Vallë, a mos po presin tani t’u vijnë melekët ose Vetë Zoti yt ose të vijnë disa nga Shenjat e Zotit tënd? -
Çfarë presin këta zullumqarë, që vazhdojnë të zhyten në padrejtësitë e tyre? Mos presin që t’u vijnë shenjat pararendëse të ndëshkimit dhe tregueset e afrimit të Kijametit? Apo presin që t’u vijnë melekët për t’u marrë shpirtrat, kohë kur nuk do t’u bëjnë më dobi besimi dhe veprat e mira? Apo po presin që t’u vijë Zoti për të gjykuar me drejtësinë e Tij, për të shpërblyer punëmirët dhe për të ndëshkuar punëkëqijtë? Apo po presin që t’u vijnë disa nga shenjat e Zotit tënd, që tregojnë afrimin e Kijametit? Por ditën kur të vijnë disa nga shenjat e jashtëzakonshme nga Zoti yt, që tregojnë se Ora është afruar dhe Kijameti është gati të ndodhë, atëherë qafirit nuk ka për t’i sjellë dobi besimi, nëse thotë se beson, dhe as besimtarit të mangët nuk ka për t’iu shtuar imani dhe mirësia e tij. Njeriut do t’i bëjnë dobi vetëm besimi dhe punët e mira që ka pasur përpara ardhjes së këtyre shenjave.
Ditën kur të vijnë shenja të caktuara të Zotit tënd, askujt nuk do t’i vlejë besimi, nëse nuk ka besuar më parë ose nëse nuk ka bërë asnjë të mirë prej besimit të tij. -
Urtësia e këtij vendimi është shumë e qartë: besimi i dobishëm dhe frytsjellës është kur beson të fshehtën me zgjedhje të lirë. Ndërsa besimi që vjen pas shikimit të shenjave të mëdha është thjesht konfirmim i diçkaje të dukshme e të shfaqur, dhe si i tillë nuk është i dobishëm. Ky është më tepër besim në gjendje të detyruar, sesa me zgjedhje të lirë, siç ndodh, për shembull, me ata që janë duke u mbytur apo duke u djegur, të cilët kur shohin vdekjen, heqin dorë nga rruga e keqe, sikurse thotë i Madhëruari: “E kur të shohin dënimin Tonë, do të thonë: “Dhe kur e panë Dënimin Tonë, thanë: “Ne i besojmë Allahut, që është Një dhe i mohojmë ata që i adhuronim veç Tij”. Por besimi i tyre pasi panë dënimin Tonë, nuk u bëri dobi. I tillë është ligji i Allahut që ka vepruar ndaj robërve të Tij. Dhe kështu u shkatërruan mohuesit e Allahut.” [Gafir 84, 85]. Janë të shumta hadithet e sakta nga Profeti (a.s)që tregojnë se, me: “disa shenja të Zotit tënd” është për qëllim ngjarja e lindjes së diellit nga perëndimi. Kur njerëzit ta shohin atë shenjë të madhe, do të besojnë të gjithë, por ky iman nuk ka për t’u bërë dobi. Ajo është dita kur “porta e pendimit” do të mbyllet. Këto ajete jenë një kërcënim për ata që mohojnë Profetin a.s. Ashtu sikurse ata presin që Profetit (a.s) dhe besimtarëve t’u ndodhin fatkeqësira, ashtu edhe ky kërcënim është në pritje të tyre. Prandaj i Madhëruari thotë:
Thuaj: “Prisni, sepse edhe ne jemi duke pritur!” -
Atëherë do ta kuptoni se kujt i takon të jetë i sigurt dhe i qetë. Ky ajet dëshmon për saktësinë e besimit të Ehli Sunetit, të cilët pohojnë për Allahun ato emra, atribute dhe përshkrime që Ai i ka pohuar për Veten e Vet, mes të cilave edhe ardhja e Tij, zbritja e Tij, lartësimi i Tij mbi Arsh etj. Sigurisht që këto përshkrime, të cilat i gjen shpesh në Kur'an dhe Sunet, ne i besojmë ashtu sikurse janë thënë, pa bërë asnjë përgjasim e shëmbëllim me atributet dhe veprat e krijesave. Ajetet tregojnë për urtësinë e madhe të Allahut të Madhërishëm dhe për rregullin e Tij që besimi i dobishëm dhe i pranueshëm është ai që bëhet me zgjedhje të lirë nga njeriu dhe jo i detyruar nga kushtet ose nga dëshmimi i shenjave të mëdha të Kijametit, sikurse u tha më sipër. Njeriu i arrin dhe i kultivon mirësitë nëpërmjet besimit të tij. Devotshmëria, bindja ndaj Zotit dhe veprat e mira janë të pranuara vetëm nëse burojnë nga një besim i saktë. Nëse zemra nuk ka asgjë nga ky besim, njeriut nuk do t’i vlejë asnjë vepër e tij e mirë.