një, i Vetëm, i Pashoq në sundimin dhe pushtetin e Tij. Nuk ka asnjë mirësi që krijesat ta shijojnë e të mos jetë prej Tij. Vetëm Ai i dhuron mirësitë dhe vetëm Ai i largon të këqijat, fatkeqësitë dhe dhimbjet. Krijesat janë absolutisht të pafuqishme për të sjellë të mira dhe për të larguar të këqijat, qoftë nga vetja e tyre, qoftë për të tjerët. Nëse me adhurimin që krijesat bëjnë, kërkohet apo synohet arritja e çdo të mire dhe largimi i çdo të keqeje, në këtë jetë dhe në jetën tjetër, atëherë shumë thjesht duhet të pranohet se i vetmi që meriton adhurimin është Allahu i Lartësuar, sepse është Ai që e ka në dorë dhurimin e të mirave dhe ndalimin e të këqijave. Nëse me adhurimin që bëjnë krijesat synohet që të kënaqet Allahu, Krijuesi, Ai që përkujdeset për ta, atëherë shumë thjesht duhet pranuar që vetëm Allahu meriton të kënaqet me adhurimet që i përkushtohen Atij. A nuk është ky një argument i padiskutueshëm që Allahu i Lartësuar është i Vetmi që meriton adhurimet tona?! Pa dyshim, argumentet e Zotit janë të pafundme. Ato tregojnë se Ai është i Vetmi të Cilit duhet t’i përkushtohesh me dashuri, madhërim dhe nënshtrim të plotë. Këto janë fakte mëse të mjaftueshme për njerëzit që dinë të mendojnë. Për sa i përket dëshmisë së melekëve, ajo është përcjellë tek ne nëpërmjet Librit të Allahut dhe fjalëve autentike të Profetit (a.s.). Nuk ka dyshim që Kur’âni dhe Tradita profetike janë përcjellë tek ne me rrugët më të sigurta të kalimit të informacionit. Edhe dëshmia e dijetarëve të mençur e të urtë është tepër bindëse, sepse ata janë pika e referimit të njerëzimit për kuptimin dhe qartësimin e të gjithave çështjeve, qofshin ato të fesë, por edhe të dynjasë. Sigurisht që për këtë çështje të madhe, referimi tek të diturit është i domosdoshëm dhe të gjithë ata janë të një mendimi të përbashkët se Allahu është Një i vetëm. Të gjithë ata e besojnë këtë fakt, prandaj i ftojnë të tjerët që ta pranojnë dhe t’i binden këtij realiteti. Ata gjithmonë u tregojnë njerëzve rrugën që duhet të ndjekin për të njësuar Allahun me adhurimet e tyre. Pas këtyre tri dëshmive të padiskutueshme, është e detyrueshme për krijesat që ta besojnë dhe ta pranojnë të nënshtruar këtë të vërtetë të sigurt, të përcjellë deri tek ne sipas rregullave më strikte të transmetimit. Është detyrë për ta që ta besojnë se Zoti që meriton të adhurohet me dashuri, madhërim dhe përkushtim, është Allahu i Lartësuar, Një dhe i Pashoq. Është detyrë për ta, gjithashtu, që pas këtij besimi, të veprojnë në përputhje me të. Ky ajet tregon se dija më e vyer është njohja e njëshmërisë së Allahut të Lartësuar. Vlera e kësaj dijeje qëndron në faktin se, për të vërtetuar saktësinë e saj, Allahu i Lartësuar e ka dëshmuar Vetë, duke sjellë madje edhe dëshminë e krijesave më të zgjedhura të Tij. Dihet shumë mirë se dëshmia mund të jetë e pranueshme veçse kur bazohet mbi një dije të sigurt e të palëkundshme, njëlloj sikur të jetë parë me sytë e ballit. Edhe një herë, pra, dija