Nëse ndonjë grua i frikësohet largimit ose ftohjes së burrit të vet ndaj asaj, atëherë, ata nuk gabojnë nëse gjejnë rrugë pajtimi me njëri-tjetrin. -
Nëse gruaja i druhet largimit dhe ftohjes së burrit të vet ndaj saj, më e mira në të tilla raste është që ata të pajtohen mes njëri-tjetrit. Kështu, gruaja ose burri mund të tolerojnë dhe të heqin dorë nga disa prej të drejtave të tyre, me qëllim që të vazhdojnë lidhjen martesore, dhe këtu nuk ka asnjë gjynah. Përkundrazi, pajtimi është më i mirë sesa ndarja, siç thotë Allahu i Lartësuar:
Pajtimi është më i miri. -
Marrëveshja ose pajtimi është më i mirë sesa këmbëngulja e secilës palë për të marrë tërësisht hakun e vet, në rastet kur ata kërkojnë të drejtat nga njëri-tjetri. Pra, është mirë që secila palë t’i bëjë lëshime palës tjetër. Pajtimi mundëson që afrimiteti të jetë i vazhdueshëm dhe kultivon te njeriu virtytet e faljes, tolerancës dhe bamirësisë. Marrëveshjet janë të lejuara në çdo çështje, me kusht që të mos bëhet haram diçka që Zoti e ka lejuar dhe të mos bëhet e lejuar diçka që Zoti e ka ndaluar. Në këto raste, marrëveshjet janë të padrejta dhe të palejueshme. Dije se asnjë gjykim nuk hyn në fuqi derisa të plotësohen kushtet dhe të hiqen pengesat e zbatimit të tij. Në rastin tonë, kur kemi të bëjmë me gjykimin për pajtim, Allahu i Lartësuar ka thënë se ky është një veprim i mirë dhe i drejtë. Gjithashtu, çdo njeri i logjikshëm i konsideron të mira të tilla ndërmarrje dhe nxit për plotësimin e tyre. Megjithatë, kur mëson që Allahu i Lartësuar ka urdhëruar për të tilla marrëveshje, besimtari motivohet edhe më shumë për kryerjen e tyre.
Njerëzit janë të prirur nga lakmia. -
Njerëzit janë të prirur që të mos i shpenzojnë të mirat që zotërojnë. Ata janë të prirur, gjithashtu, që ta kërkojnë hakun e tyre të plotë, pa asnjë mangësi. Këto prirje i kanë rrënjët në natyrën e njeriut. Duket sikur ky ajet urdhëron dhe thotë: “Është detyrë për ju që të përpiqeni shumë për ta shkulur nga shpirti këtë cilësi të ulët dhe, në vend të saj, të kultivoni faljen, tolerancën dhe bujarinë. Toleranca ose lëshimi që njeriu bën në të drejtat e tij, në emër të faljes dhe bujarisë, është një virtyt shumë i lartë dhe i rëndësishëm. Nëse njeriu e kultivon te vetja këtë cilësi të lartë, ai e ka më të thjeshtë të arrijë pajtimin me të tjerët. Ndërsa ai që nuk e ka edukuar veten dhe nuk e mjekon sëmundjen e koprracisë, ai e ka shumë të vështirë që të bëjë konpromise dhe të tolerojë të tjerët, por kërkon me ngulm hakun e vet, pa asnjë tolerim dhe lëshim. Në këtë rast, nëse edhe kundërshtari i tij është me të njëjtat prirje, çështja vështirësohet shumë dhe bëhet e rrezikshme. Më pas, Allahu i Lartësuar thotë:
Nëse ju bëni mirë dhe tregoheni të devotshëm, s’ka dyshim se Allahu di gjithçka që bëni ju. -
Këtu Allahu i Lartësuar jep dy porosi. Porosia e parë është: të bësh mirë. Bamirësia (ihsan) tregohet në dy drejtime:
1. Bamirësi në drejtim të adhurimit të Zotit të Lartësuar, e cila, siç e ka shpjeguar Profeti (a.s.), arrihet duke adhuruar Zotin sikurse ti e sheh Atë, sepse, edhe nëse ti nuk e sheh Atë, Ai të sheh ty.
2. Bamirësi ndaj krijesave, me të gjitha rrugët dhe mënyrat e saj të larmishme, si nëpërmjet pasurisë, dijes, famës, pushtetit, njohjeve dhe miqësive etj.
Porosia e dytë është devotshmëria. Devotshmëri do të thotë të ruhesh nga ndëshkimi i Zotit të Lartësuar. Ajo arrihet duke kryer të gjitha urdhëresat e Zotit dhe duke iu larguar të gjitha ndalesave të Tij. Megjithatë, ka mundësi që shprehja: “bëni mirë” të ketë si qëllim kryerjen e urdhrave, ndërsa: “tregoheni të devotshëm” të nënkuptojë largimin nga haramet. Pra, nëse plotësoni këto dy kushte, atëherë: “...s’ka dyshim se Allahu di gjithçka që bëni ju.”. Allahu i Lartësuar e di të dukshmen dhe të fshehtën. Ai i ka regjistruar veprat tuaja dhe do t’ju japë për to shpërblimin e merituar.