Ata betohen fuqishëm në Allahun se, nëse u vjen ndonjë Shenjë (e veçantë), do ta besojnë. -
Idhujtarët, të cilët nuk e besonin Muhamedin (a.s)si profet, bënë betime të mëdha se, nëse ai do t’u tregonte ndonjë mrekulli, ata do ta besonin Shpalljen që ai përcillte. Në fakt, ky ishte thjesht justifikim për mosbesimin e tyre. Nuk ka dyshim se Allahu i Madhëruar e mbështeti Profetin e Tij me mrekulli të shumta dhe shenja të qarta. Madje, do të ishte mëse i mjaftueshëm vetëm një vëzhgim i shpejtë dhe i shkurtër mbi ato fakte, për të gjykuar mbi vërtetësinë e Muhamedit (a.s)dhe të Shpalljes që ai solli nga Zoti i tij. Për këtë arsye, kërkimi nga ana e tyre i mrekullive ishte thjesht një arrogancë e këmbëngulje në të kotën. Ata nuk meritonin përgjigje për kërkesat e tyre, madje edhe për ta ishte më mirë që të mos merrnin përgjigje. Allahu i Madhëruar na ka treguar se kështu ka ndodhur gjithmonë me popujt e parë. Kur profetët sillnin nga Zoti shenjat e kërkuara nga vetë populli zullumqar, këta të fundit nuk kanë besuar, por përsëri kanë vazhduar me mohimin dhe shfrenimin e tyre, prandaj edhe ndëshkimi bëhej i pashmangshëm dhe i menjëhershëm mbi ta. Më pas, i Lartësuari thotë:
Thuaju: “Të gjitha Shenjat janë në dorën e Allahut”. -
Është Allahu i Madhëruar Ai që i sjell shenjat dhe mrekullitë kur Ai dëshiron. Është Ai, gjithashtu, që i pengon të ndodhin ato, kur Ai dëshiron. Unë, si profet, nuk kam asgjë në dorë për këtë çështje e për asnjë çështje tjetër. Kësisoj, kërkesa që më drejtoni mua është e gabuar dhe e padrejtë. Ajo është një kërkesë për diçka që unë nuk kam mundësi ta jap nga vetja ime. Ajo që duhet të më kërkoni mua është veç qartësimi i plotë i të vërtetës dhe mesazhit të Zotit, që ju ta besoni atë, dhe ky sqarim është bërë në mënyrën më të plotë. Megjithatë, nuk është e sigurt që, edhe sikur të vijnë ato mrekulli që kërkoni, ju të besoni. Madje, mundësia më e madhe ishte që ata nuk do të besonin, siç thotë i Lartësuari:
Por ku mund ta dini ju se edhe sikur t’u vijnë Shenjat (e veçanta), ata përsëri nuk do të besojnë. -
Ashtu sikurse ka ndodhur gjithmonë, ju nuk do të besoni, edhe kur t’ju vijnë shenjat që kërkoni.