Në qoftë se druheni se nuk do të jeni të drejtë ndaj jetimëve, atëherë martohuni me gra të mira që ju pëlqejnë: me dy, tri a me katër... -
Kuptimi: Nëse druheni se do të jeni të padrejtë dhe nuk do të plotësoni si duhet detyrimet ligjore ndaj femrave jetime që ndodhen nën përkujdesin tuaj, sepse nuk do t’i donit sa duhet si bashkëshorte, atëherë mos u martoni me to, por martohuni me gra të tjera, që ju pëlqejnë dhe janë të mira për ju në drejtim të fesë, pasurisë, bukurisë, fisnikërisë së tyre apo në cilësi të tjera që ju nxisin të martoheni me to. Megjithatë, dijeni se cilësia më e mirë që duhet të synoni te bashkëshortet tuaja është besimi dhe feja e tyre, sikurse ka thënë Profeti (a.s.): “Me një grua martohesh për katër gjëra të saj: për pasurinë, për bukurinë, për fisin dhe për fenë e saj. Zgjidh atë fetaren, të lumshin duart!” Nga ky ajet kuptojmë që është detyrë për njeriun që të kujdeset dhe të zgjedhë mirë para martesës. Madje, Sheriati e ka lejuar burrin që edhe ta shohë gruan me të cilën synon që të martohet, në mënyrë që të jetë i sigurt për zgjedhjen e tij. Më pas, Allahu i Lartësuar përmend numrin e grave të lejuar nga Sheriati për t’u martuar: “...me dy, tri apo me katër”. Pra, ai që dëshiron të martohet me dy, le ta bëjë, ai që dëshiron të martohet me tre, le ta bëjë, ai që dëshiron të martohet me katër, le ta bëjë, por më shumë se kaq nuk lejohet. Ajeti vjen në një mënyrë të tillë që tregon mirësinë e Zotit me ligjin që ka vendosur për ne, prandaj nuk lejohet që ta tejkalojmë atë. Ky është një mendim unanim i dijetarëve. Allahu i Gjithëditur dhe i Gjithëmëshirshëm e ka bërë këtë ligj, sepse, shpesh, dëshirat seksuale të mashkullit nuk mund të plotësohen vetëm me një grua, prandaj kërkon të dytën. Për këtë arsye, Ai ua lejoi robërve të Tij që të kenë deri në katër gra njëherësh. Ky numër është mëse i mjaftueshëm për çdo burrë, përveç rasteve të rralla, të cilat gjithsesi nuk meren si bazë në ligjërimin e dispozitave. Ato kanë udhëzime të veçanta dhe sheriati ka përcaktuar zgjidhje të caktuara. Megjithatë, Allahu i Lartësuar e ka lejuar martesën me më shumë se një grua, por me kusht që burri të jetë i sigurt në vete se nuk i kalon kufijtë dhe nuk bëhet i padrejtë ndaj grave. Me fjalë të tjera, është kusht mbajtja e drejtësisë mes grave, nëse dëshiron të martohesh me më shumë se një. Nëse burri druhet se nuk e mban drejtësinë mes tyre, atëherë le të kufizohet me një, ose le të përmbushë kërkesat e tij me skllavet që i ka në pronësinë e tij. Ai nuk e ka detyrë që t’i ndajë netët me skllavet në mënyrë të barabartë. Pra, nëse nuk është i sigurt se mund ta mbajë drejtësinë mes bashkëshorteve, atëherë duhet të martohet vetëm me një grua, siç thotë i Lartësuari më pas:
Por nëse druheni se nuk do t’i përmbaheni drejtësisë ndaj tyre (grave), atëherë (martohuni) vetëm me një grua, ose me ato që keni në pronësinë tuaj (robëreshat). Kjo do ta bëjë më të lehtë, që të mos bini në padrejtësi. -
Pra, kufizimi i martesës vetëm me një grua është më i sigurt për t’u ruajtur nga padrejtësia. Nga ky ajet mësojmë se njeriu duhet të jetë i kujdesshëm dhe të mos i hyjë një pune, gjatë së cilës nuk ka siguri prej vetes se do të mbajë drejtësinë apo se do t’i japë hakun. Ai nuk duhet të marrë një përgjegjësi të cilën nuk e mban dot apo që nuk i jep hakun, edhe nëse në vetvete kjo punë mund të jetë e lejueshme. Pra, robi le të jetë i kujdesshëm, që t’u shmanget çështjeve të cilat sjellin padrejtësi dhe vuajtje. Qetësia dhe ruajtja nga padrejtësitë janë nga mirësitë më të mira që mund t’i dhurohen një njeriu. Duke qenë se shumë njerëz u bëjnë padrejtësi grave dhe ua mohojnë të drejtat e tyre, e sidomos në drejtim të mehrit që ato meritojnë të marrin nga burrat e tyre, Allahu i Lartësuar ka dhënë urdhër për plotësimin e këtij detyrimi. Kjo shkelje ndodh zakonisht kur masa e mehrit është e madhe dhe burri ia kërkon sërish gruas që t’ia kthejë mbrapsht atë që i ka dhënë. Për këtë arsye, i Lartësuari thotë: