Në këto ajete tregohet për injorancën dhe arrogancën e kundërshtarëve të Profetit, të cilët kërkonin me nxitim ndëshkimin e Allahut të Lartësuar, duke e bërë këtë në formë talljeje, mospërfilljeje dhe mosbesimi. I Lartësuari thotë:
Dikush kërkoi dënimin e pashmangshëm. Askush nuk mund ta ndalë atë për jobesimtarët. -
Dikush kërkoi të realizohej menjëherë paralajmërimi për ndëshkim. Këta të mjerë kërkojnë që të realizohet ai ndëshkim, të cilin askush nuk mund ta kthejë më pas dhe nga i cili jobesimtarët nuk mund të shpëtojnë. Askush nuk mund ta përshpejtojë ndodhinë e tij, para afatit të përcaktuar nga Sunduesi i gjithësisë, dhe askush nuk mund ta vonojë apo ndalojë atë, kur ai të ndodhë. Ky ajet bën fjalë për El Nadr Ibn Harith el Kurashij apo për ndonjë idhujtar tjetër, që, sikurse u citua, i bëri Allahut një kërkesë të çuditshme. I Lartësuari thotë në një ajet tjetër: “Kujto si thanë ata: “O Allah! Nëse ky (Kur'an) është vërtet prej Teje, lësho mbi ne rrebesh gurësh nga qielli, ose na jep ndonjë Dënim të rëndë!”. Por Allahu kurrë nuk do t'i dënonte ata, përderisa ti (o Muhamed) je në mesin e tyre dhe Allahu kurrë nuk do t'i dënonte ata nëse kërkojnë falje (për gjynahet e tyre).”. [Enfal 32, 33]. Ndëshkimi i Allahut të Drejtë dhe Krenar do të godasë patjetër mbi ta: ose që në jetën e dynjasë ose në jetën tjetër. Nëse ata do ta njihnin Allahun e Lartësuar, nëse do të njihnin madhështinë e Tij, pushtetin e Tij absolut dhe gjithëpërfshirës, emrat dhe cilësitë e Tij më të larta, ata nuk do ta kërkonin kurrë atë ndëshkim. Përkundrazi, ata do të tregoheshin të kujdesshëm dhe me edukatë. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar u tërheq atyre vëmendjen për madhështinë e Tij: