Ky burrë besimtar me mendje të ndritur dhe besim në zemër, duke treguar shëmtinë e veprave të popullit të tij, si dhe padrejtësinë e vendimit që kishin marrë për vrasjen e Musait, thotë:
Një besimtar nga familja e Faraonit, që e fshihte besimin e vet, tha: “A doni ta vrisni një njeri vetëm pse thotë: 'Zoti im është Allahu', ...” -
Kuptimi: Si është e mundur t’i lejojmë vetes vrasjen e një personi të tillë? Cili është krimi i tij? Vallë, konsiderohet krim vetëm sepse ai thotë: “Zoti im është Allahu?!” Kjo është thjesht një fjalë goje e thënë nga ai. Musai (a.s.) kishte sjellë argumente dhe shenja të mrekullueshme, që dëshmonin për vërtetësinë e tij, prandaj besimtari tha:
“...ndërkohë që ju ka sjellë Argumente të Qarta prej Zotit tuaj?” -
Aq të qarta ishin bërë mrekullitë dhe shenjat që Musai solli, saqë ato diheshin dhe diskutoheshin nga të gjithë, të mëdhenj e të vegjël. Pra, - thoshte besimtari - mendohuni mirë në vendimin tuaj. Këto fakte nuk duhet t’ju lejojnë që ta vrisni. Nuk është kjo ajo që ai meriton. Fillimisht, arsyetoni qëndrimin tuaj mohues, e pas kësaj shikoni, a meriton vrasjen apo jo. Nëse arrini të vërtetoni saktësinë e qëndrimit tuaj dhe mohimin e ftesës së tij, ndoshta do të ishte e drejtë ta vrisnit. Ama, nëse argumentet e tij mbeten të pacenuara, ose qëndrojnë shumë më lart se kaq, atëherë nuk mund të lejoni vrasjen e tij, sepse është tërësisht e padrejtë. Pastaj ai u tha diçka shumë të mençur, që bind çdo njeri me logjikë. Ai bëri një supozim:
“Po të jetë gënjeshtar, mbi të do të rëndojë gjynahu për gënjeshtrën e vet. Por nëse thotë të vërtetën, juve do t’ju godasë diçka nga ajo me të cilën ai ju paralajmëron.” -
Pra, për Musain (a.s) ka dy mundësi: ose është mashtrues e gënjeshtar, ose është i sinqertë dhe i vërtetë në atë që thotë e pretendon. Nëse është mashtrues, atëherë mashtrimi rëndon mbi të dhe vetëm mbi të. Ju nuk dëmtoheni aspak nga mospranimi i një gënjeshtari. Por nëse ai është i vërtetë në atë që thotë, - madje ju ka sjellë edhe shenja e mrekulli nga Zoti, edhe ju ka paralajmëruar që, nëse nuk i bindeni e nuk e besoni, juve do t’ju godasë ndëshkimi nga Zoti, në dynja dhe në ahiret, - atëherë ju do të goditeni realisht nga ky ndëshkim, qoftë edhe nga një pjesë e tij, siç është ndëshkimi në dynja. Kjo tregon për mendjen e ndritur të këtij njeriu, që e përdor për të mbrojtur Musain. Ai e trajtoi situatën në një mënyrë që ata të mendoheshin dhe të kuptonin se zgjidhja ishte mes dy mundësive, të cilat e përjashtonin vrasjen si një veprim të zgjuar. Kështu, ai i bëri të mendonin dhe gjykonin se vrasja e Musait në të dyja rastet do të ishte e kotë dhe mendjelehtësi. Më pas ky burrë i zgjuar dhe besimtar, - Allahu e mëshiroftë, e faltë dhe qoftë i kënaqur prej tij! - për sa i përket mbrojtjes që i bën Musait, kalon në një nivel tjetër më të qartë dhe më të drejtpërdrejtë. Ai aludon se Musai (a.s), me cilësitë e mira dhe besnikërinë që ka, është më pranë të vërtetës. Ai tha:
“Por të jeni të bindur se Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë atë që i shkel kufijtë dhe është gënjeshtar.” -
Allahu nuk i udhëzon në rrugën e drejtë ata që kanë dy cilësi. Së pari, ata janë teprues, sepse tejkalojnë kufijtë e Zotit me braktisjen e të vërtetës dhe me përqafimin e të kotës. Së dyti, ata janë mashtrues, të cilët e reklamojnë shfrenimin e tyre si diçka të këshilluar nga Zoti. Të tillë njerëz Zoti nuk i udhëzon tek e vërteta dhe, aq më pak, t’i ndihmojë me shenja e mrekulli bindëse. Ai nuk u jep atyre sukses për të ndjekur dhe vërtetuar rrugën e saktë dhe të drejtë. Kjo është logjika më e thjeshtë dhe e pastër. Tani, - u drejtohet besimtari atyre, - është radha juaj të mendoheni pak për realitetin. Ju i kuptoni mirë fjalët e Musait dhe jeni të bindur se ato janë të drejta dhe të vërteta. Zoti i dha atij argumente logjike dhe mrekulli të jashtëzakonshme, që provojnë vërtetësinë e tyre. Kësisoj, ai që ka patur një mbështetje të tillë të jashtëzakonshme nga Allahu nuk mund të jetë kurrë njeri i shfrenuar e mashtrues. Mendohuni me qetësi për këto që po ju them! Ky qëndrim i besimtarit tregonte se ai ishte burrë i mençur dhe shumë i ditur rreth Zotit. Pastaj ai kaloi në një këshillë të hapur drejtuar popullit të tij, duke i kërcënuar për ndëshkimin e rëndë dhe të frikshëm të ahiretit. Ai i këshilloi dhe paralajmëroi që të mos mashtroheshin dhe të vetëkënaqeshin nga pushteti e pasuria që u ishte dhënë në këtë dynja, e të shpërfillin ahiretin: