Është Ai, që u dërgoi të paditurve Profet nga mesi i tyre, që t’u lexonte ajetet e Tij, t’i pastronte ata, t’u mësonte Librin dhe Urtësinë, kur më parë ata ishin në humbje të plotë;... –
“Të palexuarit” ishin ata të cilëve nuk u kishte zbritur ndonjë libër qiellor dhe nuk kishin as gjurmë prej shpalljeve hyjnore ose, me fjalë të tjera, që nuk ishin ithtarë të Librit. Kështu, Allahu i Lartësuar u dhuroi atyre një mrekulli, një mirësi më të madhe se çdo mirësi që u pati dhënë të tjerëve, sepse ata ishin krejtësisht të humbur në padituri dhe larg çdo të mire. Arabët ishin në një humbje të thellë asokohe, duke adhuruar pemët, gurët e putat. Mund të thuhet me të drejtë se ata ishin si egërsira pylli, ku i forti hante të dobtin dhe tërësisht injorantë rreth profetëve. Pas gjithë kësaj gjendjeje, Allahu i Lartësuar zgjodhi një profet nga gjiri i tyre, të cilit ata ia njihnin prejardhjen, virtytet dhe, sidomos, sinqeritetin. I Lartësuari e zgjodhi profetin Muhamed (a.s.) për t’i shpallur Librin e Tij, që ai t’ua përcillte më pas atë të tjerëve, duke u kënduar ajetet e qarta, që mbushën zemrat me besim, bindje dhe siguri të plotë. Nëpërmjet kësaj Shpalljeje, ai do të pastronte shpirtrat e tyre, për t’i pajisur me virtytet më të larta. Ai do t’i edukonte shpirtrat e humbur me cilësitë më të mrekullueshme, duke u mësuar çdo mënyrë, fjalë dhe vepër për të arritur këtë qëllim. Ai do t’i pastronte nga cilësitë, fjalët e veprat e ndyra, duke i pajisur me dije. Profeti Muhamed (a.s.) u mësoi njerëzve Librin dhe Urtësinë, domethënë, Kur'anin dhe Traditën profetike, mësime që përfshinin njohuritë e të parëve dhe të fundit. Pas këtij edukimi me dituri të madhe dhe të vërtetë, pas pastrimit dhe lartësimit të shpirtrave të tyre, ata u kthyen në njerëzit më të ditur. Madje, ata u bënë krerët e të mençurve dhe të urtëve, të pajisur me fenë më të plotë. Ata u bënë njerëzit me moralin më të lartë, plot fisnikëri dhe urtësi. Ata ndoqën udhën e drejtë me përpikmëri për veten e tyre, por u bënë edhe udhëzues të të tjerëve. Ata u bënë imamët e të udhëzuarve në rrugën e drejtë dhe udhëzues të besimtarëve. Profeti Muhamed (a.s.) dhe Shpallja hyjnore ishin mirësitë më të mëdha që Allahu i Lartësuar u dhuroi këtyre njerëzve.