Lutja e tyre atje do të jetë: “I dëlirë je, o Allah!”, -
Fillimi i adhurimit të tyre për Zotin në Xhenet është tesbih për Allahun, duke dëshmuar pastërtinë e Tij nga çdo e metë e mangësi, ndërsa fundi i tij është tahmidi[1] ose thurja e lavdeve dhe shprehja e dashurisë për Të. Tashmë ata janë të çliruar nga çdo detyrim fetar, sepse do të jenë në vendin e kënaqësive dhe të shpërblimit. Për ta janë rezervuar kënaqësitë më të plota dhe më të mira dhe, ndër to, është një mirësi që konsiderohet si një ndër më të mëdhatë, që është mirësia e kënaqësisë që sjell dhikri (përmendja) i Zotit. Dhikri e tesbihu u sjell prehje dhe kënaqësi të pakrahasueshme me ndonjë gjë tjetër, dhe të mendosh që ata as që mundohen për ta kryer atë, por ai është krejt i natyrshëm, ashtu sikurse frymëmarrja e tyre, pa u lodhur dhe pa u sforcuar për të.
përshëndetja e tyre është: “Selam!” -
Gjatë takimeve dhe vizitave që i bëjnë njëri-tjetrit, ata përshëndeten me selam. Ata përshëndeten me fjalë që nuk përmbajnë gjynahe dhe kotësira. Ato janë fjalë paqeje, që sjellin vetëm paqe e mirësi.
Ndërsa lutja e tyre e fundit është: “Të gjitha Lavdërimet i qofshin vetëm Allahut, Zotit të botëve! -
Thuhet se, kur banorët e Xhenetit dëshirojnë të shijojnë diçka prej mirësive të Xhenetit, thonë këto fjalë: “Subhâneke Allâhume” (I dëlirë je, o Allah!), dhe ajo u vjen në çast, pa u vonuar. Dhe kur mbarojnë, thonë: El hamdu lil-lâhi Rabil Alemin” Të gjitha Lavdërimet i qofshin vetëm Allahut, Zotit të botëve!
[1]
Hamdi mundëson një energji dhe forcë të madhe.
Hamdi ka të fshehta të çuditshme dhe i jep robit një fuqi të çuditshme e të habitshme. Për këtë tregojnë dy hadithe.
1. Ky hadith është më i mirë se sa një thesar. E fshehta e fuqisë, optimizmit dhe gjallërisë së robit, qoftë edhe kur bëhet fjalë për çështjet e dynjasë, tregohet në këtë hadith. Aliu r.a. ishte i varfër por shumë bujar. Ai ftonte shumë njerëz në shtëpinë e tij dhe i nderonte e gostiste. Fatimja, gruaja e tij, ankohej nga lodhja e shumtë për të përballuar preokupimet e shumta të të shoqit. Ajo i foli të shoqit, Aliut, që ai t’i kërkojë babait të saj (Profetit a.s) një shërbëtore. Profeti (a.s) e donte shumë Fatimen, por megjithatë nuk i dha të bijës shërbëtore. Ai i ofroi asaj diçka më të mirë se ajo që kërkoi duke ia plotësuar tërësisht kërkesën dhe nevojat e saj. Ai i tha asaj: “O bija ime! Kur të biesh në shtrat për gjumë atëherë bëj hamd Allahut (El ĥamdu lil-lâh) 33 herë, bëj tesbih (subĥânell-llâh) 33 herë dhe bëj tekbir (Allahu ekber) 34 herë!” Shejhul Islam Ibnu Tejmijete thotë: Nuk ka dyshim, se Profeti (a.s) e udhëzoi atë në diçka që do t’i mjaftonte nga posedimi i një shërbëtoreje. Kështu pra këto fjalë para
gjumit i japin njeriut një forcë e gjallëri gjatë ditës në një formë e masë të tillë që askush nuk mund ta arrijë me forcat e veta. Provojeni se do të gjeni ndikimin e saj. Jini të kujdesshëm dhe sistematikë me këto dua të përditshme e do të shihni që do të fitosh një fuqi dhe gjallëri që vetëm Zoti e di.
2. Në hadithin që ndodhet tek Tirmidhiu dhe Ibn Maxheh të cilin e transmeton Enesi, Profeti (a.s) thotë: “ Ai që sheh një të sprovuar dhe thotë: “ El hamdu lil-lahil-ledhi âfâni mim-mabtelâhu bihi, ue fad-daleni alâ kethirin mim-men halekahu tefdila. Hamdi i qoftë vetëm Allahuit i cili më ruajti mua nga ajo me çka e sprovoi atë, dhe më dalloi e veçoi mua mbi shumë krijesa që krijoi me mirësi të shumta.”, edhe nëse ai goditet me të njëjtën sprovë me të cilën u godit ai, Allahu ka për ta shëruar". Pra çdo sëmundje me të cilën ai do të sprovohet, nëse sheh një të sprovuar me të dhe thotë këto fjalë, ai ka për tu shëruar, çfarëdo sëmundje pa përjashtim sado e pamundur të duket shërimi. Nëse sheh p.sh një person të sëmurë me kancer dhe thua këto fjalë, edhe nëse sëmundja të kap Allahu i lartësuar ka për të të shëruar. Kjo është e fshehtë prej fshehtësive të Allahut të lartësuar, për të cilën na ka njoftuar shpallja e Profetit (a.s). Kështu pra kjo fjalë mban të fshehta të çuditshme. [Sh.p]