Ky ajet është nxitje prej Allahut të Lartësuar për besimtarët, që ata të luftojnë në rrugën e Tij, sidomos kur lufta është detyrë e pashmangshme për ta. Madje, ajeti përmban edhe një qortim shumë të rëndë për braktisjen e xhihadit në të tilla kushte. Allahu i Lartësuar thotë:
Dhe përse të mos luftoni ju në rrugën e Allahut dhe për shpëtimin e të shtypurve: për meshkujt e pafuqishëm, gratë dhe fëmijët, të cilët luten:... -
Kuptimi: Ç’ndodh me ju që nuk luftoni në rrugën e Zotit, ndërkohë që të dobëtit, gratë e fëmijët, të cilët nuk i kanë mundësitë t’u shmangen vështirësive, nuk kanë asnjë mbështetje dhe nuk arrijnë të gjejnë rrugëzgjidhje?! Ata vuajnë nën shtypjen e armikut dhe kalojnë padrejtësitë më të mëdha mbi kurrizin e tyre. Aq e madhe është dhimbja e tyre, saqë ata luten e thonë:
O Zoti ynë! Nxirrna nga ky vend, banorët e të cilit janë mizorë! Cakto për ne nga ana Jote një mbrojtës dhe na jep ndihmë! -
Pra, ata i luten Zotit që t’i largojë dhe shpëtojë ata nga ai vend, banorët e të cilit janë të padrejtë ndaj vetes me idhujtarinë e tyre, si dhe të padrejtë ndaj besimtarëve, duke i torturuar e duke i penguar nga feja e vërtetë dhe nga ftesa drejtuar të tjerëve për adhurimin e një Zot të vetëm. Ata janë të padrejtë ndaj tyre edhe duke i penguar nga emigrimi në rrugën e Zotit. Të dobëtit dhe të pafuqishmit e lusin Allahun e Lartësuar që t’u dhurojë një udhëheqës, i cili të shqetësohet dhe përpiqet për të zgjidhur hallet e tyre, që lufton për t’i shpëtuar nga ai vend, banorët e të cilit janë të padrejtë. Pra, në një rast të tillë, lufta ka karakter mbrojtës, për të ruajtur jetën, nderin pasurinë, e nuk është mësymëse.[1] Edhe kjo e fundit ka shpërblim shumë të madh, dhe ai që i bën bisht është i qortuar, por lloji i parë i luftës, ajo për të mbrojtur të dobëtit, është me shpërblim më të madh, më e dobishme dhe më fort e detyrueshme se kjo e dyta. Pastaj i Lartësuari thotë:
[1] Në një hadith thuhet: “Nëse ju kërkohet të dilni në luftë, përgjigjuni!”, me kuptimin: Nëse udhëheqësi ju kërkon të dilni në luftë në rrugën e Zotit, atëherë e keni detyrë që të përgjigjeni, sepse në një rast të tillë xhihadi është farz ajn për secilin që i plotëson kushtet. Në një rast të tillë, askujt nuk i lejohet që të qëndrojë në shtëpi, përveç nëse ka justifikim të pranuar nga Sheriati i Zotit. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që keni besuar! Ç’është kështu me ju, që, kur ju thuhet të dilni në rrugën e Allahut juve ju rëndon vendi? A mos jeni, vallë, më të kënaqur me jetën e kësaj bote, sesa me Ahiretin? Jeta e kësaj bote, përkundër ahiretit, është diçka shumë e vogël. Nëse nuk dilni, Ai do t'ju ndëshkojë me një dënim të rëndë dhe do t'ju zëvendësojë me një popull tjetër dhe Atij nuk i bëhet aspak dëm. Allahu është i Plotpushtetshëm për gjithçka.” [Teube 38, 39]. Ky, pra, është njëri nga rastet kur xhihadi është farz ajn. Rasti i dytë është xhihadi mbrojtës, kur armiku ka rrethuar vendin tënd islam. Rasti i tretë është kur dy ushtritë, ajo muslimane dhe ajo qafire, janë vendosur përballë njëra-tjetrës. Edhe në këtë rast, lufta është detyrë për pjesëmarrësit dhe nuk lejohet largimi prej saj, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që keni besuar! Kur të jeni përballë ushtrisë së jobesimtarëve, kurrë mos ua ktheni shpinën! Askush të mos ua kthejë atyre shpinën në atë moment, veç atij që kthehet për të luftuar ose për t’iu bashkëngjitur një grupi tjetër. Kush tërhiqet, ai ka tërhequr kundër vetes zemërimin e Allahut dhe vendi i tij është Xhehenemi, një strehim shumë i keq.” [Enfal 15, 16]. Profeti (a.s.) na ka njoftuar, gjithashtu, se largimi nga fushëbeteja është një nga shtatë gjynahet e mëdha dhe shkatërruese. Rasti i katërt kur xhihadi është farz ajn është atëherë kur një person njeh përdorimin e një arme që askush tjetër nuk e njeh dhe është i domosdoshëm përdorimi i saj. Atëherë, për këtë njeri, xhihadi është farz ajn, edhe nëse udhëheqësi nuk e ka thirrur për mobilizim. Këto janë katër rastet kur xhihadi është farz ajn. Ndërsa çdo rast tjetër është farz kifaje. [Shih “Rijad es-Salihin” shpjegimin e Shejh Ibn Uthejmin].