Dhe ruaji ata prej të këqijave,... -
Ruaji nga veprat e këqija dhe ndëshkimet që ato sjellin. Veprat e këqija, sigurisht, bëhen shkak për ndëshkim dhe fatkeqësi për punuesin e tyre.
...sepse atë që Ti e mbron atë Ditë prej të këqijave, vërtet e ke mëshiruar! -
Kuptimi: Atë që e shpëton nga pasojat dhe ndëshkimi që sjellin gjynahet në Ditën e Gjykimit, atë e ke përfshirë në mëshirën Tënde. Mëshira Jote i ka shoqëruar gjithmonë besimtarët. Ajo nuk largohet prej tyre, veç nëse bëjnë gjynahe dhe vepra të këqija. Atë që Ti e ke ruajtur nga të këqijat i ke dhënë sukses për të mira e bamirësi e, rrjedhimisht, edhe për shpërblimin e mirë që ato sjellin.
Ky është shpëtimi i madh. -
Shpëtimi nga gjynahet dhe ndëshkimi që ato sjellin, si dhe udhëzimi për punë të mira dhe shpërblimi që ato sjellin, janë fitorja më e madhe. Askush nuk ka garuar për diçka më të mirë sesa kjo mirësi e fitore. Kjo lutje e drejtuar nga melekët tregon për diturinë e tyre të thellë rreth Zotit. Që lutja të jetë më e pranueshme, ata ndërmjetësojnë tek Ai me emrat e cilësitë e Tij të bukura. Allahu i Madhëruar e dëshiron që adhuruesi të afrohet tek Ai me emrat e cilësitë e Tij. Ai dëshiron që adhuruesi t’i lutet Atij duke iu drejtuar pikërisht me ato emra e cilësi që janë të përshtatshme me lutjen dhe kërkesën e shtruar. Kështu, edhe melekët i luten Zotit për falje duke përmendur mëshirën e Tij, e Cila përfshin gjithçka, në mënyrë që përgjigjja të ishte më e sigurt. Ata kërkojnë mëshirë dhe largim të çdo shkaku që e pengon mëshirën e Zotit, siç janë gjynahet dhe punët e këqija. Allahu i Gjithëditur sheh dhe Di për çdo skutë të fshehtë të shpirtit të krijesave dhe i di shumë mirë mangësitë e tyre, të cilat bëhen shkak që ata të bien në gjynahe e gabime. Për këtë arsye, melekët i luten Allahut duke ndërmjetësuar me diturinë e Tij. Allahu e di më së miri se çfarë mund t’i largojë njerëzit nga gjynahet dhe çfarë mund t’i kthejë ata në rrugën e mëshirës, duke iu druajtur diturisë gjithëpërfshirëse të Zotit. Këto ajete tregojnë, gjithashtu, për edukatën e melekëve me Zotin. Kjo duket në faktin se ata e pranojnë dhe pohojnë që janë krijesa të Zotit, i Cili është El Rab - Krijuesi, Sunduesi, Pronari dhe Kujdestari i tyre, me përkujdesjen e Tij të përgjithshme dhe të posaçme. Përveç kësaj, melekët dëshmojnë se ata vetë nuk kanë asgjë në dorë. Lutja e tyre është e sinqertë, e drejtuar nga dikush që është i varfër nga çdo aspekt dhe në nevojë për mëshirën dhe përkujdesin e Zotit. Ata nuk shohin në veten e tyre asnjë meritë, me të cilën ata do të kishin të drejtën t’i luteshin apo të pretendonin përgjigje nga Zoti, por i luten Atij si të varfër dhe të përunjur, që Zoti t’u përgjigjet e t'u dhurojë mirësi thjesht nga mëshira, mirësia dhe bujaria e Tij. Gjithashtu, lutja e tyre tregon se ata e duan atë që Zoti e do. Kështu ata i duan veprat e mira dhe adhurimet, sepse edhe Allahu i do ato. Për këtë arsye, melekët përpiqen maksimalisht për t’i kryer sa më mirë ato, ashtu si di të veprojë ai që e do shumë fort Allahun e Madhëruar. Melekët, gjithashtu, i duan besimtarët, sepse edhe Allahu i do besimtarët, duke i dalluar me dashurinë e Tij mes gjithë krijesave. Ata që Zoti i do, i veçon nga të tjerët, duke u dhuruar besimin, ndërsa të tjerët janë jashtë kësaj lidhjeje të ngushtë. Kështu, nga dashuria që kanë për besimtarët, melekët i luten Allahut për ta dhe përpiqen që t’i rregullojnë ata dhe punët e tyre. Lutja për dikë është nga shenjat më të qarta të dashurisë për të, sepse çdokush lutet për atë që e do. Allahu i Madhëruar e përcjell me imtësi lutjen e melekëve. Po të vërejmë me kujdes fjalën e Allahut: “ue jestagfirune ...” (kërkojnë falje), do të nxjerrim një mësim shumë të vyer, që na udhëzon se si të meditojmë mbi Librin e Tij. Lexuesi i Kur'anit nuk duhet të kufizohet vetëm në kuptimin e drejtpërdrejtë të tekstit e të fjalëve të tij, por duhet të mendojë për qëllimin dhe nënkuptimet e tyre. Kur robi e kupton drejt Kur'anin, mendja e tij arrin të kapë jo vetëm çështjen që thuhet drejtpërdrejt, por edhe ato që lidhen me të, pa të cilat ajo çështje nuk mund të arrihet, ashtu si edhe rrugët përmes së cilave ajo realizohet e plotësohet. Kjo ndodh derisa t’i krijohet bindja se ky ka qenë pikërisht qëllimi i Allahut të Madhëruar, ashtu sikurse është i bindur për kuptimin e drejtpërdrejtë të ajetit. Siguria e medituesit për qëllimin e Allahut të Madhëruar mbështetet në dy shtylla:
Së pari, te dituria e tij se i tillë është nënkuptimi i ajetit, pa të cilin edhe kuptimi i drejtpërdrejtë do të ishte i pamundur.
