Ata betohen në Allahun se nuk kanë thënë asgjë të keqe. -
Disa prej tyre, duke nënkuptuar Profetin dhe shokët e tij, thoshin me nënçmim: “Kur të kthehemi në Medine, paria do t’i dëbojë prej saj të përçmuarit.” Në fakt, e tërë krenaria u takon Allahut, të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve, por munafikët nuk e dinë këtë." [Munafikun 8]. Ndërsa disa të tjerë fyenin figurën e Profetit dhe talleshin me fenë e Zotit. Por kur Profetit iu përcollën fjalët e tyre tallëse, ata shkuan tek ai duke u betuar se nuk thanë ndonjë gjë. Por Allahu i Lartësuar, duke përgënjeshtruar qëndrimin e tyre, tha:
Në të vërtetë, ata thanë fjalë kufri, mohuan pasi kishin pranuar Islamin dhe tentuan diçka që nuk e arritën dot. -
Me pranimin e Islamit në fillim, edhe pse në dukje, ata dolën nga gjendja e kufrit dhe u trajtuan si muslimanë. Megjithatë, me fjalët e tyre tallëse dhe fyese ndaj Profetit dhe fesë së tij, treguan shuarjen e Islamit të tyre, duke u futur sërish në rrethin e mohuesve. Përveç fjalëve, ata tentuan “diçka të paarritshme." Ata tentuan të vrisnin Profetin gjatë kthimit nga lufta e Tebukut. Por Allahu i Madhëruar ia tregoi Profetit planin e tyre dhe mundësoi dikë që t'i ndalte nga ky komplot.[1]
Ata u mbushën me urrejtje, vetëm sepse Allahu dhe i Dërguari i Tij i begatoi besimtarët me mirësitë e Tij. -
Mos vallë, janë të pakënaqur me Profetin, i cili i pasuroi me mirësitë dhe bujarinë e madhe të Zotit, atëherë kur ishin të varfër e të shpërfillur?! Kjo është tepër e çuditshme! Nënçmojnë njeriun që u bë shkak t’i nxirrte ata nga errësirat në dritë, nga varfëria në pasurinë e shpirtit dhe zemrës. Përse sillen kështu, kur duhet ta ndienin për detyrë që ta respektonin e nderonin figurën e tij, madje ta besonin e mbështesin Profetin a.s. në misionin e tij? I tillë është ai që ka burrëri dhe fe. Sidoqoftë, Allahu i Madhëruar sërish ua jep si mundësi pendimin, kur thotë:
Nëse pendohen, do të jetë më mirë për ta. -
Ai i fton të pendohen, sepse pendimi është baza mbi të cilën ndërtohet lumturia e dynjasë dhe e ahiretit. Por nëse i kthejnë shpinën pendimit, atëherë i Madhëruari ka për t’i ndëshkuar në dynja dhe në ahiret:
Por nëse refuzojnë, Allahu do t’i ndëshkojë me një dënim të dhembshëm në këtë jetë dhe në jetën tjetër... -
Në jetën e kësaj bote, i Madhëruari i godet ata me trishtim dhe ankth, për shkak të triumfit të fesë dhe krenarisë së Profetit të Tij, si dhe për shkak të mosarritjes së qëllimit të tyre. Ndërsa në ahiret ata i pret ndëshkimi në Zjarrin përvëlues.
...dhe për ta nuk do të ketë asnjë mbrojtës e ndihmëtar në tokë. -
Ata nuk mund të gjejnë në tokë ndonjë ndihmës a mik, që të marrë përsipër veprat dhe realizimin e qëllimeve të tyre. Ata nuk do të gjejnë as mbrojtës, që t'i ruajë nga të këqijat. Kështu ndodh nëse i shkëput lidhjet me Zotin dhe nuk kërkon ndihmën e Tij. Pas asaj, asgjë e mirë nuk pritet, veçse të gjitha llojet e ligësisë, dëshpërimit dhe privimit.
[1] Ebu Esuedi, në "Megazi", citon Urvan: “Gjatë rrugës së kthimit të Profeti a.s., prej Tebukut në Medinë, një grup
munafikësh planifikuan që ta shtynin e ta hidhnin Profetin a.s. nga maja e një mali. Kur arritën tek rruga malore, ata iu afruan Profetit, me qëllimin që të ecnin bashkë me të. Por Profeti a.s. u njoftua për planin e tyre, prandaj tha: “Kush dëshiron të kalojë nëpër luginë, më mirë le të kalojë, sepse ajo është rrugë më e gjerë.” Profeti a.s. vetë mori rrugën e malit, ndërsa të tjerët vazhduan nëpër luginë, përveç grupit që planifikoi atentatin. Kur dëgjuan udhëzimin e Profetit a.s. për të tjerët, ndërsa vetë ai të kaloi nëpër mal, munafikët u përgatitën mirë, duke u maskuar dhe duke mbështjellë fytyrat, që të mos dukeshin. Barra që ata morën përsipër ishte tepër e rëndë për supet e tyre. Profeti a.s. mori me vete Hudhejfen dhe Amar Ibn Jasirin. Amarin e urdhëroi të mbante frerët e devesë përpara tij, ndërsa Hudhejfen e urdhëroi të drejtonte devenë gjatë ecjes. Duke ecur, ata dëgjuan galopin e grupit të munafikëve, të cilët po afroheshin nga pas. Profeti a.s. u zemërua shumë. Ai i dha urdhër Hudhejfes që t’i zmbrapste ata. Hudhejfeja e vuri re zemërimin e Profetit a.s. dhe, me një kërrabë ai filloi të godiste kafshët e tyre në fytyrë. Ai i pa kalorësit që u afruan, por nuk i njohu, sepse ishin të mbështjellë në fytyrat e tyre. Megjithatë, ai nuk kuptoi gjë prej tyre veç dukjes si udhëtarë. Allahu i Lartësuar i tmerroi ata kur panë Hudhejfen t’u afrohej, duke menduar se komploti i tyre qe zbuluar, prandaj menjëherë u përzien me njerëzit e tjerë, që të mos dukeshin. Hudhejfeja u kthye te Profeti a.s., por kur shkoi atje, ai tha: “Godite devenë, o Hudhejfe! Ec përpara, o Amar!” Ata nxituan ecjen, derisa mbërritën në majë të malit. Më pas u tërhoqën nga maja, për të pritur pjesën tjetër të ushtrisë. Profeti a.s. i drejtua Hudhejfes dhe i tha: “A njohe ndonjë prej tyre?” – “Njoha kafshën e filanit dhe të filanit, – tha Hudhejfeja, – por errësira e natës nuk më la t’i njihja, aq më tepër që fytyrat i kishin të mbështjella.” Profeti a.s. u tha: “A e dini se çfarë donin?” – “Jo, vallahi, o i Dërguari i Allahut!” – “Ata kishin bërë plan që të ecnin krah meje në mal dhe, kur të arrija në majën e tij, të më hidhnin në greminë.” – “Pse nuk na urdhëron – i thanë ata, – t'ua heqim kokat, o i Dërguari i Allahut?” – “Nuk dua – u përgjigj Profeti a.s., – që njerëzit të flasin dhe të thonë: Muhamedi ngriti dorë kundër shokëve të tij.” Profeti a.s. ua tregoi një për një emrat e munafikëve, pastaj i tha Hudhejfes dhe Amarit: “Mbajini të fshehtë emrat e tyre!” Zadul mead vëll 3.