Thuaj: “Në qoftë se etërit tuaj, djemtë tuaj, vëllezërit tuaj, bashkëshortet tuaja, farefisi juaj, pasuria që keni fituar, tregtia për të cilën frikësoheni se do të dështojë ose banesat ku ju gjeni kënaqësi, janë më të dashura për ju sesa Allahu, se i Dërguari i Tij dhe se lufta për në rrugën e Tij, atëherë prisni (vendimin e Tij)...” -
Në këtë ajet përmenden dashuritë më të zakonshme të njeriut në këtë dynja, siç janë: prindërit, fëmijët, vëllezërit dhe motrat, bashkëshortet, farefisi dhe pasuria që fitohet me mund. Veçohet pasuria që fitohet me mund, sepse atë njeriu e do shumë. Natyrisht, ai e do më tepër këtë pasuri sesa atë që i vjen pa mund e pa lodhje. Më pas vjen: “tregtia, për të cilën frikësoheni se do të dështojë”. Këtu bëhet fjalë për të gjitha llojet e biznesit: me argjend e flori, armë, produkte bujqësore e blegtorale etj. Pastaj thuhet: “banesat ku ju gjeni kënaqësi”, pra, banesat e bukura, që përmbushin dëshirat dhe kënaqësitë e njeriut. Kështu, nëse të gjitha këto begati të dynjasë janë më të dashura për ju sesa Allahu, se i Dërguari i Tij dhe se lufta në rrugën e Tij, atëherë ju jeni të padrejtë dhe të shfrenuar, që kaloni kufijtë. Kështu, nuk ju mbetet gjë tjetër, veçse të prisni ndëshkimin që po ju afrohet dhe që askush nuk mund ta kthejë pas:
...dhe të jeni të sigurt se Allahu nuk i udhëzon në rrugë të drejtë të shfrenuarit. -
Të shfrenuarit janë ata që dalin jashtë kufijve të Zotit, ata të cilët u japin përparësi kënaqësive të përmendura në ajet, duke i dashur ato më shumë se Allahun, Profetin, fenë e Tij dhe xhihadin në rrugën e Tij. Ky ajet është nga argumentet më të mëdha që tregojnë se dashuria për Allahun dhe Profetin e Tij është detyrë. Gjithashtu, është detyrë që kësaj dashurie t'i jepet përparësi mbi çdo dashuri tjetër. Ajeti është edhe kërcënim i frikshëm për këdo që i jep përparësi mirësive të kësaj bote kundrejt dashurisë për Allahun e Profetin e Tij dhe për xhihadin në rrugën e Tij. Të tillët janë të ekspozuar ndaj urrejtjes dhe zemërimit të Zotit. Një shembull për të kuptuar këtë është ai kur njeriu ndodhet përballë dy gjërave: njërën nga ato e pëlqen Allahu dhe Profeti i Tij, por egoja e njeriut nuk e preferon. Njeriu pëlqen atë gjënë tjetër, të cilën nuk e pëlqen Allahu dhe Profeti i Tij ose që cenon dashurinë për Allahun dhe të Profetin e Tij. Në një rast të tillë, nëse ai i jep përparësi nefsit, kjo tregon se ai është i padrejtë, duke lënë diçka që është detyrë të plotësohet, të cilën e do Allahu dhe i Dërguari i Tij.[1]
[1] Gjurmët e paqartësisë në besim. Allahu i Madhëruar na përshkruan gjendjen e atyre që besojnë pa qenë të qartë në besimin e tyre. Këta lloj njerëzish, kur mundohen për hir të Allahut të Madhëruar, i quajnë sprovat që u shkaktohen prej njerëzve njësoj si ndëshkimi që vjen nga Allahu i Lartësuar. Këto sprova janë mundimet, lëndimet dhe vuajtjet që njerëzit i japin këtij njeriu, si dhe dhimbjet që u vijnë profetëve nga popujt e tyre. Kjo kategori, për të shpëtuar dhe për t’u ruajtur nga këto sprova, largohen dhe e braktisin rrugën që i shpuri drejt sprovës, njëlloj siç veprojnë besimtarët për të shpëtuar nga ndëshkimi i Allahut. Besimtarët braktisin gjithçka që i çon drejt këtij ndëshkimi, prandaj zbukurohen me stolinë e besimit, edhe pse kjo bën të pashmangshme përballjen me sprovat e përkohshme nga ana e njerëzve. Ky ndryshim i madh mes dy palëve vjen si pasojë e dijes dhe horizontit të secilit. Të mjerët! Vrapojnë që të ndjekin armiqtë e profetëve thjesht dhe vetëm që t’u shpëtojnë dhimbjeve që sjellin sprovat prej njerëzve, ndërkohë që në këtë mënyrë ia kanë mbathur prej dhimbjes së mundimit prej njerëzve për tek dhimbja e ndëshkimit të Allahut! Kësaj i thonë humbje dhe dëshpërim! Të ruhesh nga rëra e nxehtë, për t’u futur në zjarr! T’i ruhesh dhimbjes së shkurtër, për të përfunduar në dhimbjen e përjetshme! Këta njerëz, atëherë kur Allahu i Madhëruar do të mbajë premtimin e Tij, duke shpëtuar ushtrinë dhe të dashurit e Tij, do të thonë: “Ne ishim me ju”. Por Allahu i Madhëruar është i Ditur; Ai e njeh shumë mirë hipokrizinë që fshihet brenda gjoksit të mashtruesve. Si përfundim, ajo çka deshëm të theksojmë, është se Allahu, me urtësinë e vet, deshi që robërit e Tij të sprovohen, dhe në këtë mënyrë të përzgjidhen, duke u dalluar të mirët nga të këqijtë, ata që meritojnë dashurinë dhe shpërblimet e Tij, nga ata që nuk i meritojnë; Ai deshi që ata të sprovohen dhe të dallohen, sikurse ndodh me floririn, të cilin, kur duam ta pastrojmë, e fusim në zjarr për ta shkrirë, duke larguar prej tij papastërtitë. Sprovat duhen patjetër, sepse shpirti, në esencë të tij ka dy substanca të dëmshme: ato quhen ‘injorancë’ dhe ‘padrejtësi’, dhe mund të largohen vetëm duke kaluar në fushëbetejat e sprovave, pastrimit dhe përzgjedhjeve. Nëse këto veti, bashkë me gjurmët e tyre të dëmshme, dalin e pastrohen në këtë jetë nëpërmjet sprovave, atëherë në jetën tjetër i pastruari meriton Xhenetin. E nëse nuk bëhet ky pastrim këtu, atëherë kjo e bën të domosdoshme përjetimin, me plot kuptimin e fjalës, e sprovave të ahiretit. Kështu, pasi njeriu të pastrohet, do t’i jepet leje të hyjë në xhenet. Zad el mead vëll 3.