Allahu i Lartësuar na kujton se, me butësinë dhe mëshirën e Tij për robërit, ai përcakton me masë të caktuar gjithçka nga mirësitë e kësaj dynjaje. Ai nuk ua shton pa kriter pasurinë e kësaj bote. Nëse Allahu do ta bënte këtë pa masë, në botë do të kishte shumë shkatërrime. Kështu, i Lartësuari thotë:
Sikur Allahu t’ua shtonte tej mase riskun robërve të Vet, ata do t’i kalonin kufijtë, ... -
Po të ndodhte ashtu, robërit do të tregoheshin të pavëmendshëm ndaj adhurimit të Allahut dhe bindjes ndaj Tij. Ata do të kërkonin gjithnjë e më tepër vetëm plotësimin e kënaqësive të tyre të shfrenuara. Ata do t’i përkushtoheshin plotësisht vetëm kësaj bote, edhe nëse kjo do t’i çonte në shkeljen e kufijve të Allahut të Madhëruar dhe në padrejtësi ndaj krijesave.
..., por Ai i furnizon me masën që dëshiron. Ai di dhe sheh gjithçka te robërit e Tij. -
Allahu i shpërndan mirësitë e kësaj bote me masën që Ai dëshiron, sipas butësisë dhe urtësisë së Tij. Ai e di shumë mirë se çfarë është e dobishme dhe çfarë është e dëmshme për robin. Sipas një rrëfimi të përcjellë deri tek ne, Allahu i Lartësuar ka thënë: “Me të vërtetë, ka nga robërit e Mi, imani i të cilëve rregullohet veçse duke qenë të pasur, prandaj nëse do t’i varfëroja, kjo do ta rrënonte imanin e tyre. Po ashtu, ka nga robërit e Mi, imani i të cilëve rregullohet veçse duke qenë të varfër, prandaj nëse do t’i pasuroja, kjo do ta rrënonte imanin e tyre. Gjithashtu, disa prej robërve të Mi u rregullohet imani veçse nëpërmjet sëmundjes, prandaj nëse do t’i shëroja, kjo do ta rrënonte imanin e tyre. Me të vërtetë, Unë i rregulloj çështjet e robërve të Mi, duke patur dijen Time të plotë rreth përmbajtjes së zemrave të tyre. Unë jam i Gjithëditur e Gjithëvështrues.”.