Në të vërtetë, është Ai që krijon nga e para dhe rikrijon. -
Allahu është i vetmi që krijon dhe i vetmi që e rikthen krijimin e Tij. Askush nuk mund t’i ketë këto cilësi, përveç Tij. Ai është El Gafuru – Falësi, i Cili i fal të gjitha gjynahet e atyre që pendohen dhe kthehen tek Ai të bindur dhe të nënshtruar. Ai i mbulon të metat atyre që i kërkojnë falje dhe shprehin pendesë tek Ai. Allahu është El Uedud - i Dashuri, i Cili i do të zgjedhurit e Tij me një dashuri që nuk i përngjan asnjë dashurie tjetër. Ashtu sikurse është i pashembullt në cilësitë e Tij të madhështisë, bukurisë dhe të veprave të Tij, ashtu edhe dashuria që Ai ka ka vendosur në zemrat e të zgjedhurve të Tij për Të nuk i përngjan asnjë lloj dashurie tjetër. Dashuria për Allahun është esenca e adhurimit. Dashuria për Të qëndron mbi çdo dashuri tjetër dhe i mposht ato. Çdo dashuri tjetër që nuk buron nga dashuria për Të dhe nuk ka lidhje me Të, ajo është vuajtje dhe trishtim për zemrën të cilën ka pushtuar. Allahu i do të zgjedhurit e Tij dhe ata e duan Atë, sikurse thotë i Madhëruari në një ajet tjetër: “Ai i do ata dhe ata e duan Atë”. El Meueddetu është dashuri e kulluar dhe e kthjellët. Allahu i Lartësuar ka përmendur së bashku dy cilësi të Tij: Falës dhe i Dashur. Kjo ka një nënkuptim shumë të bukur: Ai jo vetëm që i fal ata që pendohen dhe kthehen tek Ai të nënshtruar, por edhe i do ata me dashurinë e Tij. Disa mendojnë se Allahu vetëm u fal gjynahet atyre që pendohen, por nuk i do ata. Por ky ajet i hedh poshtë këto pretendime. Madje, Allahu i Madhëruar gëzohet shumë për pendimin e robit të Tij gabimtar. Profeti (a.s.) na jep një shembull për të treguar gëzimin e madh të Allahut të Lartësuar. Ai thotë: “Allahu gëzohet më shumë për pendimin e robit të Vet kur ai pendohet, sesa ndonjëri prej jush i cili, duke udhëtuar me deve nëpër shkretëtirë, e humbet devenë së bashku me ujin dhe ushqimin. Ai kërkon dhe e kërkon, derisa e humb shpresën për ta gjetur. Kështu, i lodhur e shpresë humbur, ulet nën hijen e një peme. Por kur hap sytë dhe e sheh deve-në e vet duke qëndruar përpara tij, ai ngrihet, e kap për litari dhe nga gëzimi i madh bërtet: “O Zoti im! Ti je robi im dhe unë jam zoti Yt”, duke gabuar nga gëzimi i madh.” Kësisoj, gëzimi i Allahut për pendimin e robit është më i madh sesa gëzimi i atij robi. Allahu qoftë i lavdëruar dhe i madhëruar! Sa e madhe është mirësia e Tij! Sa e gjerë është bujaria e Tij e sa të shumta janë dhuratat e Tij!