O ju njerëz! Kijeni frikë Zotin tuaj... -
Allahu i Madhëruar i urdhëron njerëzit për takua, pra, që të ruhen e të mbrohen nga zemërimi dhe dënimi i Tij. Kjo bëhet e mundur veçse duke përmbushur urdhëresat e Tij dhe duke iu larguar ndalesave të Tij. Gjithashtu, Allahu i Madhëruar i paralajmëron dhe u kujton Ditën e Kijametit, atë ditë të vështirë dhe të madhe, kur çdo njeriu do t’i interesojë veçse vetvetja dhe nuk do të pyesë për asnjë tjetër në botë. Allahu i Lartësuar thotë:
dhe kijeni frikë atë ditë kur prindi nuk do të mund t’i bëjë asnjë dobi fëmijës së vet dhe as fëmija nuk mund t’i bëjë dobi prindit të vet. -
Asnjë rob nuk ka mundësi që t'ia shtojë të mirat dhe as të ia pakësojë të këqijat tjetrit. Çdo robi i është përmbyllur llogaria e veprave të tij dhe tashmë është bërë gati shpërblimi i tij. Nëse robi e kujton dhe e përfytyron vazhdimisht atë ditë, kjo do t'ia lehtësojë arritjen e gradës së takua-së, pra, që të ruajë veten nga zemërimi dhe dënimi i Zotit, duke zbatuar urdhëresat dhe lënë ndalesat. Kjo sigurisht që është nga mëshira e Allahut për njerëzit. Ai fillimisht i urdhëron për devotshmëri ndaj Tij, gjë e cila u mundëson lumturinë, pasi Ai premton se do t'u japë shumë shpërblime. Në të njëjtën kohë, Allahu i kërcënon me dënim, duke u kujtuar ditën e frikshme të llogarisë, që t'ua bëjë më të lehtë realizimin dhe arritjen e gradës së devotshmërisë. Ty të qofshin të gjitha lavdërimet, o Zoti i botëve!
Premtimi i Allahut është i vërtetë, prandaj mos lejoni që t'ju mashrojë jeta e kësaj bote -
Kurrë mos dyshoni në këtë fakt dhe mos u bëni si ata të cilët nuk e besojnë këtë premtim. Mos lejoni që t'ju mashrojë jeta e kësaj bote dhe mos lejoni që Kryemashtruesi (shejtani) t'ju largojë nga Allahu (me mashtrimet e tij). Mos u mashtroni nga kjo jetë, megjithë stolitë e zbukurimet e saj, megjithë sprovat dhe kurthet e saj.
dhe mos lejoni që Kryemashtruesi (shejtani) t'ju largojë nga Allahu (me mashtrimet e tij). -
Mos u mashtroni nga shejtani i mallkuar, i cili vazhdimisht punon që të mashtrojë njeriun dhe nuk rresht asnjë çast. Njerëzit duhet të plotësojnë hakun e Zotit, i Cili ka premtuar se do t'i shpërblejë sipas veprave të tyre. Por a e përmbushin njerëzit hakun e Tij apo jo? Kjo është një çështje që njeriu duhet të përkushtohet seriozisht për realizimin e saj. Madje, ky duhet të jetë qëllimi i jetës së tij dhe gjëja më e rëndësishme që ai duhet të plotësojë. Le ta mësojë njeriu se ndër pengesat më të mëdha në këtë rrugë është kjo botë e zbukuruar dhe mashtruese, si edhe shejtani i mallkuar, që gjithmonë e cyt njeriun dhe e mbush me ëndrra të kota e mashtrime. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar na tërheq vëmendjen që të mos na mashtrojë kjo dynja e që shejtani i mallkuar të mos na tërheqë në rrugën e tij, sikurse thotë në një ajet tjetër kuranor: "Shejtani u premton atyre dhe i bën të shpresojnë (kotësira). Por shejtani premton veçse mashtrime." [Nisa 120].