Ne e kemi urdhëruar njeriun që të jetë bamirës ndaj prindërve të tij. Nëna e vet e bart atë mund pas mundi dhe pas dy vjetësh ia ndan gjirin. (E porositëm) "Të jesh mirënjohës ndaj Meje dhe ndaj dy prindërve të tu. Vetëm tek Unë është kthimi juaj. -
Kjo është ndër porositë më të rëndësishme që Zoti i ka dhënë njeriut dhe për të cilën do ta pyesë në e ka përmbushur apo jo. Ai e urdhëron që të jetë bamirës ndaj prindërve: "...të jesh mirënjohës ndaj Meje dhe ndaj dy prindërve të tu." Të jesh mirënjohës ndaj Meje, duke më adhuruar si një të vetëm e duke përmbushur detyrimin Tim. Të jesh mirënjohës duke mos i përdorur mirësitë që Unë të kam dhuruar për të bërë gjynahe e poshtërsi ndaj Meje. Gjithashtu, të jesh mirënjohës edhe ndaj dy prindërve të tu, duke u bërë mirë atyre, duke u thënë fjalë të ngrohta e të buta, me sjellje të bukur e modesti. Të jesh mirënjohës ndaj tyre, duke u nderuar dhe respektuar emrin me sjelljen tënde dhe duke përmbushur nevojat e dëshirat e tyre. Duhet të jesh shumë i kujdesshëm që të mos sillesh keq ndaj tyre, as me fjalë e as me vepra! Allahu na jep këtë porosi të rëndësishme dhe na thotë: “Vetëm tek Unë është kthimi juaj!" O njeri, ti do të kthehesh tek Ai që t'i dha këto porosi dhe të ngarkoi me këto detyra e përgjegjësi. Ai do të të pyesë, a i përmbushe ato apo jo?! Nëse po, atëherë do të të japë shpërblimin më të madh. Por nëse i ke shpërfillur ato, ka për të dhënë dënimin e dhembshëm dhe të drejtë. Në vijim, Allahu i Lartësuar përmend disa nga shkaqet përse duhet të jemi bamirës me nënën, në mënyrë të veçantë. Ai thotë: Nëna e vet e bart atë mund pas mundi, e bart me vështirësi pas vështirësie. Ajo ndien vështirësi e lodhje që në momentin kur ngjizja është thjesht një pikë në barkun e saj. Ajo kalon lodhje, rëndesë, ndryshim të gjendjes fizike dhe psikologjike. Mos përmendim këtu dhimbjet e lindjes, sa të forta janë! Më vonë, "pas dy vjetësh, ia ndan gjirin". Fëmija ka nevojë për përkujdesin e nënës dhe gjidhënien. Të gjitha këto ajo i bën pa përtesë dhe me një dashuri të madhe e të pashembullt. A nuk është detyrë që këtij njeriu, që duroi gjithë ato vështirësi dhe të fali aq dashuri e përkujdesje, t'i falësh edhe ti bamirësi e dashuri? Ja për këtë na urdhëron Allahu i Madhëruar!