Çdo fatkeqësi ndodh veçse me lejen e Allahut. Kush i beson Allahut, Ai ia udhëzon zemrën. Allahu di gjithçka. -
Ajeti flet për të gjitha llojet e fatkeqësive: ato që na ndodhin në veten tonë, në pasuri, në fëmijë, në të dashurit dhe në çdo aspekt tjetër. Çdo gjë që e godet robin ndodh me përcaktimin dhe lejimin e Zotit. Allahu i Madhëruar e ka ditur që më parë gjithçka që do të ndodhte dhe këtë dituri absolute të Allahut e shkroi lapsi i Tij. Atë që lapsi i Tij e shkroi, Allahu i Madhëruar e krijoi në realitet, duke e renditur saktësisht dhe duke e bazuar në urtësinë e Tij të plotë për gjithçka. Vallë, a është në rregull njeriu në raport me këtë çështje të rëndësishme të besimit apo jo? Është e ditur se Allahu i Lartësuar i ka lënë çdokujt mundësi të lirë zgjedhjeje, nga njëra anë, dhe ka premtuar për ata që zgjedhin të mirën dhe përpiqen për të se do t’i ndihmojë dhe udhëzojë në më të mirën, nga ana tjetër. Nëse robi kryen atë që kërkohet prej tij, ai do të fitojë shpërblimin e madh dhe mirësi të shumta në dynja dhe ahiret. Nëse robi beson se gjithçka që ndodh në këtë dynja, qoftë ato që na gëzojnë, qoftë ato që na hidhërojnë, ndodhin me lejen dhe përcaktimin e Allahut të Urtë, atëherë ai i pranon ato dhe kënaqet me përcaktimin e Allahut. Nëse robi iu bindet porosive të Tij, atëherë Allahu i Lartësuar ka për t’ia udhëzuar zemrën. Rrjedhimisht, ky njeri do të jetë tërësisht i qetë dhe i përmbajtur gjatë sprovave të vështira, ndryshe nga ç’ndodh me ata që Zoti nuk ua ka udhëzuar zemrat. Të udhëzuarit janë të qëndrueshëm që në momentet e para kur godet sprova dhe, në këtë mënyrë, përveç shpërblimit të madh që Zoti i Lartësuar u jep në këtë dynja, ata rezervojnë një shpërblim të pamatë për Ditën e Llogarisë. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: “O robërit e Mi që keni besuar! Kijeni frikë Zotin tuaj! Ata që bënë mirë në këtë jetë, do të kenë mirësi. E gjerë është Toka e Allahut. Durimtarëve do t’u jepet shpërblim pa masë.” [Zumer 10]. Nga kjo kuptohet se kush nuk beson në kaderin e Zotit gjatë goditjes së fatkeqësive, por bazohet tërësisht vetëm në vëzhgimin e shkaqeve dhe pasojave, ai ka për të humbur i pashpresë, sepse Zoti i Lartësuar ka për ta lënë atë të mbështetet te vetja. Dihet se, nëse robi nuk ka mbështetetje tjetër veç vetvetes, për të do të ketë veç ankth, frikë dhe dëshpërim. Këto janë pjesë e ndëshkimit të dynjasë, para ndëshkimit të ahiretit. Këto ndëshkime janë tërësisht të meritueshme, për shkak të mungesës së durimit ndaj kaderit të Zotit. Ndërsa po ta shohim ajetin në një spektër më të gjerë, dalim në përfundimin se: çdokush që beson gjithçka që është urdhëruar të besohet, siç është besimi në Allahun e Lartësuar, në melekët e Tij, shpalljet e Tij, profetët e Tij, Ditën e Gjykimit, dhe në caktimin e të mirës dhe të keqes prej Tij, dhe më pas e vërteton këtë besim me veprat përkatëse, atëherë ky njeri ka plotësuar kushtin kryesor që Allahu i Lartësuar t’ia hapë zemrën për udhëzimin e drejtë. Me fjalë të tjera, nga robi kërkohet që ai të besojë gjithçka që duhet besuar, duke u bazuar në dijen e saktë dhe të sigurt të sjellë nga Shpallja e Allahut dhe të punojë me sinqeritet sipas këtij besimi. Nëse ai e bën këtë, Allahu i Lartësuar ka për t’i dhuruar udhëzimin e drejtë, duke e ndihmuar dhe forcuar që të rregullojë dhe përsosë gjendjen, fjalët dhe veprat e tij. Ky është shpërblimi më i mirë që Allahu i Lartësuar u jep besimtarëve, ashtu sikurse na e ka bërë të ditur këtë fakt shumë herë në Kur'an. Qëndrueshmëria e zemrës gjatë sprovës kalitet nëpërmjet sigurisë së plotë në premtimin e Allahut, i Cili thotë: “Allahu i forcon besimtarët me Fjalën e fortë, në jetën e kësaj bote dhe në Botën Tjetër; ndërsa të padrejtët Allahu i lë në humbje. Allahu bën gjithçka që dëshiron.” [Ibrahim 27]. Kështu, besimtarët e vërtetë janë njerëzit me zemrën më të qetë dhe më të qëndrueshme gjatë sprovave dhe përballjeve të vështira. Ata janë njerëzit më të mençur, më të urtë dhe më të përmbajtur, për shkak të imanit që mbush zemrat e tyre.