Allahu i Madhëruar e mëson Profetin e Tij se çfarë t’u thoshte atyre që e refuzonin si profet. Ata i kërkonin shenja e mrekulli sipas tekave të tyre, madje thoshin se ai i ftonte që të adhuronin atë si Zot, së bashku me Allahun. Kështu, Allahu i Madhëruar thotë:
Thuaju: “Unë nuk ju them se kam në zotërim Thesaret e Allahut, as nuk mëtoj se i di fshehtësitë...” -
Kuptimi: Unë jam thjesht një njeri i dërguar nga Zoti dhe nuk kam pretenduar ndonjëherë se zotëroj çelësat e depove dhe të mëshirës së Zotit. As nuk pretendoj se di të fshehtën. Të gjitha këto janë vetëm në dorën e Zotit. Nëse Ai dëshiron që të hapë rrugën e mëshirës për njerëzit, askush nuk mund ta pengojë apo ta mbyllë atë rrugë, e nëse Ai dëshiron t’i ndalojë të mirat, askush nuk mund t’i ofrojë ato. Allahu është njohësi i të shfaqurës dhe i të fshehtës. Ai ka shfaqur pjesë të së fshehtës vetëm për ata që Ai i ka zgjedhur si profetë dhe me të cilët është i kënaqur.
... e as nuk ju them se jam melek. -
Nuk jam melek, që të kem fuqi të madhe, aq sa të bëj ato që dua me forcën time. Unë nuk pretendoj ndonjë gradë sipër asaj që më ka vendosur Zoti im.
Unë ndjek vetëm atë që më shpallet. -
Ky është edhe qëllimi im më i lartë. Unë nuk jam gjë tjetër, veçse pasues besnik i asaj që më shpallet nga Zoti im. Unë e zbatoj vetë këtë Shpallje dhe ftoj të tjerët që të jetojnë sipas saj. Atëherë, nëse kjo është grada ime dhe ky është realiteti im, çfarë kërkojnë ata që flasin për mua? Përse më atribuojnë gjëra që unë kurrë nuk i pretendoj? Si mund të më gjykojnë për diçka që nuk e pretendoj? A nuk duhet të gjykohet njeriu veçse për atë që beson dhe vepron? Përse, kur unë ju ftoj të besoni dhe të jetoni sipas asaj që më shpallet, ju më akuzoni se po ju ftoj që të më nënshtroheni dhe të më adhuroni mua? Përse më akuzoni që pretendoj se jam më lart se grada që më ka vendosur Zoti im? A nuk është kjo një sjellje arrogante nga ana juaj, si edhe përpjekje për të justifikuar mosbesimin tuaj? Për të qartësuar dallimin mes atyre që pasojnë Shpalljen e Zotit dhe atyre që nuk veprojnë kështu, thuaju:
Thuaju: “A është njëlloj i verbri me atë që sheh? A nuk mendoni?” -
Mendohuni pak rreth kësaj, për t’i vlerësuar gjërat ashtu siç janë dhe zgjidhni për veten tuaj atë që e gjykoni si më të drejtë për t’u pasuar! Nëse meditoni thellë, do ta shikoni qartë të vërtetën.