e sigurt rreth njëshmërisë së Allahut në meritën e adhurimit, është dija më e rëndësishme, sepse ajo vërteton dëshminë më të rëndësishme, atë të teuhidit. Ajeti tregon se ai që nuk ka arritur këtë nivel të dijes rreth teuhidit të Allahut, saqë të dëshmojë me drejtësi për këtë çështje, nuk e meriton që të quhet dijetar i urtë. Gjithashtu, ky ajet vlerëson lart diturinë, në përgjithësi. Për të dëshmuar mbi çështjen më të rëndësishme në këtë ekzistencë, njësimin e Tij në meritën e adhurimit, Allahu i Lartësuar dalloi e përzgjodhi dijetarët mbi njerëzit e tjerë. Vetëm dëshmia e tyre është e vlefshme si argument në këtë çështje. A nuk është ky një vlerësim i lartë për diturinë? Dëshminë e dijetarëve, Allahu i Lartësuar e vuri pranë dëshmisë së Tij dhe të melekëve të Tij. A nuk është ky një vlerësim i lartë për diturinë? Kaq do të ishte e mjaftueshme, pra, për të treguar vlerën e lartë të diturisë dhe të dijetarëve. Allahu e ka përmendur diturinë si cilësi të lartë të dijetarëve, kur i quan ata: “njerëzit e dijes”. Dituria i lartëson njerëzit. Për shkak të dijes së tyre, Allahu i Lartësuar i bëri dijetarët dëshmitarë te njerëzit. Ata janë argumentet e Zotit te njerëzit. Prania e tyre në mesin e njerëzve hedh poshtë çdo justifikim para Zotit, nëse këta njerëz nuk i përfillin fjalët dhe porositë e Tij, të përcjella dhe të sqaruara nga dijetarët. Allahu ua ka bërë detyrim njerëzve që të binden dhe të punojnë sipas këshillave të dijetarëve të drejtë. Dijetarët ndikojnë që njerëzit të punojnë dhe t’i kryejnë adhurimet sipas udhëzimeve të Zotit. Për këtë arsye, ata kanë shpërblime të mëdha. Po ashtu, çdokush që punon sipas këshillave të dijetarëve të drejtë, do të ketë shpërblim të madh. Në peshoren e dijetarëve do të futen shpërblimet e të gjithë njerëzve që punojnë dhe e adhurojnë Allahun sipas dijes dhe udhëzimit të drejtë të përcjellë prej tyre. Kjo tregon vlerën e madhe të dijes së drejtë dhe të saktë, të punës me të dhe të përhapjes së saj ndër njerëz. Kjo është begati prej Allahut, të cilën Ai ia jep kujt të dëshirojë. Vlera e dijes duket edhe nga fakti që Allahu i Lartësuar i ka përzgjedhur dijetarët për të dëshmuar pikërisht për shkak të dijes së tyre. Kjo tregon se Allahu i Lartësuar i konsideron dijetarët, si dëshmues të drejtë e të pranueshëm. Njerëzit me dije të drejtë, të thellë e të saktë janë një garanci e mirë për krijesat, sepse i ruajnë nga devijimi prej së vërtetës. Nëse njerëzit u përmbahen udhëzimeve të dijetarëve të drejtë, ata gjithmonë do të jenë të udhëzuar. Ky, pa dyshim, është vlerësim për dijen. Pasi pohon dhe dëshmon meritën e Tij për t’u adhuruar i Vetëm, Allahu i Lartësuar vijon të dëshmojë se Ai është i Drejtë. Pra, Ai na tregon se argumentet dhe dëshmitë e Veta i ka sjellë me drejtësi:
Ai është Zbatuesi i drejtësisë. –
