Ata të cilët kanë besuar, emigruar dhe luftuar me pasurinë dhe jetën e tyre në rrugën e Allahut, kanë pozitë më të lartë tek Allahu. Dhe ata janë fitimtarët. -
Janë ata që emigruan për hir të Allahut, ashtu si i mësoi Allahu dhe Profeti i Tij. Janë ata që zhvilluan xhihadin në rrugën e Zotit me të gjitha mënyrat dhe rrugët që Zoti i mësoi. Ata luftuan me pasurinë e tyre, duke përgatitur luftëtarët në rrugën e Zotit, por luftuan edhe me jetën e tyre. Këta arritën çdo të mirë që synonin dhe shpëtuan nga çdo e keqe që i druheshin. Askush nuk e arrin këtë sukses, veçse ata që kanë të tilla cilësi.[1] Ja se çfarë i pret ata te Zotit i tyre:
[1]
Duke folur për llojet e xhihadit Imam Ibnul Kajimi thotë: Mësoje se xhihadi është katër llojesh:
1. Xhihadi me vetveten;
2. Xhihadi me Shejtanin;
3. Xhihadi me jobesimtarët;
4. Xhihadi me hipokritët.
Xhihadi me vetveten
Xhihadi me vetveten zhvillohet në katër nivele:
a. Lufta me vetveten për ta nënshtruar atë që të mësojë dhe të njohë udhëzimin, fenë e vërtetë, pa të cilën askush nuk ka për të shijuar suksesin dhe lumturinë, as në këtë jetë e as në tjetrën. Nëse njeriu nuk e mer këtë dije, ka për të qenë prej të dëshpëruarve në të dyja jetët.
b. Lufta me vetveten për ta nënshtruar atë që të zbatojë diturinë që ka marrë, sepse ajo dije që nuk vihet në zbatim, në mos sjelltë dëm, dobi s’ka për të sjellë kurrë.
c. Lufta me vetveten për ta nënshtruar atë që të punojë pa reshtur duke ftuar të tjerët në rrugën që po ndjek dhe duke u mësuar atyre atë që nuk e dinë. Nëse nuk e bën këtë, atëherë bëhesh prej atyre që e fshehin udhëzimin e Allahut, të qartësuar në Librat e Tij. Në këtë mënyrë, dituria nuk të bën dobi, sepse nuk të shpëton prej ndëshkimit të Zotit.
d. Lufta me vetveten për ta nënshtruar atë që jetë e durueshme në përballimin e vështirësive, me të cilat ajo përballet gjatë thirrjes së të tjerëve në rrugën e udhëzimit. Vetja duhet të durojë mundimet që i japin krijesat, veç për hir të Allahut të Madhëruar.
Kush i plotëson këto katër nivele të xhihadit me vetveten, ka arritur gradën e të ashtuquajturve rabbânijjîn - edukatorë. Dijetarët selefë janë të një mendimi se një dijetar nuk mund të quhet rabbânijj, pa qenë njohës i mirë i të vërtetës, pa e zbatuar atë dhe pa ua mësuar atë të tjerëve. Ai që ka mësuar, punuar dhe ua ka mësuar të tjerëve, pikërisht ky dhe vetëm ky do të thirret “I madh” në mbretërinë e qiejve.
Xhihadi kundër Shejtanit
Xhihadi kundër Shejtanit zhvillohet në dy drejtime:
a. Lufta kundër dyshimeve e ngatërresave që Shejtani i fut njeriut, për të goditur dhe dëmtuar imanin e tij.
b. Lufta kundër dëshirave e pasioneve të shfrenuara e të padobishme, që Shejtani ia zbukuron njeriut në zemër.
Fryt i xhihadit të parë është siguria, bindja në fenë e Allahut, ndërsa si fryt i të dytit është durimi. Allahu i Madhëruar thotë: “Prej tyre Ne bëmë prijës, që me urdhrin Tonë udhëzojnë, duke u treguar të duruar dhe duke qenë të bindur e të sigurt ndaj argumenteve Tona.” Allahu i Madhëruar na tregon se udhëheqja në fe arrihet veçse me durim dhe bindje të plotë. Durimi i largon pasionet dhe dëshirat e prishura, ndërsa bindja e plotë largon dyshimet dhe paqartësitë.
Xhihadi kundër jobesimtarëve dhe hipokritëve
Ndërsa xhihadi kundër jobesimtarëve dhe munafikëve zhvillohet me katër forma:
a. me zemër;
b. me gjuhë;
c. me pasuri;
d. me qenien tënde.
Mund të themi se lufta ndaj jobesimtarëve priret më të tepër në mjetet fizike, ndërsa lufta ndaj hipokritëve priret drejt fjalës dhe argumentimit.
