O ju që keni besuar! Mos e hani pasurinë e njëri-tjetrit me mënyra të palejueshme,... -
Allahu i Lartësuar i ndalon robërit e Tij që ta konsumojnë pasurinë e njëri-tjetrit me mënyra të palejueshme. Te “mënyrat e palejueshme” përfshihet vjedhja e grabitja, bixhozi, kamata e forma të tjera të ndaluara të fitimit të pasurisë. Këtu hyn edhe pasuria e shpenzuar apo e shpërdoruar me mendjemadhësi, sepse edhe kjo është një mënyrë e padrejtë e konsumimit të pasurisë. Allahu i Lartësuar vërtet i ka ndaluar këto rrugë të konsumimit të pasurisë, por, nga ana tjetër, ka lejuar mënyra të tjera të pastra dhe të mira, si tregtia e ndershme dhe çdo akt që plotëson kushtet dhe sjell kënaqësinë e palëve. Ai thotë:
...përveç rastit kur është tregti me pëlqim të dyanshëm -
Pra, kontratat e lidhura me pëlqim të ndërsjelltë dhe me kushtet e një tregtie të ndershme janë të lejueshme. Kur thuhet: “me pëlqim të dyanshëm”, përjashtohen kontratat e fajdesë, sepse fajdeja nuk është tregti dhe nuk është një marrëveshje e lejueshme. Po ashtu, ajo kurrsesi nuk mund të kënaqë të dyja palët. Përveç kësaj, palët duhet të jenë të njohura me kushtet dhe përfitimin e tregtisë. Nuk mund të ketë pëlqim të dyanshëm nëse fitimi është i panjohur dhe nëse nuk është e mundur të merret në dorë apo të arrihet. Rrjedhimisht, një kontratë e tillë është e ndaluar. Nga ajeti kuptohet se aktet mund të lidhen nëpërmjet fjalëve ose veprave, sepse nëpërmjet tyre shprehet pranimi dhe pëlqimi. Ajeti mbyllet me fjalët: “Vërtet, Allahu është Mëshirëplotë me ju.” Prej mëshirës së Tij është ruajtja e pasurisë dhe e jetës sonë nëpërmjet këtyre ligjeve, siç përforcohet më pas ky fakt:
...dhe mos e vrisni veten! Vërtet, Allahu është Mëshirëplotë me ju. -
Kuptimi: Mos e vrisni veten dhe as njëri-tjetrin. Të njëjtin gjykim ka edhe të çosh veten drejt shkatërrimit dhe rreziqeve të rënda, që mund të të gjymtojnë apo të të marrin edhe jetën. Pra, Allahu i Lartësuar na ndalon nga dëmtimi i vetes dhe i të tjerëve dhe nga çdo rrugë që të çon në këto përfundime, dhe kjo ndodh prej mëshirës së Tij. Me mëshirën e Tij, Allahu ka bërë ligje, nëpërmjet të cilëve synon të na ruajë besimin, jetën, mendjen, nderin dhe pasurinë që janë pesë domosdoshmëritë e njeriut. Ne jemi të ndaluar që t’i shpërdorojmë apo humbasim jetën dhe pasurinë (po kështu edhe fenë, nderin dhe mendjen). Vëreni me kujdes fjalët e Allahut të Lartësuar: “Mos e hani pasurinë e njëri-tjetrit me mënyra të palejueshme” dhe: “mos e vrisni veten”. Në të dyja rastet, Ai na është drejtuar në shumës, që të kuptojmë se pasuria dhe jeta e të tjerëve duhen trajtuar njëlloj si të ishin tonat, duke i ruajtur ato në formën më të mirë. Po ashtu, këto fjalë dëshmojnë për themelin e shoqërisë islame, e cila duhet të ndërtohet duke patur dashamirësi dhe përkujdesje të ndërsjelltë mes muslimanëve. Besimtarët duhet të jenë për njëri-tjetrin ashtu sikurse ka thënë Profeti (a.s.): si një ndërtesë e vetme, ose si një trup i vetëm, i tillë që, nëse njëra pjesë e tij vuan, të gjithë të tjerët kujdesen dhe përpiqen ta shërojnë dhe rregullojnë atë. Kjo përkujdesje duhet të jetë në të gjitha aspektet e jetës, në aspektet e fesë dhe besimit, por edhe në ato të kësaj dynjaje, për nevojat e ndryshme të saj.