Asnjë shikim nuk mund ta përfshijë Atë. Por është Ai që i përfshin të gjitha shikimet. -
Kjo ndodh për shkak të madhështisë, lartësisë dhe plotësisë së Allahut të Madhëruar. Atë nuk mund të përfshijnë vështrimet e krijesave, edhe pse mund të vështrojnë fytyrën e Tij dhe të lumturohen me të (në Xhenet). Fakti që krijesat nuk mund ta përfshijnë Allahun me vështrimin e tyre nuk mohon mundësinë e shikimit të Tij nga ana e tyre, madje nëse e kuptojmë mirë, e pohon atë. Nëse mohohet gjithëpërfshirja e vështrimit, kjo tregon se ekziston mundësia e vështrimit të pjesshëm. Nëse do të mohohej mundësia për ta parë Atë, do të thuhej: “La terâhul ebŝâr” - “nuk e shohin shikimet” dhe jo: “La tudrikuhul ebŝâr” - “nuk e përfshijnë shikimet”. Kështu, ky ajet nuk mbështet mendimin e gabuar të mohuesve të cilësive të Zotit (el muat-tile), të cilët nuk e pranojnë faktin se besimtarët do ta shohin Zotin e tyre në ahiret. Madje, sikurse thamë, ky ajet dëshmon të kundërtën e mendimit të tyre. Dituria e Allahut përfshin të shfaqurën dhe të fshehurën, dëgjimi i Tij përfshin zërat e shfaqur dhe ato të fshehur, shikimi i Tij përfshin çdo gjë, e madhe apo e vogël qoftë, siç thotë Ai më pas:
Ai është Mëshirëmadh (i Butë) dhe Di hollësisht gjithçka. -
Dituria e Allahut është shumë e thellë dhe e detajuar. Ai di imtësisht çdo të fshehtë, të padukshme, të mbuluar dhe të pashfaqur. Ndërsa nga butësia e Tij, Allahu e udhëzon dhe drejton robin që të arrijë e të realizojë çdo mirësi dhe dobi në drejtim të fesë dhe besimit. Ai i rregullon çështjet e fesë dhe të besimit të robit me rrugë e mënyra që robi nuk i ndjen e kupton aspak, e aq më pak të përpiqet për t’i planifikuar e realizuar ato. Kështu, Allahu i Mëshirshëm dhe i Butë e udhëzon dhe drejton robin drejt lumturisë së përjetshme, drejt suksesit final (felâĥ), pa e ndier dhe hetuar robi fare një gjë të tillë. Madje, në funksion të këtij qëllimi të mrekullueshëm, i Madhëruari përcakton vështirësi ose gjëra të dhimbshme dhe të urryera për robin, që ai ta lusë dhe t’i përgjërohet Allahut që t’ia largojë ato. Allahu i përcakton këto gjëra, sepse e di shumë mirë se kjo është më e mirë për robin dhe se përsosmëria e tij arrihet veçse në këtë mënyrë. Subĥânallâh! I Lartësuar dhe i Pastër nga çdo e metë është Allahu, që është i Gjithëditur, i Butë, I Gjithmëshirshëm, dhe Mëshirëplotë për besimtarët.