Allahu ka qenë dhe është gjithmonë i Drejtë në veprat e Tij, në administrimin e çështjeve të krijesave të Tij dhe përkujdesjen për ta. Ai i udhëzon në rrugë të drejtë krijesat, me të gjitha urdhrat e Tij dhe me të gjitha ndalesat e Tij. Ai është i Drejtë në gjithçka që ka krijuar dhe që ka përcaktuar në këtë ekzistencë. Pastaj Allahu i Lartësuar dhe i Drejtë e përsërit edhe një herë dëshminë e mrekullueshme, duke thënë:
Nuk ka Zot tjetër (që meriton të adhurohet) përveç Tij, Ngadhnjimtarit e të Urtit. -
Kjo dëshmi është vërtetuar dhe mbështetur me plot argumente, qofshin ato logjike, qofshin të transmetuara saktësisht prej Allahut dhe Profetit të Tij. Aq të qarta, bindëse dhe të kuptueshme janë këto argumente, saqë kjo dëshmi është e pakundërshtueshme për ata që dinë të shohin dhe të kuptojnë. Për sa u përket argumenteve të ardhura në Kur’ân dhe Sunet për teuhidin, ato janë të shumta dhe të larmishme. Në shumë prej tyre urdhërohet dhe nxitet për ta besuar dhe për ta dëshmuar atë. Në Kur’ân dhe në Sunet ka shumë tekste që na urdhërojnë që t’i duam ata që e besojnë, që dëshmojnë dhe që punojnë sipas dëshmisë për njëshmërinë e Allahut të Lartësuar. Në Kur’ân dhe në Sunet ka shumë tekste, gjithashtu, që na nxisin të urrejmë çdo njeri që nuk e beson, që nuk e dëshmon dhe që nuk punon sipas kësaj dëshmie. Ato na nxisin që ta urrejmë dhe ta konsiderojmë si armik këdo që nuk e njëson Allahun e Lartësuar me adhurime, me dashuri dhe nënshtrim të plotë. Në Kur’ân dhe në Sunet ka shumë tekste që tregojnë për ndëshkimin që i pret ata që adhurojnë të tjerë zota veç Allahut, të Vetmit që meriton adhurimin. Allahu i Lartësuar dhe Profeti i Tij i kanë paralajmëruar idhujtarët që e shpërfillin dëshminë: “Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë, përveç Allahut”, e cila është e vetmja shpresë për të qenë të lumtur. Madje kur lexon Kur’ânin, të krijohet bindja se ai është shpallur vetëm për të qartësuar këtë dëshmi te krijesat. Për sa u përket argumenteve logjike rreth vërtetësisë së kësaj dëshmie të madhe, edhe ato janë të shumta dhe të thjeshta për t’u kuptuar. Madje, është vetë Kur’âni, i cili na nxit dhe na udhëzon që të fusim në punë logjikën për të kuptuar se i vetmi Zot që meriton të adhurohet me dashuri, madhërim dhe nënshtrim është Allahu, Një dhe i Pashoq. Më poshtë mund të përmendim disa nga mënyrat kryesore të Kur’ânit që na nxisin të argumentojmë logjikisht rreth vërtetësisë së shehadetit: Kështu, Kur’âni argumenton dhe vërteton se Allahu i Lartësuar është i Vetëm e Absolut në veprat e Tij. Pra, Ai është i vetmi Krijues, Furnizues, Sundues, i vetmi që përkujdeset dhe rregullon çështjet e gjithësisë. Kur’âni na kujton se të gjithë njerëzit e pranojnë këtë fakt të pamohueshëm, që është skalitur thellë në shpirtin e çdonjërit prej tyre. Më konkretisht, Allahu i Lartësuar na udhëzon që të përdorim një logjikë shumë të thjeshtë për t’u kuptuar, duke na thënë: Nëse ju, o krijesa, e dini dhe keni siguri të plotë se Allahu i Lartësuar është Absolut dhe i Vetëm në krijimin, pushtetin, furnizimin dhe përkujdesjen ndaj krijesave të Tij, a nuk do të thotë kjo që Ai duhet të jetë