Kush bëhet i devotshëm ndaj Allahut, Ai i jep rrugëzgjidhje për gjithçka dhe e furnizon prej nga nuk e pret. -
Duke qenë se divorci sjell shqetësim, trishtim e ngushtim për robin, Allahu i Lartësuar urdhëron për devotshmëri ndaj Tij. Ai na urdhëron që, edhe në këtë gjendje të vështirë, të përkushtohemi në zbatimin e porosive të Tij. Nëse burri e kryen divorcin brenda normave të Sheriatit, ashtu siç u përshkrua më lart, atëherë ai ka hapësirë zgjedhjeje, pasi edhe mund ta kthejë këtë vendim, nëse ndërron mendje. Atij që vepron në këtë mënyrë, Allahu i Lartësuar ka për t’i sjellë çlirim, lehtësim e rrugëdalje nga vështirësia. Edhe pse ajeti flet veçanërisht për divorcin, më i rëndësishëm është aspekti gjithëpërfshirës i tij. Në këtë mënyrë, ajeti tregon që çdokush që i frikësohet Allahut, duke qëndruar brenda kufijve të Tij për çdo çështje, duke synuar me këtë arritjen e kënaqësisë së Allahut të Lartësuar, do të shpërblehet nga Ai me plot të mira në dynja dhe në ahiret. Ndër shpërblimet që Allahu i Lartësuar premton për devotshmërinë është edhe çlirimi, lehtësimi ose rrugëdalja në çdo situatë të rëndë. Ashtu sikurse ai që i frikësohet Allahut do të gjejë çlirim dhe lehtësim, ashtu edhe ai i cili nuk tregohet i devotshëm e ka gjithmonë të vështirë daljen nga situatat e krizës, pasi e ka lidhur veten me prangat e mosbindjes. Le të marrim shembullin e divorcit. Nëse robi nuk tregohet i devotshëm, pra, nuk zbaton porositë e Zotit në këtë çështje, por e kryen divorcin jashtë normave të caktuara (si për shembull, duke deklaruar divorcin tri herë në një moment), ai ka për t’u penduar thellë për veprimin e tij, por tashmë nuk mund të rregullojë më asgjë. Gjithashtu, atij që tregohet i devotshëm, Allahu i Lartësuar ka për t’ia lehtësuar rizkun dhe mirësitë në mënyra që robi kurrë nuk i ka llogaritur apo menduar.
Kush i mbështetet Allahut, mjaftohet me Të. –
Për robin që i mbështetet Allahut në çështjet e fesë dhe të dynjasë, duke i kërkuar ndihmë Atij për arritjen e të mirave dhe për mbrojtjen nga të këqijat, duke qenë i bindur se kjo ndihmë do t’i jepet, Allahu i Lartësuar do të jetë i mjaftueshëm për të. Allahu i Lartësuar do ta ndihmojë patjetër këtë njeri për nevojat që ka. Allahu i Lartësuar është më i Pasuri, i Fuqishmi, Krenari dhe i Gjithëmëshirshmi. Allahu është më pranë robit se çdo gjë tjetër. Ai mund t’i plotësojë lutjet dhe kërkesat e robit menjëherë, në çast dhe pa u vonuar. Por ndoshta urtësia e Tij e kërkon që përgjigjja të vonohet për një kohë më të përshtatshme, prandaj i Lartësuari thotë:
Allahu ka për ta realizuar vendimin e Tij dhe Ai e ka përcaktuar çdo gjë me korrektësi. -
Çdo urdhër dhe ligj i Tij do të ekzekutohet patjetër, por Allahu i Lartësuar ka përcaktuar kohën, vendin dhe masën e çdo gjëje dhe asgjë nuk mund të dalë jashtë përcaktimit të Tij.