O ithtarë të Librit! Juve ju ka ardhur i Dërguari Ynë (Muhammedi), që ju sqaron shumë nga ajo që ju i keni fshehur prej Librit... -
Pasi tregoi për premtimet dhe besën e pambajtur nga çifutët dhe të krishterët në përgjithësi, veç një pakice të tyre, Allahu i Lartësuar i urdhëron ata për të besuar Muhamedin a.s. Allahu i Lartësuar u tregon një shenjë shumë të qartë, që tregon për vërtetësinë e profetësisë së Muhamedit a.s: ai bën të qarta shumë nga ato çështje që ata ua mbanin fshehur njerëzve, madje edhe njerëzve të thjeshtë të fesë së tyre. Në atë kohë, i vetmi burim për të njohur librat e shenjtë dhe porositë e profetëve ishin dijetarët çifutë e të krishterë, aq sa ata lejonin. Edhe vetë të përkushtuarit në dije nga njerëzit e thjeshtë mund të arrinin veçse aq sa u jepte kleri i tyre. Atëherë, në një situatë të tillë, u shfaq profeti i Zotit, Muhamedi a.s, dhe Kur’âni madhështor. Ai nuk dinte të shkruajë e të lexojë dhe nuk dinte ç’ishte libri dhe as imani, e, megjithatë, në Kur’ân përmenden shumë çështje që ata, me aq kujdes, i fshihnin nga njerëzit. Atëherë, si e mori këtë njohuri të fshehtë? Pa dyshim kjo qe një provë shumë e fortë, që vërtetonte se Muhamedi (a.s)ishte profeti i Zotit. Ndër faktet e fshehura prej dijetarëve çifutë e të krishterë ishin edhe shenjat dalluese të Profetit të Fundit në librat e tyre dhe njoftimi i profetëve për ardhjen e tij, ligji i gurëzimit në Teurat etj.
...e që për shumë të tjera, ai fal. -
Disa çështje të tjera ai nuk i sqaroi, sepse kështu e kërkonte urtësia.
Juve ju erdhi nga Allahu dritë dhe libër i qartë. -
Kuptimi: Juve ju erdhi Kur’âni prej Allahut, nëpërmjet të cilit ju ndriçoheni, për të gjetur rrugën në errësirat e paditurisë dhe humbjes. Ai është, sikurse ka thënë Allahu i Lartësuar: “Kitabun mubin” - “libër i qartë”. Ai është qartësuesi i të gjitha çështjeve për të cilat keni nevojë, që kanë lidhje me fenë dhe dynjanë tuaj. Ai ju sqaron gjithçka në lidhje me njohuritë për Allahun, emrat, cilësitë dhe veprat e Tij; sqaron ligjet e vendosura prej Allahut, ashtu si edhe shpërblimin apo ndëshkimin e Tij. Pastaj Allahu i Lartësuar na tregon se cilët janë ata që përfitojnë udhëzimin prej këtij libri dhe çfarë kushti duhet të përmbushet për t’u arritur ky udhëzim: