Nëse Allahu vendos të të godasë ndonjë e keqe, askush nuk mund ta largojë atë, veç Tij. -
Ky është ndër argumentet se Allahu i Lartësuar është i vetmi që meriton adhurimin, dashurinë, nënshtrimin ndaj Tij dhe madhërimin prej krijesave. Ai është i vetmi i Adhuruar me meritë, sepse vetëm Ai ka në dorë dobinë dhe dëmin. Vetëm Allahu ka fuqinë të japë dhe të privojë. Nëse të godet një fatkeqësi, varfëri apo sëmundje, askush tjetër nuk mund t’i largojë dhe të të shpëtojë prej tyre. Të gjitha krijesat së bashku, nga i pari tek i fundit, edhe nëse tubohen për të të bërë mirë, asgjë tjetër nuk kanë për të bërë, përveç asaj që Allahu i Lartësuar e ka shkruar për ty. Edhe nëse përpiqen të të dëmtojnë, nuk do të mundin të të dëmtojnë, nëse këtë nuk e dëshiron e nuk e lejon Allahu i Madhëruar. Prandaj i Madhëruari thotë:
Nëse Ai dëshiron të të japë ndonjë të mirë, askush nuk mund ta pengojë mirësinë e Tij. -
Asnjë krijesë nuk mundet të pengojë ose të kthejë mirësinë dhe bujarinë e Tij, sikurse thotë i Madhëruari në një ajet tjetër: "Atë që Allahu ua dhuron njerëzve nga Mëshira e Tij, askush nuk mund ta pengojë e atë (mirësi) që Ai e ndal, askush përveç Tij nuk mund ta japë; Ai është Ngadhënjimtari, i Gjithëdituri." [Fatir 2]. Pastaj i Lartësuari thotë:
Ai shpërblen me këtë atë, që dëshiron prej robërve të Tij. Ai është Falës i madh dhe Mëshirëplotë. -
Allahu i Madhëruar e veçon atë që Ai do, për ta lumturuar me mëshirën e Tij. Allahu është Pronari i mirësive të mëdha. Ai është El Gaffar - Falësi i madh i të gjitha gabimeve dhe rrëshqitjeve të njeriut. Është Allahu Ai që ia mundëson dhe i jep mundësi njeriut t'i hyjë rrugës dhe veprave që sjellin faljen e Tij. Pastaj, nëse robi i hyn asaj rruge të mbarë dhe nënshtrohet të kryejë ato punë të mira, Allahu i pranon dhe ia mbulon robit gjynahet e tij, të mëdha e të vogla. Allahu është gjithashtu El Rahim - Mëshirëplotë. Mëshira e Allahut ka përfshirë gjithçka. Mirësia dhe përkujdesi i Tij përfshin çdo gjë që ekziston. Të gjithë janë të varfër dhe nevojtarë për kujdesin e Allahut dhe asnjë çast nuk bëjnë dot pa Të. Këto janë argumente të prera, që tregojnë se Allahu është i vetëm në zotërimin e mirësive dhe largimin e fatkeqësive. Vetëm Ai jep e begaton dhe vetëm Ai mund të largojë prej teje fatkeqësitë dhe sprovat. Kështu robi e kupton mirë se krijesat nuk kanë asgjë në dorë, përveç asaj që Zoti i lejon dhe ua ka lënë atyre në dorë. Çdokush që merr këtë dituri e kupton qartë se Allahu është i Adhuruari i vetëm dhe me meritë, ndërsa çdo gjë që adhurohet veç Tij është e kotë dhe jo reale.