Ata që e lexojnë (dhe e pasojnë) Librin e Allahut, e falin rregullisht namazin dhe nga mirësitë që Ne u kemi dhënë, japin fshehtazi dhe haptazi, shpresojnë, vërtet në një Tregëti që kurrë nuk do t'u dalë me humbje. -
Këta janë ata që zbatojnë me korrektësi urdhëresat e Zotit. Ata janë të kujdesshëm në përmbushjen e detyrimeve dhe në lënien e ndalesave. Ata i besojnë pa asnjë mëdyshje lajmet dhe informacionet e sjella nga Zoti dhe i pohojnë dhe i besojnë ato me siguri të plotë. Ata nuk i japin përparësi asnjë fjale tjetër mbi fjalën e Zotit dhe të Profetit të Tij. Ata fatlumë e këndojnë fjalën e Allahut me kujdes dhe saktë, si edhe e studiojnë me vëmendje, për të kuptuar mesazhin e Tij. Ata meditojnë, që të nxjerrin mësimet dhe kumtet e Zotit në mënyrë të vazhdueshme. Më pas përmendet diçka e veçantë nga veprat e tyre të mira. Është namazi, shtylla e fesë së Zotit dhe drita e muslimanit. Namazi është tregues i fortë i imanit në zemrën e njeriut, që kurrë nuk gënjen. Namazi është shenjë treguese e vërtetësisë së islamit të një njeriu ose gënjeshtrës së tij. Pastaj përmendet shpenzimi i pasurisë për hir të Allahut, në ndihmë të të afërmve, farefisit, të varfërve, jetimëve e të tjera kategori që janë në nevojë. Këta fatlumë shpenzojnë për hir të Zotit qoftë kur bëhet fjalë për shpenzimet e detyrueshme, si zekati, kompensimet e detyrueshme pasurore për betimet e shkelura, por edhe për shpenzimet e pëlqyeshme. Allahu thotë se ata japin nga pasuria "fshehtas dhe haptas", ashtu si e kërkon urtësia dhe që dobia të jetë më e madhe. Këtë e bëjnë në çdo kohë dhe gjendje, kur janë të pasur dhe kur kanë frikë varfërinë. Pastaj Allahu i Madhëruar tregon se çfarë i shtyn ata që të bëjnë vepra të mira: