Atëherë, ti përgëzoji besimtarët se do t'u vijë nga Allahu një mirësi e madhe. -
Në këtë ajet janë përmendur:
1. Të përgëzuarit, pra, besimtarët. Cilësia e tyre është besimi i drejtë dhe i bazuar në dëshmi të sakta nga Zoti, si dhe veprat e mira sipas këtij besimi të sinqertë.
2. Ajo me të cilën përgëzohen, pra, dhuntia e madhe, që është shpërblimi dhe mirësia e madhe e dhuruar nga Allahu i Lartësuar për ta në dynja dhe në ahiret. Këtu hyn ndihma dhe fitorja që Zoti u dhuron atyre në dynja, udhëzimi i zemrave të tyre në rrugën e drejtë, falja e gjynaheve dhe mbulimi i të metave, largimi i fatkeqësive dhe shpëtimi nga ato, shtimi i begatisë në çdo drejtim, mirësitë e shumta lumturisjellëse dhe, mbi të gjitha, kënaqësia e Zotit dhe shpërblimi i Tij i pamatë, duke shpëtuar nga zemërimi dhe ndëshkimi i Tij i drejtë.
Përmendja e këtyre shpërblimeve dhe mirësive që premtohen për besimin dhe punën sipas tij, i shkathtëson dhe u jep forcë besimtarëve për të qenë këmbëngulës dhe me vullnet të pathyeshëm në rrugën e drejtë. Kjo është një nga urtësitë e shumta të Sheriatit që, për të nxitur veprat e mira dhe devotshmërinë ndaj Zotit, përmend shpërblimet që janë premtuar për të, ndërsa për të nxitur largimin nga veprat e këqija dhe mosbindjen ndaj Allahut të Lartësuar, përmend ndëshkimin që lidhet me të. Kjo është një ndihmë më e madhe për t’ia arritur të largohesh nga gjynahet dhe nga shkelja e kufijve të Allahut të Madhërishëm. Nga ana tjetër, ata që vazhdimisht do të mundohen të pengojnë besimtarët nga rruga e drejtë dhe t’i luftojnë ata në besimin e tyre do të jenë gjithmonë të pranishëm dhe të vazhdueshëm në luftën e tyre. Të tillë janë munafikët, të cilët shfaqin Islamin dhe në brendësi fshehin kufrin dhe armiqësinë e madhe ndaj besimtarëve. Të tillë janë edhe mohuesit e hapët të besimit dhe të besimtarëve. Duke qenë se këta vazhdimisht do t’i luftojnë besimtarët, Allahu i Lartësuar u jep besimtarëve një këshillë të mrekullueshme në lidhje me mënyrën e sjelljes dhe të komunikimit me të tilla kategori njerëzish.