i Vetmi që të meritojë dashurinë, nënshtrimin, madhërimin dhe përkushtimin tuaj të plotë? Pa dyshim që, pas këtij argumentimi logjik, në zemrat tuaja nuk do të ketë të adhuruar tjetër, përveç Allahut. Janë të shumta ajetet që sqarojnë dhe vërtetojnë se Allahu i Lartësuar është i vetmi Krijues, Sundues, Furnizues e Kujdestar i krijesave. Nëse një fakt i tillë zë vend në zemrat dhe mendjet e krijesave, ai bëhet një shtysë e fortë dhe një argument i qartë që edhe i vetmi i adhuruar me meritë të jetë po Allahu, Absoluti, i vetmi në pushtetin e Tij madhështor. Kur’âni argumenton dhe vërteton se Allahu i Lartësuar është i vetmi Dhurues i mirësive të kësaj jete dhe të jetës tjetër. Allahu është i vetmi që mund të largojë të keqen, të dëmshmen, dëshpërimin dhe fatkeqësitë. Çdo mirësi që gëzojnë krijesat, e madhe apo e vogël qoftë, e dukshme apo e fshehur, është thjesht dhuratë dhe mëshirë nga Zoti i gjithësisë. Çdo e keqe a dëshpërim, çdo fatkeqësi a mundim që largohet ndodh thjesht prej Zotit, që me urtësi dhe butësi vepron ndër krijesa. Ai është i vetmi që mund të ndikojë në këtë gjithësi. Asnjë krijesë nuk ka mundësi për të ndihmuar veten apo të tjerët, ose të grumbullojë të mirat dhe të largojë të këqijat për veten a për të tjerët. I vetmi që i ka në dorë të gjitha këto është Allahu i Lartësuar, i Mëshirshëm dhe i Urtë. Ajetet që e pohojnë një fakt të tillë janë të shumta në Kur’ân dhe po kështu edhe tekstet në Sunet. Atëherë, e gjithë kjo, a nuk të bind se i vetmi të cilit duhet t’ia përkushtosh adhurimet është Allahu, sepse Ai ka në dorë të mirën dhe të keqen? Nëse me adhurimet tona duam të arrijmë të mirat e kësaj jete dhe të jetës tjetër, atëherë ç’kuptim do të kishte të adhuronin dikë që nuk ka në dorë asgjë nga këto?! Kësisoj, veçse Ai që është i Plotpushtetshëm e i Vetëm në sjelljen e të mirave dhe në largimin e të këqijave prej nesh, vetëm Ai duhet të adhurohet. A nuk ishte Kur’âni që na shtyu të mendonim e logjikonim në këtë mënyrë? Allahu i Lartësuar ka bërë në Kur’ân një përshkrim të hollësishëm të idhujve, që njerëzit i adhurojnë së bashku me Atë. Të gjithë idhujt kanë një të përbashkët: të gjithë janë të dobët, të papushtetshëm e të pafuqishëm për të sjellë të mira apo për të larguar të këqijat. Ata nuk janë në gjendje të ndihmojnë as veten dhe as të tjerët, për nevojat e tyre. Ata nuk shohin dhe as dëgjojnë. Edhe nëse janë nga ata që mund t’i dëgjojnë kërkesat e lutësve, ata janë krejt të pafuqishëm t’u përgjigjen lutjeve të tyre. Ata janë të mangët e nevojtarë. Ky përshkrim është një nxitje për të përdorur logjikën: A mund të adhurohet diçka e tillë, e mangët, e pafuqishme dhe e papushtetshme? Nga ana tjetër Allahu i Lartësuar flet në Kur’ân shumë qartë rreth emrave, cilësive dhe veprave të Tij të mrekullueshme. Ai na tregon për pushtetin e tij absolut mbi gjithçka, e për shumë atribute të tjera, që përshkruajnë madhështinë dhe lavdinë e Tij. Edhe kjo është një nxitje shumë e fortë për të vënë në