Allahu i zgjodhi Ademin, Nuhun, familjen e Ibrahimit dhe familjen e Imranit mbi të gjithë popujt e tjerë (të asaj kohe). -
Allahu i Lartësuar na tregon se Ai i dalloi këta njerëz dhe fëmijët e tyre mbi njerëzit e tjerë të atyre kohërave. Ai i përzgjodhi ata ndër njerëz, si të dashurit e Tij. Allahu e zgjodhi Ademin (a.s.) mbi të gjithë krijesat e tjera, sepse e krijoi me duart e Tij dhe fryu në të prej shpirtit të (krijuar prej) Tij. Allahu i urdhëroi melekët që të bien në sexhde para Ademit. Ai e vendosi Ademin në Xhenetin e Tij. Allahu i Lartësuar i dhuroi Ademit dije, butësi, mëshirë dhe shumë dhunti, me të cilat u dallua mbi krijesat e tjera. Madje, si nderim për Ademin, Allahu i Lartësuar privilegjoi edhe pasardhësit e tij, siç thotë në këtë ajet: “Ne i nderuam pasardhësit e Ademit (njerëzit), u mundësuam të udhëtojnë në tokë e në det, i begatuam me ushqime të mira dhe i dalluam ata me një dallim të madh mbi shumë prej krijesave që Ne krijuam.”. [Isra 70]. Allahu dalloi dhe e nderoi edhe Nuhun (a.s.). Ai ishte i pari Profet që u dërgua te banorët e tokës, pasi ata filluan të adhuronin idhujt. Allahu e nderoi Nuhun duke i dhuruar cilësi të vyera si: durimin, përballimin e sprovave, mirënjohjen për Allahun e Lartësuar dhe qëndrueshmërinë në rrugën e thirrjes për të adhuruar Allahun si të Vetëm dhe të Pashoq. Me durim të jashtëzakonshëm, ai i ftoi njerëzit në adhurimin e Zotit Një, në çdo çast dhe gjendje që ishte, për një periudhë kohore shumë të gjatë (gati 10 shekuj). Kjo qëndrueshmëri e tij bëri që Allahu i Lartësuar ta donte dhe ta dallonte atë mbi njerëzit e tjerë. Vetëm me një lutje të Nuhut (s.a), Allahu i Lartësuar i përmbyti të gjithë banorët e Tokës, duke shpëtuar vetëm ata që pasuan udhëzimin dhe urdhrat e tij. Allahu i shpëtoi të gjithë ata që ndodheshin në anijen e mbushur plot, dhe kështu, pasardhësit e tij u bënë paraardhësit e botës së sotme. Kujtimi i tij i mirë ndër njerëz u bë i përjetshëm. Ai do të kujtohet për mirë, në çdo kohë dhe në çdo vend. I Lartësuari thotë: “...Ne e shpëtuam atë dhe familjen e tij prej tmerrit të madh, ndërsa pasardhësit e tij i bëmë ata që vazhduan jetën. Ne ua lamë atë (histori) si kujtim për njerëzit e ardhshëm. Selami (paqja) qoftë mbi Nuhun në mbarë botën! Kështu i shpërblejmë Ne të mirët. Vërtet, ai ishte prej adhuruesve tanë besimtarë.” [Safat 75 – 81]. Allahu dalloi mbi të tjerët edhe familjen e Ibrahimit (a.s.). Ibrahimi (a.s.) i dashuri i Mëshiruesit. Allahu i Lartësuar e dalloi Ibrahimin (a.s.) duke i dhënë dashurinë më të madhe që Ai mund t’u japë krijesave, dhe kjo dashuri quhet ħul-letun. Ibrahimi pranoi të digjej në zjarr veç për hir të Zotit të tij. Ai pranoi që të bënte kurban të vetmin djalë, aq të dashur dhe të shumëpritur prej tij, Ismailin (a.s.), vetëm që të kënaqte dhe të përmbushte urdhrin e Allahut të Lartësuar. Pasurinë e tij e shpenzonte duke nderuar miqtë me një mikpritje të pakrahasueshme. Ai e kaloi jetën duke adhuruar Allahun dhe duke ftuar njerëzit në teuhid. Ai i ftonte ata natën dhe ditën, haptazi dhe fshehtazi. Allahu i Lartësuar e bëri atë shembull të njerëzimit për të gjitha kohërat. Ai ia bëri detyrë njerëzimit që të jetë pasues i rrugës së Ibrahimit dhe i fesë së tij të drejtë. Po ashtu, Ibrahimi nuk ka qenë kurrë idhujtar, por adhuronte një Zot të vetëm, Allahun, dhe vetëm udhëzimeve të Tij u bindej dhe u nënshtrohej. Më tej, Allahu i Lartësuar e kufizoi profetësinë vetëm te pasardhësit e Ibrahimit. Vetëm atyre u dha profetësi dhe libra hyjnorë si udhëzim për njerëzimin. Të gjithë profetët që kanë ardhur pas Ibrahimit kanë qenë pinjollë të tij. Edhe këta pasardhës Zoti i nderoi dhe i dalloi mbi të gjithë botën me shumë dhunti e veçori. Mes tyre qëndron më i zgjedhuri, më i dashuri dhe më i madhi i gjithë profetëve, Muhamedi (a.s.). Tek ky pasardhës i Ibrahimit, Allahu i Lartësuar vendosi çdo mirësi dhe dhunti që gjendej e shpërndarë tek të tjerët, madje edhe disa dhunti të posaçme për të, me të cilat u lartësua mbi të parët dhe të fundit. Ai ishte i zgjedhuri, zotëria i profetëve të njerëzimit, më i dalluari ndër pasardhësit e Ibrahimit (a.s.). Allahu dalloi mbi njerëzit e tjerë edhe familjen e Imranit. Këtu hyn babai i Musait dhe i Harunit. Këtu përfshihet edhe babai i Merjemes, nënës së Isait (a.s.). Këto familje ishin ajka e botës. Mirësitë e Allahut dhe suksesi i dhënë prej Tij kanë shkuar varg tek të gjithë pasardhësit e këtyre familjeve, prandaj i Lartësuari thotë: