Bëhuni të devotshëm ndaj Allahut sa të mundeni,... -
Allahu i Lartësuar na urdhëron për devotshmëri ndaj Tij. Devotshmëria realizohet me kryerjen e urdhëresave dhe largimin nga haramet, me dashuri, madhërim dhe nënshtrim ndaj Allahut të Lartësuar. Urdhrin për devotshmëri Allahu i Lartësuar e ka lidhur ngushtë me mundësinë dhe fuqinë tonë për ta realizuar atë. Ai na ka urdhëruar të jemi të devotshëm sa të kemi mundësi dhe fuqi, jo jashtë mundësive tona. Ky ajet tregon, gjithashtu, se për çdo detyrim të Sheriatit që robi nuk ka mundësi dhe fuqi ta zbatojë, ai nuk do të merret në përgjegjësi. Nga ana tjetër, nëse robi ka mundësi që të realizojë një pjesë të detyrimit, por nuk ka mundësi ta realizojë pjesën tjetër, ai duhet ta kryejë patjetër atë që ka mundësi. Për pjesën tjetër ai është i justifikuar dhe nuk merret në përgjegjësi. Kjo i ngjan thënies së Profetit (a.s): “Nëse ju urdhëroj për diçka, zbatojeni aq sa keni mundësi!”. Ky rregull i Sheriatit vlen për një mori çështjesh të Sheriatit.
...dëgjoni, binduni dhe shpenzoni për bamirësi! -
Allahu i Lartësuar urdhëron për disa gjëra, të cilat, nëse zbatohen, Ai premton el felah-un, domethënë, fitoren e madhe, arritjen e çdo mirësie dhe shpëtimin nga të këqijat. Allahu i Lartësuar thotë së pari:
Dëgjoni! –
Pra, dëgjoni këshillat, qortimet dhe paralajmërimet që Allahu ju jep. Dëgjoni ligjet që Zoti ju ka caktuar për të jetuar sipas tyre! Dëgjoni diturinë e dobishme dhe të vërtetë, me qëllimin që të bindeni dhe të punoni sipas saj me sinqeritet për Allahun!
Binduni! -
Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij në të gjitha porositë e tyre, të cilat janë udhëzimi më i mirë dhe rruga e vetme për rregullimin e çështjeve tuaja!
Shpenzoni! -
Shpenzoni për hir të Allahut, qoftë duke bërë shpenzimet e detyrueshme, të urdhëruara nga Allahu, qoftë shpenzimet e pëlqyeshme e vullnetare. Pa dyshim, kjo është gjëja më e mirë për ju, qoftë në lidhje me mbarësinë në jetën e dynjasë, qoftë në lidhje në përfundimin e mirë në ahiret.
Kjo është në të mirën tuaj. -
Nuk ka dyshim se e gjithë mirësia është e lidhur ngushtë me zbatimin e porosive të Allahut të Lartësuar dhe nënshtrimin ndaj ligjit të Tij. Nga ana tjetër, e gjithë e keqja vjen nga moszbatimi i porosive të Allahut të Lartësuar dhe mosnënshtrimi ndaj ligjit të Tij. Por është një faktor, i cili pengon shumë njerëz që të bëjnë shpenzimet e detyrueshme. Ky është vesi i koprracisë, që karakterizon shumicën e njerëzve. Ajo i bën njerëzit që të dëshirojnë gjithçka për vete dhe të urrejnë ndarjen e pasurisë së tyre me të tjerët. Për ata që Allahu i Lartësuar i ka ruajtur nga koprracia, të cilët shpenzojnë lirshëm në fushat e mirësisë, thuhet:
Kush i ruhet koprracisë së vetes, është i shpëtuar. -
Ata janë të shpëtuar dhe të fituar, sepse arrijnë të gjitha gjërat e mira që dëshirojnë dhe shpëtojnë nga çdo gjë së cilës i druhen. Ky ajet nuk bën fjalë vetëm për shpenzimin në rrugën e Allahut, por ai është nxitje për të zbatuar me përpikmëri çdo urdhër të Allahut të Lartësuar dhe të Profetit të Tij. Arsyeja është se kur shpirti i njeriut është i mbushur me koprraci, ai nuk bindet për asnjë porosi hyjnore. Koprracia e mban robin të prangosur, duke e privuar atë nga shumë të mira, të dynjasë dhe të ahiretit, dhe duke e bërë atë të harrojë edhe vetveten. Nga ana tjetër, nëse shpirti i njeriut është i çliruar nga koprracia, nëse është i qetë dhe plot besim në dobitë dhe mirësitë që sjell zbatimi i ligjeve të Zotit, nëse ai synon që të kënaqë Zotin e Lartësuar, madje e bën këtë lajtmotivin e jetës së tij, atëherë atë nuk e pengon asgjë nga veprat e mira, qoftë në kryerjen e detyrimeve, mes të cilave edhe shpenzimi në rrugët e mirësive, qoftë në largimin nga haramet. Mjafton që ai të mësojë një porosi të Zotit apo të Profetit, dhe ai menjëherë nxiton që ta kryejë atë me të gjitha mundësitë e tij, sepse e di se zbatimi i saj e kënaq Zotin e Lartësuar. Të tillë adhurues do të fitojnë çdo mirësi të premtuar nga Zoti i Lartësuar dhe do të jenë të sigurt nga çdo e keqe apo ndëshkim. Pastaj Allahu i Lartësuar vijon të inkurajojë në mënyrë të veçantë dhe të theksuar për shpenzimin në rrugën e Tij. Ai thotë: