Për shkak se ata e thyen zotimin e dhënë, Ne i mallkuam ata dhe zemrat e tyre i bëmë të ashpra. -
Kuptimi: Për shkak të shkeljes së besës nga ana e tyre, Ne u dhamë disa ndëshkime, si më poshtë:
1. “..i mallkuam”, ose: “i larguam nga mëshira Jonë”. Ishin vetë ata që ia mbyllën vetes portën e mëshirës së Zotit. Ata nuk e plotësuan premtimin që i dhanë Zotit, dhe ky ishte shkaku më i madh i ndëshkimit të tyre të merituar.
2. “...dhe zemrat e tyre i bëmë të ashpra”, ose të ngurta, të tilla që nuk u bëjnë dobi këshillat dhe qortimet. Atyre nuk u bëjnë dobi ajetet dhe shenjat kërcënuese nga Zoti. Ata nuk mallëngjehen për shpërblimet që Ai ka përgatitur për të bindurit dhe besimtarët. Në zemrat e tyre nuk ka shpresë dhe as frikë. Zbrazja e zemrës nga të tilla ndjenja është nga ndëshkimet më të mëdha që mund ta godasin robin. Një zemër e zbrazur nga dashuria e malli për Zotin, nga shpresa për takimin me Të dhe për shpërblimin e Tij, nuk përfiton aspak nga udhëzimi i dhënë nga Zoti e nga mirësia e dhuruar prej Tij. Kjo lloj zemre thith vetëm ligësi dhe trishtim.
Ata i ndryshuan fjalët (në Libër) nga domethënia e tyre... -
Ata u sprovuan dhe filluan të ndryshonin dhe tjetërsonin fjalët e Zotit, duke i zëvendësuar ato me fjalë të tjera. Gjithashtu, ata u jepnin fjalëve të Zotit dhe Profetit shpjegime dhe kuptime që Zoti dhe Profeti i Tij kurrë nuk i dëshironin.
...dhe e braktisën një pjesë të madhe të asaj (shpalljes) me të cilën u këshilluan. -
Allahu i Lartësuar i udhëzoi me mësimet e Teuratit, që ia shpalli Musait a.s, por ata i harruan dhe shpërfillën ato. Harresa e tyre ishte në dy drejtime:
1. Harresë në drejtim të diturisë. Ata e harruan diturinë e Librit të Zotit, aq sa ajo humbi prej tyre. Shumë nga dituria që iu humbi nuk u gjend më, si ndëshkim nga Allahu i Drejtë dhe i Madhëruar kundër tyre.
2. Harresë në drejtim të punës me dijen. Ata harruan dhe e lanë zbatimin e dijes që e kishin. Atyre nuk iu dha sukses që të përmbushnin urdhrat hyjnorë.
Kështu, është plotësisht e drejtë që, kur ithtarët e Librit të mohojnë ndonjë gjë që e kanë të shkruar në librat e tyre, t’u thuhet: Kjo është një formë ndëshkimi që ju ka goditur.
Ti vazhdimisht do të vëresh tradhtinë e një pjese të tyre, përveç një pakice nga ata. -
Ata u sprovuan dhe morën një ves shumë të ulët, që ishte tradhtia ose pabesia. Tradhtia e tyre ishte kundër Zotit, profetit dhe besimtarëve. Pabesia më e madhe e tyre ishte fshehja e së vërtetës nga ata që i respektonin e vlerësonin, duke i lënë kështu të humbur në kufrin e tyre. Kjo është, sigurisht, një tradhti ndaj amanetit dhe pabesi e pashoqe. Këto ishin cilësitë e ulta të atyre të mjerëve dhe të të gjithë atyre që u përngjajnë. Çdokush që nuk zbaton urdhrat e Zotit dhe besën që ka dhënë, do të goditet patjetër nga dënimet e lartpërmendura, pra: do të mallkohet, do t’i ngurtësohet zemra dhe shpirti, do të bëhet prej atyre që shtrembërojnë fjalët e Zotit dhe nuk do t’i jepet sukses të gjejë të vërtetën. Ai, gjithashtu, do të harrojë detyrimet hyjnore dhe do të bëhet njeri i pabesë, që nuk e mban amanetin. E lus Allahun të na ruajë nga këto fatkeqësi! Kur flet për Shpalljen që ata të mjerë e harruan, Allahu i Lartësuar përdor fjalën ‘Hađh’ – “mirësi, fat”, duke thënë: “dhe e braktisën një pjesë të madhe të asaj (shpalljes) me të cilën u këshilluan.”. Pa dyshim, Shpallja e Zotit është mirësia më e madhe që mund t’i dhurohet një njeriu. Të kuptuarit e Shpalljes së Zotit dhe të punuarit me të është fati më i madh që mund të ketë një njeri. Çdo mirësi tjetër është prej mirësive të dynjasë, të cilat sigurisht që lypin mirënjohje, sikurse thotë i Lartësuari: “Ai (Karuni) doli para popullit të tij me gjithë stolinë e tij. Ata, që kishin synim jetën e kësaj bote, thanë: “Ah, të kishim pasur edhe ne si ajo (pasuri) që ka Karuni! Ai është, vërtet me fat të madh!” Por, ata të cilëve u ishte dhuruar dituri e vërtetë thanë: “Të mjerët ju! Shpërblimi i Allahut është shumë më i mirë për ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira; por këtë nuk mund ta arrijë askush përveç durimtarëve.” [Kasas 79, 80]. Ndërsa kur bëhet fjalë për mirësinë e madhe të besimit, i Madhëruari thotë: “E mira nuk mund të jetë e barabartë me të keqen. Largoje atë (të keqen) me çfarë është më e mirë, sepse atëherë, edhe ai, me të cilin ke njëfarë armiqësie, do të të bëhet mik i afërt. Mirëpo këtë nuk mund ta arrijë askush, përveç atyre që janë durimtarë; dhe askush, përveç atyre që kanë fat të madh.” [Fusilet 34, 35]. Më tej, Allahu i Lartësuar thotë: “... përveç një pakice nga ata...” - Pra, këta të përzgjedhur e mbajtën premtimin e dhënë Zotit, dhe Ai u dha sukses për të ecur në rrugën e drejtë.
Fali ata dhe, me butësi, tolero! Allahu i do ata që bëjnë mirë. -
Mos i ndëshko për veprat e tyre dhe për mundimin që të sjellin, por toleroji. Kjo është vërtet shenjë bamirësie, dhe Allahu i Lartësuar i do bamirësit. Bamirësia është një nivel i lartë adhurimi, kur robi e adhuron Allahun sikurse ta shihte Atë haptazi, sepse është i bindur që, edhe pse nuk e sheh, Allahu pa dyshim e sheh atë. Kjo është grada e bamirësisë në lidhje me adhurimet e përkushtuara ndaj Allahut të Madhëruar. Ndërsa në lidhje me krijesat, bamirësia ndaj tyre shprehet duke u përpjekur t’i ndihmosh ata në drejtim të fesë e besimit dhe në drejtim të dynjasë së tyre.