Apo ata thonë: Ai (Muhamedi) e ka trilluar atë (Kur'anin)? -
Më lart tha: “Ai është e vërteta e sigurt dhe e padiskutueshme, që këta nuk mund t’i afrohen dhe të ngatërohen me të, sepse ai është shpallje e Atij që është i Urtë, që çdo gjë e vendos në vendin e vet, shpallje e Atij që është i lavdëruar në emrat, cilësitë dhe veprat e Tij.” Kur'ani është:
Jo, ai është e vërteta (e sigurt e shpallur) prej Zotit tënd, - Që Ai e zbriti si mëshirë për robërit. Ai e zbriti atë, gjithashtu:
që të mund t’i tërheqësh vërejtjen një populli, të cilit nuk i erdhi ndonjë qortues para teje, - E zbriti në një kohë kur njerëzit më së shumti kishin nevojë për profetë e shpallje nga Zoti. E zbriti në një kohë kur njerëzit ishin të zhytur dhe të përhumbur në errësirat e thella të mosbesimit e idhujtarisë, në terrin e padrejtësive dhe mungesën e këshilluesve dhe të udhërrëfyesve. Allahu ta zbriti këtë libër, o Muhamed:
... që ata të mund të gjejnë Rrugën e Drejtë. - Që ata të gjejnë rrugën për të shpëtuar nga humbja, që të njohin të vërtetën e ta përqafojnë atë. Të gjitha këto cilësi tregojnë se sa i pavërtetë dhe i pavend është pretendimi i tyre i shëmtuar. Në fakt, ato duhet të bënin që ata ta besonin këtë libër plotësisht, duke pohuar dhe besuar gjithçka që Zoti ka sjellë në të. Së pari, përmendet fakti se ky libër është shpallje e Zotit të botëve. Ai është e vërteta e sigurt dhe e padiskutueshme, që duhet të pranohet, sepse në të nuk ka asnjë dyshim e paqartësi, në asnjë aspekt. Në këtë libër nuk ka asgjë që të sjellë pasiguri dhe dyshim. Ai nuk ka ndonjë lajm që të mos përkojë me realitietin dhe të vërtetën. Edhe kuptimet dhe kumtet e Tij janë të qarta dhe të shpjeguara plotësisht. Njerëzit kanë nevojë të domosdoshme për profetët dhe shpalljet e Zotit; sepse në to do të gjejnë udhëzimin drejt çdo të mire dhe lumturie.