punë logjikën e pastër. Nëse një mendje e shëndoshë e njeh Allahun e Lartësuar dhe cilësitë e Tij, nga njëra anë, e nëse njeh edhe mangësitë e gjithçkaje tjetër veç Tij, nga ana tjetër, sigurisht që do ta kuptojë se kë duhet të adhurojë. Një mendje e shëndoshë nuk mund të pranojë që të adhurohet dikush tjetër veç Allahut Madhështor, Unik e Absolut në çdo cilësi të Tij. Dashuria e plotë, madhërimi, nënshtrimi e bindja totale duhet t’i kushtohen veçse Madhështorit, Absolutit, e Unikut në meritën për t’u adhuruar. Ai është i Ploti, që s’ka mangësi, i Lavdishmi, Krenari, i Plotpushtetshmi, i Pamposhturi. Ndërsa krijesat janë të nënshtruara, të varfëra, nevojtare e të mangëta. Ato nuk mund të dëgjojnë, që të përgjigjen, nuk mund të shikojnë, që të ndihmojnë, dhe nuk mund të gjykojnë drejt e as të logjikojnë. Një argument tjetër logjik shumë i fortë bazohet në përvojën e njohur të njerëzve, gjatë gjithë kohërave. Njerëzimi ka dëshmuar përgjatë gjithë historisë së tij, se Allahu i Lartësuar i ka ndihmuar dukshëm adhuruesit e Tij të sinqertë, të cilët i janë përkushtuar vetëm Atij me dashuri, madhërim, nënshtrim dhe bindje. Ai gjithmonë i ka nderuar ata me një larmi mirësish dhe dhuratash. Ndërsa, nga ana tjetër, Ai i ka poshtëruar e shkatërruar që në këtë jetë të gjithë ata që kanë adhuruar zota të tjerë veç Tij. E gjithë kjo, pa dyshim, ka ndodhur për një shkak të vetëm: sepse Allahu i Lartësuar e ka bërë teuhidin shkak dhe mënyrë që mundëson arritjen e çdo të mire dhe që largon çdo të keqe të kësaj jete dhe të jetës tjetër. Ndërsa idhujtarinë, Allahu i Lartësuar e ka bërë shkak që të çon në përjetimin e çdo të keqeje të kësaj jete dhe të jetës tjetër. Çdo ndëshkim dhe fatkeqësi që u ndodh njerëzve në fenë e tyre dhe në çështjet e dynjasë, vjen si pasojë e idhujtarisë dhe e formave të saj. Logjika e këtij argumenti është shumë e thjeshtë: Ndihma që Allahu u ofron adhuruesve të sinqertë e njësuesve të bindur, dëshmon se ata janë në rrugë të drejtë. Në shumë histori të profetëve me popujt e tyre, Allahu i Lartësuar përmend se Ai i ka ndihmuar gjithnjë të bindurit ndaj Tij dhe ndaj profetëve dhe i ka shkatërruar idhujtarët. Pastaj, në fund të këtyre historive, Allahu i Lartësuar na udhëzon që të përdorim logjikën, duke thënë, për shembull: “Vërtet, në të gjitha këto histori ka argumente bindëse”. Për çfarë? Në këto ngjarje ka fakte e argumente për të mençurit, që ata të kuptojnë se njësimi i Allahut me adhurim është e vetmja mundësi shpëtimi e suksesi në të dyja jetët. Ndërsa braktisja e teuhidit, nga ana tjetër, është rruga e shkatërrimit, ndëshkimit dhe dëshpërimit. Ky është një argument logjik shumë i fortë, që përforcon atë të vërtetë të madhe e të pamohueshme. Allahu i Lartësuar ka bërë shumë mënyra të tilla argumentimi në Kur’ân, me qëllim që ne të meditojmë. Argumentet e Tij janë të qarta e të kuptueshme, në mënyrë që askush të mos ketë ndonjë lloj justifikimi. Allahut i qoftë lavdia, mirënjohja dhe falënderimi!