Pastaj e kemi Ne për detyrë që ta sqarojmë atë. -
Kështu, i Madhëruari premton se do ta ruajë tekstin e Kur'anit nga ndryshimet, tjetërsimet apo nga harresa, madje do të ruajë edhe shpjegimin e tij të saktë. Kjo është grada më e lartë e sigurisë dhe e ruajtjes. Pas kësaj këshille nga Zoti i tij, Muhamedi (a.s.) e dëgjonte Xhibrilin deri në fund, dhe pastaj vijonte ta lexonte ai këndimin e Kur'anit. Ky ajet na mëson, gjithashtu, diçka rreth e dukatës së marrjes dhe nxënies së diturisë. Kështu, nxënësi nuk duhet të nxitohet dhe t’i ndërhyjë mësuesit, para se ai të mbarojë së shpjeguari dhe shtjelluari temën e mësimit. Vetëm pasi të ketë mbaruar mësuesi, nxënësi mund të pyesë për ato gjëra që i ka të paqarta. Gjithashtu, nxënësi nuk duhet të nxitohet në nxjerrjen e konkluzioneve, kur mësuesi ende nuk ka përfunduar mirë shpjegimin e mësimit. Vetëm pasi mësuesi të ketë mbaruar me shtjellimin e çështjes, atëherë nxënësi mund t’i ketë gjërat më të qarta, për të nxjerrë një konkluzion të saktë. Ajeti dëshmon, gjithashtu, se Profeti (a.s.), ashtu sikurse ia mësoi umetit të tij tekstin, leximin dhe këndimin e e Kur'anit, po ashtu u mësoi atyre edhe kuptimin dhe shpjegimin e saktë të tij.