Mos iu afroni pasurisë së jetimit, veçse në mënyrën më të mirë, derisa ai të arrijë pjekurinë! -
Allahu i Lartësuar na ndalon nga cenimi i pasurisë së jetimit, me çfarëdolloj rruge dhe mënyre të bëhet ajo. Pasurisë së tij duhet t’i afrohemi, ashtu sikurse thotë Allahu i Lartësuar: “veçse në mënyrën më të mirë”, pra, vetëm me mënyra që e rregullojnë atë pasuri dhe që i sjellin dobi atij. Nuk lejohet kurrsesi t’i afrohesh asaj pasurie ose të bësh veprime me të që e dëmtojnë jetimin, madje as me mënyra që nuk sjellin as dëm e as dobi. Kjo pasuri mbahet nga kujdestari ligjor deri në kohën kur, ashtu sikurse thotë Allahu i Lartësuar: “...ai të arrijë pjekurinë”, pra, deri sa të arrijë moshën e përgjegjësisë ligjore, por edhe pjekurinë e mjaftueshme dhe aftësinë për të vepruar drejt me pasurinë e tij. Kur të arrijë këtë nivel pjekurie, atij i dorëzohet pasuria për të vepruar në të si ta shohë ai më të dobishme. Nga ajeti kuptohet se jetimi, deri në moshën e pjekurisë, e ka të kufizuar të drejtën për të vepruar me pasurinë e tij. Çdo veprim i tij me pasurinë e vet është i pavlefshëm ligjërisht. Kjo e drejtë i takon me ligj kujdestarit të tij. Ky kufizim përfundon me arritjen e moshës dhe pjekurisë së lartpërmendur.
Masni dhe peshoni me drejtësi! -
Allahu i Lartësuar na urdhëron që të masim, të peshojmë dhe të plotësojmë detyrimet ndaj të tjerëve me drejtësi dhe paanshmëri të plotë. Nëse përpiqemi maksimalisht për të realizuar këtë porosi, duhet të dimë se:
Ne nuk ngarkojmë asnjë njeri përtej mundësive të veta. -
Allahu i Lartësuar nuk na ngarkon të veprojmë atë gjë të cilën nuk kemi mundësi ta kryejmë apo që na sjell vështirësi të papërballueshme. Çdokush që përpiqet maksimalisht dhe me pastërti për të qenë korrekt në matje dhe peshim ose, në përgjithësi, në plotësimin e detyrimeve ndaj të tjerëve, nëse ndodh ndonjë gabim pa dashje dhe pa qëllim dhe jo për shkak të pakujdesisë së tij, ose ndodh nga padituria, ta dijë se Allahu i Lartësuar është Falës dhe Mbulues i të metave. Dijetarët e jurispudencës islame mbështeten në këtë ajet për të vërtetuar se Allahu i Lartësuar nuk ngarkon asnjë me diçka të papërballueshme. Gjithashtu, ata kanë thënë se, nëse dikush tregon devotshmëri ndaj Allahut dhe përmbush ato porosi të Tij që ai ka mundësi t’i përmbushë, për të nuk ka gjynah dhe përgjegjësi për mosplotësmin e asaj pjese që nuk ka mundësi ta kryejë.
Kur të flisni, duhet të jeni të drejtë, edhe kur çështja është për të afërmit tuaj. -
Kur të flisni e të gjykoni njerëzit, kur të ndani të drejtat e tyre ose kur të dëshmoni për ta, bëjeni këtë me vërtetësi dhe drejtësi të plotë! Thoni vetëm fjalë, gjykime e dëshmi të drejta dhe të vërteta, qoftë për ata që i doni, qoftë për ata që i urreni! Mbani drejtësi dhe paanësi dhe kurrë mos fshihni ndonjë dëshmi apo të drejtë! Mos lini pa përmendur asgjë që duhet përmendur dhe zbuluar! Njëanshmëria dhe keqtransmetimi i fjalëve të kundërshtarit konsiderohet si një padrejtësi, e cila është haram. Madje, nëse një dijetar flet rreth fjalëve dhe gjykimeve të gabuara të bidatçinjve duhet që secilit t’i japë hakun që i takon, duke mos e tepruar kundër tyre me fjalë të paqarta, që i rëndojnë ata më shumë sesa e mertojnë. Ai duhet të shtjellojë qartësisht të vërtetat dhe të gabuarat në qëndrimet e tyre. Juristët thonë se gjykatësi e ka detyrë që të mbajë drejtësi mes palëve në gjykim qoftë me fjalët e tij, qoftë me sjelljen e tij.
Plotësojini zotimet që i bëni Allahut! -
Këtu bëhet fjalë si për zotimet ndaj Allahut që kanë lidhje me plotësimin e detyrimeve ndaj Tij, qoftë për zotimet dhe marrëveshjet e lidhura mes krijesave. Të gjitha këto premtime është detyrë të plotësohen rigorozisht dhe saktësisht. Nuk lejohet aspak thyerja, cenimi apo mosplotësimi i tyre në formën e kërkuar.
Këto janë porositë e Tij, me qëllim që ju të kujtoni. -
Këto janë porositë e Allahut për ju. Nëpërmjet tyre, ju mësoni e përkujtoni se çfarë ju sjell dobi dhe mirësi. Kjo është nxitje për të përkujtuar sa më shumë porositë e Allahut të Madhëruar, sepse do t’ju ndihmojë që ju të përkushtoheni më shumë në plotësimin e tyre. Me studimin dhe kujtimin e vazhdueshëm të këtyre porosive, ju do të jeni gjithmonë në gjendje t’i zbatoni ato, por edhe të kuptoni urtësitë e Tij të pakufishme të fshehura pas tyre. Pasi tregoi disa prej porosive më të rëndësishme, Allahu i Madhëruar i përforcon ato me një porosi tjetër më gjithëpërfshirëse, duke thënë: