Zoti i Lartësuar na kujton se mosmarrja pjesë në luftë nuk të mbron aspak nga caktimi i Tij. Ajo që Zoti ka përcaktuar të ndodhë nuk mund të kthehet pas. Ne thjesht jemi në sprovë për t’iu bindur urdhrave të Tij dhe për këtë do të shpërblehemi me drejtësi. Kështu, i Lartësuari thotë:
Kudo që të jeni, vdekja do t’ju arrijë - edhe në qofshi në kështjellat më të forta. -
Kuptimi: Në çdo kohë dhe vend që të jeni, vdekja ka për t’ju kapur, edhe sikur të fshiheni në kështjella të forta dhe të larta. Pra, mos kujtoni se mosmarrja pjesë në luftë do t’ju bëjë të jetoni më gjatë! Kjo është nxitje për të marrë pjesë në luftë, nxitje e cila bëhet me disa mënyra në Kur’ân: duke treguar shpërblimin e premtuar për të; duke përmendur dënimin për mosmarrjen pjesë në të; duke kujtuar faktin se mosmarrja pjesë në luftë nuk ndryshon gjë nga caktimi i Zotit për vdekjen; duke treguar mirësitë e jetës tjetër, në krahasim me vështirësitë e kësaj jete etj. Më pas, Allahu i Lartësuar na tregon se çfarë thonë ata që i kthejnë shpinën Shpalljes së Tij:
Sa herë që u vjen ndonjë e mirë, ata thonë: “Kjo është nga Allahu.”. Por nëse i godet ndonjë e keqe, thonë: “Kjo është nga ti (O Muhamed)!”. -
Kur atyre u vjen nga Zoti begati, shëndet, pasuri e fëmijë, thonë: “Këto janë nga Allahu!”. Ndërsa kur goditen nga fatkeqësitë, thatësia, uria, skamja, sëmundjet, vdekja e fëmijëve dhe të dashurve thonë; “Kjo ndodhi prej teje, o Muhamed, për shkak të asaj që na solle ti!” Pra, ashtu sikurse shumë popuj para tyre, ata e quajtën Profetin fatkeqësi ose shkaktar fatkeqësie. Allahu i Lartësuar na tregon për Faraonin se ka bërë të njëjtën gjë me Musain: “Kur vinin kohë të mira, ata thoshin: “Kjo është, thjesht merita jonë”. E, kur i godiste ndonjë e keqe, atë e konsideronin si ogur të zi që shkaktohej nga prania e Musait dhe e atyre që ishin me të. Në fakt, fatkeqësitë u vinin nga Allahu (për gjynahet e tyre), por shumica e tyre nuk e dinin.” [El ea’raf 131]. Edhe populli i Salihut tha të njëjtën gjë për Profetin e tij: “Ata thanë: “Ata thanë: “Ne parandiejmë ogur të keq prej teje dhe prej atyre që janë me ty.” Ai tha: “E mira dhe e keqja është prej Allahut (me drejtësi prej Tij), por ju jeni një popull që jeni vënë në provë.” [Neml 47]. Po kështu, populli i përmendur në suren Jasin u tha profetëve të vet: “Ata (fshatarët) thanë: “Ne parandiejmë keq me ju dhe, nëse nuk tërhiqeni, ne do t’ju gurëzojmë. Do të vuani ndëshkim të rëndë prej nesh!”. Ata (të dërguarit) thanë: “E keqja shkaktohet vetëm prej jush. Vallë, për shkak se u këshilluat, po na kërcënoni?! Ju jeni popull i prishur!” [Jasin 18, 19]. Zemrat e tyre kanë qenë të mbushura me kufër, prandaj edhe fjalët e veprat e tyre ishin të tilla. Çdokush që i lidh fatkeqësitë apo largimin e të mirave me Shpalljet hyjnore që sollën profetët, duke pretenduar dhe shpifur se shkaku i të këqijave janë pikërisht ato, meriton të njëjtin paralajmërim dhe kërcënim. Më pas, Allahu i Lartësuar u përgjigjet:
Thuaju: “Të gjitha janë nga Allahu!”! -
Të mirat dhe të këqijat, begatia dhe fatkeqësia ndodhin me lejen, caktimin dhe krijimin e Zotit të Urtë dhe të Mëshirshëm.
Ç’është me këta njerëz që nuk kuptojnë asgjë? -
Ç’është me këta njerëz që pretendojnë të tilla gjëra të kota, të cilët nuk kuptojnë asgjë, ose të cilët kuptojnë shumë pak?! Ky është një qortim për ata të cilët nuk kuptojnë dhe nuk përpiqen të kuptojnë mesazhin nga Allahu dhe Profeti i Tij, dhe kjo ndodh për shkak të mohimit dhe kundërshtimit të tyre të së vërtetës. Nga kjo kuptohet se janë të lëvduar dhe të shpërblyer ata që kuptojnë dhe përpiqen të kuptojnë Shpalljen e Zotit. Është e shpërblyeshme nëse marrim të gjitha masat për të kuptuar atë që ka thënë Zoti dhe Profeti i Tij, duke dëgjuar me kujdes fjalët dhe porositë e tyre e duke medituar rreth tyre. Nëse vërtetë do të kuptonim Shpalljen e Zotit, do të ishim të bindur se çdo gjë që ndodh në gjithësi, e mirë apo e keqe, ndodh me përcaktimin dhe dijen e Allahut të Lartësuar dhe të Urtë; asgjë nuk del jashtë caktimit të Tij; Ne do të kuptonim dhe do të bindeshim se Profeti dhe Shpallja nuk mund të jenë asnjëherë shkaktarë të së keqes. Përkundrazi, profetët dhe shpalljet hyjnore erdhën për të sjellë mirësinë dhe rregullin në jetën e kësaj bote dhe lumturinë në jetën tjetër. Pastaj i Lartësuari thotë: