Kujto si komplotuan jobesimtarët kundër teje, për të të mbajtur në pranga, vrarë ose dëbuar (nga shtëpia jote). Ata bënin kurthe, por edhe Allahu u ngrinte kurthe. Allahu është më i miri planifikues. -
Kujto, o i Dërguar, mirësinë me të cilën Zoti yt të begatoi! Idhujtarët kurejshë u mblodhën në takimin “Daru Nedue”, dhe diskutuan gjatë se si do të vepronin me Profetin a.s. Ata sollën tri alternativa:
1. Ta izolonin në shtëpi e të mos e linin të dilte jashtë.
2. Ta vrisnin, dhe kështu - siç u tha - të shpëtonin njëherë e mirë nga "sherri" i tij.
3. Ta dëbonin nga vendi i tyre.
Këto ishin propozimet e pjesëmarrësve. Por pastaj ata u bashkuan në një mendim, të cilin e propozoi më i ligu i tyre Ebu Xhehli - i mallkuar qoftë! Ai propozoi që nga çdo fis kurejsh të dilte një luftëtar i ri me shpatë dhe ashtu, si një dorë e vetme, ta vrisnin Muhamedin. Në këtë mënyrë, përgjegjësia për gjakun e tij do të shpërndahej mes të gjithë fiseve pjesëmarrës, dhe atëherë fisi i Profetit do të detyrohej të pranonte kompensimin, pasi nuk mund të hapnin luftë me të gjithë. Kështu, ata zunë pritë pranë shtëpisë së Profetit, duke pritur momentin e përshtatshëm për të realizuar planin. Por Shpallja zbriti shpejt dhe Allahu i Madhëruar e ndihmoi Profetin e Tij që t’i shpëtonte këtij komploti, madje i mundësoi që të dilte nga shtëpia dhe të hidhte rërë mbi kokat e armiqve, si poshtërim për ta. Allahu i Lartësuar ua bllokoi shikimin atyre, saqë kur një person kaloi pranë tyre, u tha: ‘Muhamedi doli mu para hundës tuaj dhe ju hodhi dhé mbi koka’. Atëherë, secili prej tyre filloi të shkundte dheun prej kokës. Kështu, Allahu i Madhëruar e mbrojti dhe e ruajti Profetin e Tij, dhe këtu nisi emigrimi i tij në Medinë. Pasi mbërriti në Medinë, Allahu i Madhëruar i mundësoi atij një vendstrehim dhe i dha forcë me mbështetës të sinqertë, siç qenë muhaxhirët dhe ensarët. Dalëngadalë, ky qytet-shtet u fuqizua, derisa erdhi dita kur Profeti i Zotit u kthye sërish në Mekë si triumfator. Atëherë, para tij u përulën të gjithë armiqtë, të cilët iu nënshtruan pushtetit të Profetit a.s. Sa e sa gjëra ndodhën nga momenti kur ai doli fshehurazi prej shtëpisë, deri kur u kthye si triumfues dhe udhëheqës. I lartësuar dhe i lavdëruar qoftë Allahu, i Cili është aq i Butë e i Mëshirshëm me robin e Tij! Askush nuk mund të qëndrojë para planit dhe pushtetit të pamposhtur të Allahut!