Have you not seen those who claim themselves to be pure? Rather, Allah purifies whom He wills, and injustice is not done to them, [even] as much as a thread [inside a date seed]. (An-Nisa [4] : 49)
Sherif Ahmeti:
A nuk ke kuptuar për ata që vlerësojnë vetveten? Jo, All-llahu vlerëson atë që do dhe nuk bën padrejtë asnjë fije (An-Nisa [4] : 49)
1 Feti Mehdiu
A nuk i ke parë ata që e konsiderojnë veten të pastër nga mëkatet? Mirëpo All-llahu pastron nga mëkatet atë që do, por e padrejtë nuk i bëhet askujt
2 Hassan Efendi Nahi
A nuk i ke parë ata që e kujtojnë veten të dëlirë?[1] Jo, Allahu dëlir kë të dojë dhe askush nuk do të pësojë as padrejtësinë më të vogël.
[1] Askush nuk është i dëlirë nga vetvetja, por është Allahu Ai që e dëlir atë.
3 Tafsir as-Saadi
A nuk i sheh ata që e vlerësojnë veten si të pastër?! - Kjo është pyetje që përmban në vetvete një habi. Ajo është njëkohësisht një qortim i hapur për të gjithë ata të cilët lëvdojnë veten dhe pretendojnë se janë të pastër dhe të pafajshëm. Të tillë janë judejtë, të krishterët dhe të gjithë ata që ecin në rrugën e tyre. Ata pretendojnë dhe thonë: “Ne jemi bijtë e Zotit dhe të dashurit e Tij”. Ata thonë gjithashtu: “Askush nuk do të hyjë në Xhenet nëqoftë se nuk është çifut ose i krishterë!” Këto janë trille të tyre! [Bekare 111]. Pra, të gjitha këto janë pretendime të pabaza dhe të pavlera. E vërtetë është ajo që ka thënë Allahu i Lartësuar në Kur’ân: "Përkundrazi, ai që i është dorëzuar Allahut dhe është bamirës, e ka shpërblimin e vet te Zoti i tij. Për ata nuk ka frikë, as nuk kanë pse të brengosen." [Bekare 112]. Kështu pra, këta janë ata të cilët Zoti i ka bërë të pastër dhe i ka begatuar me cilësi të mrekullueshme; këta janë të shpëtuarit. Më pas, i Lartësuari thotë:
Është Allahu Ai që pastron nga të këqijat atë që Ai dëshiron, pa i bërë padrejtësi askujt. - Pra, është Allahu i Lartësuar që i stolis ata me besim të bazuar në dije të sigurt nga Zoti dhe me vepra të mira e të sinqerta për të. Ai i pastron ata nga çdo cilësi e keqe, për t’i pajisur me virtyte të larta. Ndërsa ata të mjerë që lëvdohen dhe thonë se janë të përsosur, edhe pse pretendojnë se bazohen diku, ata thjesht trillojnë. Ata nuk kanë asnjë lidhje me të pastërtit dhe të zgjedhurit e Zotit dhe qëndrojnë shumë larg tyre. Kjo ndodh për shkak të mohimit të tyre, sepse Zoti nuk u bën padrejtësi, siç thotë Ai: “...pa i bërë padrejtësi askujt”. Ky është një përforcim i faktit që Allahu i Lartësuar nuk bën kurrë padrejtësi, madje as sa një fetil, që është një membranë e hollë në bërthamën e hurmës.