Xhihadi kundër protagonistëve të padrejtësisë, të bidatit dhe veprave të këqija
Ndërsa xhihadi kundër protagonistëve të padrejtësisë, të bidatit dhe veprave të këqija, zhvillohet me tri mënyra:
a. me forcë, nëse krijohet mundësia.
b. Nëse s’ka mundësi për të parën, atëherë bëhet me fjalë qortuese e argumentim.
c. Nëse dhe forma e dytë është e pamundur, atëherë bëhet me zemër.
Këto janë trembëdhjetë shkallët e xhihadit. Profeti a.s. ka thënë: “Kush vdes pa bërë luftë, apo pa menduar për të bërë luftë, ka vdekur me një cilësi munafiku”
Xhihadi dhe hixhreti
Për këtë temë duhet patur parasysh diçka. Nuk mund të ketë xhihad pa u kryer fillimisht hixhreti, ashtu sikurse këta të dy nuk mund të kryhen pa pasur dhe pa u pajisur me iman. Këto tri cilësi gjenden së bashku veçse tek një grup njerëzish: ata janë shpresuesit e vërtetë të mëshirës së Allahut të Lartësuar. Allahu i Madhëruar thotë: “Pa dyshim, ata që besojnë, ata që bëjnë hixhret (shpërngulen) dhe që luftojnë në rrugën e Allahut, vetëm ata shpresojnë njëmend në mëshirën e Tij. Allahu është Falës dhe Mëshirues.” (Bekare 218).
Ashtu sikurse imani është detyrë për çdo njeri, janë detyrë edhe dy hixhrete (ose shpërngulje):
a. Një shpërngulje për tek Allahu i Madhëruar, duke e njësuar Atë, në të gjitha aspektet: në sinqeritetin ndaj Tij, në kthimin tek Ai nëpërmjet kryerjes së ibadeteve, në mbështetjen dhe kërkimin e ndihmës prej Tij, në frikë-respektin dhe shpresën ndaj Tij, në dashurinë për Të dhe pendimin tek Ai.
b. Shpërngulja tjetër bëhet për tek Profeti a.s., e cila shprehet nëpërmjet ndjekjes së udhëzimit dhe rrugës së tij, nënshtrimit ndaj urdhrave të tij, nëpërmjet miratimit të çdo dëshmie që vjen prej tij, si dhe duke i dhënë përparësi urdhrave e dëshmive të tij kundrejt atyre të çdokujt tjetër.
Profeti a.s. ka thënë: “Kujt shpërngulet për tek Allahu dhe i Dërguari i Tij, atij ka për t’iu marrë në konsideratë kjo shpërngulje, dhe kush shpërngulet për hir të dynjasë apo për hir të martesës me ndonjë grua, ai do të vlerësohet sipas qëllimit të shpërnguljes që ka bërë.”
Lufta ndaj nefsit dhe Shejtanit është detyrë e gjithësecilit; askush nuk mund ta zhvillojë atë në emër të dikujt tjetër. Ndërsa xhihadi kundër jobesimtarëve dhe hipokritëve është detyrë që rëndon mbi të gjithë ymetin, por nëse kryhet nga një grup që mund ta përballojë atë, atëherë kjo është e mjaftueshme dhe hiqet përgjegjësia nga të tjerët.
