Duke e qartësuar se Ai është i vetmi Zot që meriton të adhurohet si Një, i Vetëm dhe i Pashoq, i Lartësuari thotë:
Vërtet, Zoti juaj është Allahu, i Cili krijoi qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë, pastaj qëndroi mbi Fron. - Allahu krijoi qiejt, tokën dhe çdo gjë mes tyre, me gjithë madhështinë, gjerësinë dhe përpikmërinë e tyre. Ai i krijoi ato në formën më të rregullt, dhe këtë e bëri për gjashtë ditë. Dita e parë e krijimit ishte dita e diel dhe e fundit ishte e xhumaja. Pasi e përsosi këtë krijim, duke vendosur rregullin e çdo gjëje, i Lartësuari qëndroi mbi Fron. Ai është një fron madhështor, i cili ka përfshirë qiejt, tokën dhe gjithçka në to dhe mes tyre. Ai u lartësua mbi Fron ashtu siç i takon madhështisë, lartësisë dhe pushtetit të Tij. Allahu u ngrit mbi Fron dhe përfshiu nën sundim të gjithë krijimin e Tij. Është Ai që rregullon dhe administron çështjet e gjithësisë së krijuar prej Tij. Ai vendosi në këtë gjithësi rregullat dhe ligjet e krijimit, nëpërmjet të cilëve funksionon gjithçka. Asgjë nuk del jashtë ligjeve të Allahut. Gjithashtu, është Allahu, i vetmi të Cilit i takon të vendosë edhe ligjet fetare e të jetesës, të cilat janë të detyrueshme të zbatohen nga robërit e Tij.
Ai e mbulon ditën me natën,... - Ai e mbulon dritën e ditës me errësirën e natës. Kështu, njerëzit gjejnë prehjen dhe krijesat strehohen në vendbanimin e tyre për t’u qetësuar nga lodhja e ditës.
...që me të shpejtë e kërkon atë sërish. - Sa herë që vjen nata, largohet dita dhe sa herë që vjen dita, largohet nata. Kështu vazhdon të funksionojnë ligjet e Tij në mënyrë të rregullt, deri kur të vijë dita që Allahu ta palosë këtë botë dhe robërit të zhvendosen në një tjetër vendbanim: në Xhenet ose në Zjarr.
Edhe Dielli, Hëna dhe yjet i janë nënshtruar sundimit të Tij. - Gjithçka i është nënshtruar ligjit dhe urdhrave të të Madhërishmit. Kjo tregon se Ai ka cilësi të plota të madhështisë dhe pushtetit. Krijimi i kësaj gjithësie madhështore dëshmon për pushtetin dhe fuqinë e Tij absolute. Përsosmëria, rregulli dhe përpikmëria e funksionimit të saj dëshmojnë për urtësinë e plotë dhe të paanë të Allahut. Mirësitë dhe dobitë e shumta që Ai ka vendosur në këtë gjithësi për krijesat e Tij, qofshin ato domosdoshmëri, pa të cilat jeta është e pamundur, qofshin mirësi më të vogla, të gjitha këto tregojnë se sa e gjerë është dituria dhe mëshira e Allahut. Të gjitha këto së bashku tregojnë bindshëm se Ai është i Vetmi që meriton të adhurohet me dashuri, shpresë dhe frikërespekt. Vetëm Allahut duhet t’i përkushtohen të gjitha adhurimet.
Vetëm Atij i takon Krijimi dhe Sundimi. - Vetëm Allahu është Krijuesi, Ai që krijoi të gjitha qeniet tokësore dhe ato qiellore, me cilësitë dhe veçoritë e tyre. Allahut i takon gjykimi dhe kontrolli i çdo çështjeje. Është Ai që vendos ligjet dhe të gjithë e kanë detyrë t’i zbatojnë dhe të jetojnë sipas tyre. Në dorë të Allahut është dhënia e profetësisë dhe gjithçka që lidhet me të, si mrekullitë, shpallja etj. Vetëm Ai shpërblen dhe ndëshkon me drejtësi, në varësi të zbatimit ose jo të ligjit të vendosur nga Ai. Fjala ‘Atij i takon krijimi’ nënkupton se në dorë të Allahut janë ligjet e ekzistencës dhe funksionimit të kësaj gjithësie. Ndërsa fjala ‘Atij i takon sundimi' dhe pushteti për çdo çështje, nënkupton se në dorë të Tij është vendosja e ligjeve të Sheriatit dhe të shpërblimit, i cili do të ekzekutohet plotësisht Ditën e Gjykimit.
I madhëruar qoftë Allahu, Zoti i botëve! - I madhëruar, i lartësuar, plot mirësi dhe bujari është Allahu. Ai është i madhëruar dhe i lartësuar në Veten e Vet, sepse është i plotë dhe absolut në emrat dhe cilësitë e Tij. I madhëruar, i lartësuar dhe plot mirësi është Allahu edhe në lidhje me krijesat, për shkak të mirësive dhe bujarisë së Tij të pakufishme me të cilën i mbulon ata vazhdimisht. Çdo bekim dhe mirësi në këtë gjithësi është gjurmë dhe rezultat i mëshirës së Allahut. Pasi përmendi madhështinë dhe bujarinë e Tij, të cilat i mjaftojnë çdo njeriu të urtë e me logjikë për të besuar dhe dëshmuar se Allahu është i vetmi që meriton adhurimin dhe i vetmi të cilit duhet t’i drejtohesh për plotësimin e të gjitha nevojave të tua, i Lartësuari vijon me një urdhër të rëndësishëm dhe të dobishëm për krijesat: