Dhe asnjë ndërmjetësim nuk bën dobi te Ai përveç atyre që Ai u jep leje (për të ndërmjetësuar). -
Këto janë arsyet kryesore për të cilat lidhen idhujtarët me idhujt e tyre prej putave, njerëzve, pemëve, gurëve etj. Por Allahu i Lartësuar i hodhi poshtë të gjitha ato dhe na tregoi kotësinë e tyre. Ai na sqaron hollësisht bazat e kota mbi të cilat ndërtohet shirku dhe i rrënon ato që nga themeli. Idhujtarët adhurojnë idhujt për diçka që e shpresojnë prej tyre. Shpresa për të përfituar diçka i bën ata që të bëjnë vepra idhujtarie. Kësaj kategorie Allahu u tregon se idhujt që ata i lusin nuk kanë ndonjë pronësi e pushtet mbi botën e nuk zotërojnë asnjë grimcë dobie ose dëmi. Ata nuk janë partnerë, ndihmëtarë e aleatë me Atë që i ka në dorë ato dhe as nuk mund të ndërmjetësojnë tek Ai. Duke qenë se idhujt nuk zotërojnë gjë prej dobisë e dëmit, as nuk janë partnerë e aleatë të Zotit dhe as nuk munden të ndërmjetësojnë pa lejen e Tij, atëherë adhurimi, lutjet drejtuar atyre dhe lidhja e zemrës me ta janë të kota. Çdo lloj adhurimi përkushtuar atyre është jo vetëm i ndaluar nga ligji i Zotit, por është edhe kundër logjikës së drejtë dhe natyrës së pastër njerëzore. Ky lloj adhurimi jo vetëm që është i kotë dhe nuk u sjell asnjë dobi, por çështja do të kthehet tërësisht kundër tyre dhe zbatuesit e idhujtarisë do të dënohen. Ditën e Gjykimit ata do të mohojnë dhe do të distancohen nga njëri tjetri. Ata do të mallkojnë njëri-tjetrin dhe vendi i tyre do të jetë Zjarri, siç thotë i Lartësuari: "Kur të mblidhen bashkë të gjithë njerëzit (në Ditën e Llogarisë),ata (idhujt) do të jenë armiqtë e tyre dhe do t’ua mohojnë adhurimin që u përkushtuan." [Ahkaf 6]. Subhanllah, sa e çuditshme! Idhujtari tregohet kryeneç e mendjemadh duke u arsyetuar se profetët janë veçse njerëz, prandaj nuk i pason, kurse nga ana tjetër e ul veten të adhurojë gurë e drurë, që janë diçka pa jetë e pa asnjë forcë. Ai i largohet dhe refuzon adhurimin me sinqeritet të Mbretit të Gjithmëshirshëm, që do t’i marrë në llogari të gjithë me drejtësinë e Tij dhe, nga ana tjetër, kënaqet duke adhuruar diçka që dëmin e ka shumë më afër se dobinë. Këta të mjerë çuditërisht pranojnë t'i binden dhe nënshtrohen më të ashprit dhe të pamëshirshmit armik, shejtanit të mallkuar. Mendo pak në fjalën e Allahut, kur thotë:
Dhe, kur të largohet frika nga zemrat e tyre (melekëve), ata do të thonë: “Çfarë tha (e urdhëroi) Zoti juaj?”. Ata (melekët e lartë) do të thonë: “Të vërtetën (dhe të drejtën).” Ai është më i Larti, më i Madhi." -
Ka mundësi që këtu të bëhet fjalë për idhujtarët, sepse ata janë përmendur në kontekst dhe sipas rregullit të gjuhës arabe, përemrat vetorë i referohen atij që është përmendur më afër në kontekst. Kuptimi në këtë rast është: Ditën e Kijametit, kur zemrat e idhujtarëve të boshatisen nga frika dhe të fillojnë që të mendojnë, ata do të pyeten për gjendjen e tyre në dynja dhe për faktin që e mohojnë të vërtetën. Pikërisht atë ditë do të dalë në shesh ajo që e fshihnin më parë dhe do të mësojnë se e gjithë e vërteta i takon Allahut. Ata do të pranojnë gjynahet e tyre. Atë ditë, ata do të pyesin: “Çfarë tha Zoti juaj!”. Dhe do të thonë: “Të vërtetën.” Ai është më i Larti, më i Madhi. Ai është i Lartësuar në Qenien e Tij, sipër të gjitha krijesave, duke sunduar dhe nënshtruar gjithçka. Ai është i Lartësuar për të gjitha cilësitë e Tij madhështore, të përkryera dhe absolute. Ai është El-Kebir - pra, i Madhi, i Madhëruari në veten Qenien e vet dhe në emrat dhe cilësitë e Tij. Tregues i lartësisë së Tij është edhe fakti që janë pikërisht ligji dhe vullneti i Tij ata që zbatohen në botë dhe shpirtrat nënshtrohen për t'i përmbushur ata. Të gjithë i janë nënshtruar ligjit dhe rregullit të Tij, madje edhe shpirtrat e kryeneçëve dhe idhujtarëve. Ky kuptim është më i dukshmi dhe për të tregon edhe konteksti. Por ka mundësi që të bëhet fjalë për melekët, të cilët, kur Allahu i Madhëruar flet për Shpalljen hyjnore, ata e dëgjojnë dhe bien përmbys e pa ndjenja para Allahut. Në këtë gjendje, i pari që e ngre kokën është Xhibrili (a.s) dhe Allahu i flet atij për t'i dhënë pjesën e Shpalljes që do të japë. Pasi melekët qetësohen, ata fillojnë të pyesin njëri-tjetrin për atë fjalë që i bëri të rrëzohen pa ndjenja dhe thonë: “Çfarë tha Zoti juaj!” Pastaj i përgjigjen njëri-tjetrit duke thënë "Ka thënë të vërtetën", sepse e dinë që Ai thotë veçse të vërtetën. Ose thonë: "Tha kështu e ashtu...”, duke përmendur fjalët që dëgjuan dhe, sigurisht, që ato fjalë janë të vërteta. Sipas këtij kuptimi, ajeti vijon me një mesazh për idhujtarët: Ju që adhuroni këta idhuj, që nuk mund t'ju sjellin asnjë dobi, si mundet të devijoni nga rruga e Zotit dhe ta shpërfillni atë, si është e mundur që të mos tregoheni të sinqertë për Allahun dhe t'ia dedikoni vetëm Atij të gjitha adhurimet tuaja? Si nuk i frikësoheni Zotit të Madhëruar dhe të Lartësuar, që, nga madhështia e Tij, edhe melekët më të afërt e më të nderuar, kur dëgjojnë fjalën e Tij, rrëzohen përmbys, nga përulësia dhe frika për Zotin? Ata e pranojnë dhe e besojnë fjalën e Tij dhe Ai thotë gjithmonë të vërtetën. Si është e mundur që këta idhujtarë tregohen kryeneçë e mendjemëdhenj dhe nuk nënshtrohen për të adhuruar këtë Zot të Madhëruar, që është absolut në pushtetin dhe sundimin e Tij? U lartësoftë dhe u madhëroftë Allahu i Lavdëruar! I Lartësuar qoftë Ai nga ajo që i shoqërojnë idhujtarët!