Më i përsosuri, sipas Allahut të Lartësuar, është ai që i kryen të gjitha format e xhihadit
Më i miri, sipas Allahu të Lartësuar, është ai që i kryen të gjitha format e xhihadit. Krijesat janë të ndryshme, për sa u përket gradave që meritojnë tek Allahu i Lartësuar, në varësi të formave të xhihadit që kanë arritur të zhvillojnë. Kësisoj, krijesa më e përsosur dhe më e nderuar tek Allahu xh.sh. është pa dyshim, Muhamedi a.s., vula e pejgamberëve dhe e të dërguarve të Zotit. Ai i plotësoi të gjitha nivelet dhe format e xhihadit në rrugën e Allahut xh.sh., ashtu siç e meriton Ai. Ai nxitoi dhe e zhvilloi xhihadin që në hapat e para të shpalljes së tij si i Dërguari i Allahut xh.sh., dhe vazhdoi ashtu derisa e mori Allahu i Madhëruar dhe Krenar. Menjëherë Ai, kur iu shpallën ajetet 1 – 4, në suren Mudethir: “O ti, i mbështjellë! Ngrihu dhe paralajmëro! Zotin tënd madhëroje! Rrobat e tua pastroji!” ai filloi të ftonte dhe njerëzit e tjerë dhe e mbajti më së miri përgjegjësinë e ngarkuar nga Allahu xh.sh. Ai i ftoi njerëzit në rrugën e Allahut natën dhe ditën, fshehtas dhe haptas. Menjëherë sapo i zbritën ajetet: “Prandaj thuaje haptas mesazhin që të është urdhëruar dhe rri larg idhujtarëve!” (Hixhr 94), ai zbatoi urdhrin e Allahut të Lartësuar, pa pasur frikë nga askush dhe asgjë në këtë mision, duke ftuar në rrugën e udhëzimit të mëdhenj e të vegjël, skllevër dhe të lirë, meshkuj dhe femra, të kuq dhe të zinj, xhindë dhe njerëz. Por, kur ai zbatoi haptazi urdhrin e Allahut, duke ftuar haptas popullin e tij dhe duke treguar qartë dhe prerë kotësinë e adhurimeve të deriatëhershme, kotësinë e zotave të tjerë veç Allahut, atëherë u shtuan edhe më tepër mundimet, që shkaktoheshin
nga populli i tij; u mundua e u pengua jo vetëm ai, por çdokush që iu përgjigj thirrjes së tij. E tillë është tradita apo rregulli i pandryshueshëm i vendosur prej Allahut të Madhëruar për krijesat e Tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Ty nuk po të thuhet gjë tjetër, veç asaj që u është thënë të dërguarve para teje:” (Fusilet 43) ose: “Çdo Profeti Ne i bëmë armiq prej shejtanëve njerëz dhe xhinde, që frymëzojnë njëri-tjetrin me fjalë të bukura e mashtrime.…” (El En’am 112) ose: “Po kështu, edhe ata që ishin më parë, sa herë që u shkonte ndonjë profet, thoshin: “Është magjistar ose i çmendur.” A mos kishin mësuar njëri-tjetrin kështu? Jo, por ata ishin njerëz që kalonin kufijtë. (Dharijatë 52-53). Me këto ajete, dhe të tjera si këto, Allahu i Madhëruar e ngushëlloi Profetin e Tij, duke i treguar atij shembullin e profetëve të kaluar. Allahu i Lartësuar ngushëllon edhe pasuesit e rrugës së këtij Profeti, duke thënë: “A mendoni se do të hyni në Xhenet pa u sprovuar si ata që ishin para jush? Ata u sprovuan nga vuajtje e fatkeqësi dhe ishin kaq të tronditur sa edhe i Dërguari, e bashkë me të edhe besimtarët, luteshin: “Kur do të vijë ndihma e Allahut?!” Po. Vërtet, ndihma e Allahut është (gjithmonë) afër!” (Bekare 214); ose: “Elif, Lâm, Mîm. Vërtet mendojnë njerëzit se do të lihen vetëm të thonë “Ne besojmë” pa u vënë në provë?! Ne i kemi sprovuar ata që kanë qenë para tyre, dhe Allahu do t'i nxjerrë në pah ata që thonë të vërtetën dhe ata që gënjejnë. A mos mendojnë ata që bëjnë vepra të këqija se do t’i shpëtojnë dënimit Tonë?! Sa keq që gjykojnë ata! Kush shpreson takimin me Allahun (në Botën Tjetër), ta dijë se Dita e caktuar nga Ai do të vijë. Dhe Ai Dëgjon dhe Di gjithçka. Kush përpiqet, përpiqet vetëm për të mirën e vetvetes se Allahu, në të vërtetë nuk ka nevojë për asgjë. Atyre, që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, me siguri që do t’ua shlyejmë të këqijat dhe do t’u japim shpërblim më të mirë se veprat që kanë bërë. Ne e kemi urdhëruar njeriun, që të sillet mirë me prindërit e vet. Por, nëse ata përpiqen të të detyrojnë ty që të më shoqërosh Mua (në adhurim) atë, për të cilin ti nuk di asgjë, atëherë mos i dëgjo ata! Tek Unë do të ktheheni të gjithë e do t’jua them gjithçka që keni bërë. Ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, Ne do t’i radhisim në mesin e të mirëve. Ka disa njerëz, që thonë: “Ne besojmë në Allahun”. Por, kur vuajnë për çështjen e Allahut, e quajnë shtypjen e njeriut sikur të ishte dënim nga Allahu. Ndërsa, kur u vjen ndihma prej Zotit tënd, ata thonë: “Ne kemi qenë gjithmonë me ju”. Vallë, a nuk e di Allahu më së miri se ç’ka në zemrat e çdokujt? Dhe sigurisht, Allahu i di mirë ata që kanë besuar dhe i di mirë hipokritët.” (Ankebut 1-11). Zad el mead vëll 3.