Këto ajete kanë zbritur dhe flasin për robërit e kapur në luftën e Bedrit, mes të cilëve ishte edhe Abasi, xhaxhai i Profetit. Kur iu kërkua kompensimi në këmbim të lirimit, Abasi pretendoi se kishte pranuar Islamin para se të kapej rob. Megjithatë, prej tij u kërkua përsëri kompensimi, pa ia marrë parasysh pretendimin.[1] Atëherë, për të kënaqur zemrën e Abasit dhe të tjerëve që ishin njëlloj si ai, pra, që kishin pranuar Islamin përpara se të kapeshin rob, Allahu i Lartësuar zbriti këto ajete kuranore:
O Profet! Thuaju robërve që i keni në dorë: "Nëse Allahu sheh ndonjë të mirë në zemrat tuaja, Ai ju jep edhe më shumë të mira nga ajo çka ju është marrë dhe jua fal gjynahet tuaja. Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë.” -
Allahu i Lartësuar ka për t’ju dhënë mirësi dhe begati shumë më të mëdha sesa kompensimi që ju paguat. Përveç kësaj, Ai do t’ju falë gjynahet dhe ju premton se do t’ju fusë në Xhenet, nëse ndiqni rrugën e adhurimit të Allahut të Lartësuar si Një të vetëm dhe nëse tregoheni të nënshtruar ndaj ligjit të Tij. Dhe vërtet Allahu i Lartësuar e plotësoi premtimin që iu dha. Pas kësaj ngjarjeje, ndodhën shumë të tjera, ku Abasi dhe të tjerët si ai fituan shumë pasuri, shumë më të madhe se ajo që paguan si kompensim. Madje, në një rast, përcillet se, kur në depon e shtetit Islam pati një hyrje të madhe pasurie, Profeti (a.s)i mundësoi Abasit që të mbushte rrobën e tij me të, aq sa kishte fuqi që të mbante. Në vijim, duke folur për mohuesit dhe tradhtarët, Allahu i Lartësuar thotë:
[1] Tradita e Profetit a.s. me robërit e luftës. Profeti a.s. është treguar i larmishëm në praktikat e ndjekura ndaj robërve të luftës. Kështu disa robër ai i ka nderuar dhe u ka bërë mirësi duke i liruar pa shpërblesë, disa i ka vrarë, disa i ka liruar duke u pranuar kompensimin me pasuri, disa i ka liruar në shkëmbim të robërve muslimanë. Të gjitha këto praktika ai i ka zbatuar sipas dobisë dhe nevojës. Ai pranoi kompensimin e robërve të Bedrit me para, e për këtë tha: “Sikur të ishte gjallë Mutaim Ibn Adijji e të më kërkonte lirimin e këtyre fundërrinave, për shkak të tij do t’i kisha lënë të lirë.” Gjatë marrëveshjes së Hudejbies, tetëdhjetë njerëz të armatosur tentuan ta vrisnin Profetin a.s., por ai i zuri rob ata, e më pas duke treguar mirësi ndaj tyre i liroi pa shpërblesë. Në kohën e Profetit a.s. u kap rob edhe Thumame Ibn Ethali, kreu i fisit të Benu Hanifes. Profeti a.s, me qëllim, urdhëroi që ai të lidhej në një prej shtyllave të xhamisë. Më pas ai e liroi, dhe kjo u bë shkak që Thumame të pranonte Islamin.
Kompensimi i robërve të luftës
Ensarët i kërkuan leje Profetit a.s. që të mos e merrnin kompensimin për Abasin, xhaxhait të Profeti a.s., por ai u tha: “Mos lini asnjë dirhem pa ia marrë!” Gjithashtu Profeti a.s., duke kryer shkëmbim robërish, me anë të një vajze të zënë robëreshë, liroi disa muslimanë të Mekës. Po kështu ai liroi dy muslimanë në shkëmbim të një robi nga Ukajli. Të zënit rob nga fisi Heuazin u kthyen në vendin e tyre pasi u krye ndarja e plotë e plaçkës së luftës. Profeti a.s. u kërkoi luftëtarëve që t’i lironin me shpirtmirësi, ndaj dhe ata i liruan me pëlqimin e tyre pa kërkuar kompensim. Ndërsa ata që nuk pëlqyen t’i lironin, Profeti a.s. i kompensoi për çdo rob, me gjashtë pjesë nga plaçka e luftës. Ndërsa Ukbe Ibn Ebi Muajti dhe El Nadir Ibn Harithi, që ishin mes robërve të kapur në bedër, u ekzekutuan për shkak të armiqësisë së madhe që kishin treguar ndaj Allahut dhe Profetit a.s. Imam Ahmedi sjell dëshminë e Ibn Abasit: “Prej robërve të kapur në luftë, kishte edhe të varfër që nuk kishin pasuri. Për këta, Profeti a.s. ofroi një mundësi të shkëlqyer lirimi: kush u mësonte fëmijëve të ensarëve shkrim dhe lexim, do të fitonte lirinë.” Kjo tregon që, përveçse me pasuri, lejohet edhe kompensimi me punë.
Dispozita për robërit
Tradita e Profetit a.s. ishte që, kush pranonte Islamin përpara se të binte rob, nuk skllavërohej. Profeti a.s. nuk bënte ndonjë dallim mes robërve arabë dhe atyre ehlul kitabë, në aspektin e vlerësimit të tyre si robër lufte. Profeti a.s. i tha njëherë Aishes (r.a.), e cila kishte një skllave arabe: “Liroje atë, se ajo është nga pasardhësit e Ismailit.” Taberaniu sjell një hadith të Profetit a.s.: “Kush ka detyrë të lirojë një skllav nga pasardhësit e Ismailit a.s., le ta lirojë prej fisit ‘belanber’.” Kur u ndanë robëreshat e fisit Benu Mustalik, Xhuejrije Bintu Harith ra në pjesën e Thabit Ibn Kajs Ibn Shemmas. Ajo kërkoi ta blinte lirinë e saj prej tij. Ai që pagoi për lirimin e saj ishte vetë Profeti a.s, i cili edhe u martua me të. Për shkak të kësaj martese, u liruan nga skllavëria më shumë se njëqind vetë nga fisi Benu Mustalik. Kjo u bë në shenjë respekti ndaj krushqisë së Profetit a.s. Ajo ishte arabe e pastër. Shkëputur nga “Zadul mead” vell 3 fq 58, 59.