Së dyti, te fakti se Allahu i Madhëruar është i Gjithëditur dhe se Ai vetë i ka urdhëruar adhuruesit e Tij që të meditojnë thellë në Librin e Tij.
Allahu i Lartësuar e di shumë mirë se çfarë nënkuptojnë ajetet e Tij dhe na ka njoftuar se Libri i Tij është udhëzim, dritë dhe qartësim për çdo gjë. Libri i Tij është fjala më e qartë dhe qartësuese për gjithçka. Duke medituar në këtë libër madhështor dhe në mesazhet e shumta që ai përmban, çdokush mund të arrijë dituri të madhe dhe mirësi të shumta, në varësi të suksesit të dhënë nga Allahu i Madhëruar. Edhe në tefsirin tonë ka shumë meditime të tilla, dhe falënderimi i takon vetëm Allahut të Lartësuar. Në disa ajete, mesazhet e fshehura mund të mos dallohen menjëherë, por vetëm pas një meditimi të drejtë, të ndërtuar mbi rregulla të qarta. Prandaj ne e lusim Allahun e Madhëruar që të na i hapë mendjet tona dhe t’i bëjë ato të afta për të përfituar nga pafundësia e mëshirës së Tij gjithëpërfshirëse, të nxjerrim mësime të vyera nga ajetet e Tij të mrekullueshme, që ato të bëhen dritë e udhëzim për ne dhe të rregullojnë gjendjen tonë dhe të të gjithë muslimanëve. Ne nuk kemi shpresë tjetër, veç shpresës së madhe në Bujarinë e Tij. Ne ndërmjetësojmë tek Allahu me bamirësinë dhe bujarinë e Tij për të kërkuar mirësitë e Tij. Mirësitë e Tij janë të shumta dhe të panumërta mbi ne. Ne jetojmë mes mirësive të dhuruara prej Tij në çdo kohë e çast. E lusim Allahun Bujar të na dhurojë prej mirësive së Tij dhe të na ruajë nga ligësia e shpirtrave tanë, që bëhet pengesë dhe na largon nga mëshira e Tij. Ti, o Zoti im, je El Kerim - Bujari, El Xheuad - Bamirësi dhe El Uehhab – Dhuruesi! Ti i ke në dorë shkaqet dhe pasojat dhe gjithçka është thjesht dhuratë e bujari prej Teje. Gjithashtu, njeriu gjen gëzim e lumturi me njerëzit që ka më pranë: me gruan, fëmijët, shokët, miqtë e tij etj. Afërsia ose lidhja me njerëzit e mirë bëhet shkak që mirësia t’i afrohet dhe të zbresë edhe mbi të, edhe nëse robi vetë nuk e meriton me përpjekjet e tij. Kështu ndodh kur melekët luten për besimtarët dhe të afërmit e tyre besimtarë dhe punëmirë. Dikush mund të thotë se nga kjo lutje nuk mund të përfitojnë të gjithë, por vetëm ata që plotësojnë kushtet e përmendura në ajet, pasi i Lartësuari thotë: “...së bashku me të mirët prej etërve të tyre, bashkëshorteve të tyre dhe pasardhësve të tyre.” Kështu, këta të mirë i përfshin lutja e melekëve, për shkak edhe të punëve të tyre të mira. Pra, të afërmve nuk u vjen e mira pa asnjë sebep nga ana e atyre vetë.