Thuaj: “Vetëm për Mirësinë e Allahut dhe Mëshirën e Tij gëzohuni!” -
Allahu i Madhëruar na urdhëron që të gëzohemi dhe, jo vetëm kaq, por ta shfaqim gëzimin e lumturinë tonë me mirësinë e Kur'anit dhe të imanit që Ai na ka dhuruar. Thotë i Lartësuari: “Vetëm për Mirësinë e Allahut dhe Mëshirën e Tij gëzohuni!” Mirësia e Allahut është Kur'ani madhështor. Ai është mirësia më e madhe që i Madhëruari na ka dhuruar me bujarinë e Tij. Gjëja e dytë me të cilën duhet të gëzohen besimtarët është mëshira e Tij. Mëshira është feja dhe imani, besimi i pastër dhe korrekt, është dashuria për Allahun, njohja e Tij dhe adhurimi i Tij si një i vetëm. Kështu, me të tilla mirësi le të gëzohen ata që patën fatin që t’i njohin dhe t’i kenë. Le të gëzohen me këtë Kur'an madhështor, të mrekullueshëm dhe të ruajtur, që gjithmonë do të jetë me ta. Le të gëzohen me këtë fe të pastër, të ruajtur e të sigurt, që Zoti e zgjodhi për ne dhe u kënaq me të. Islami është feja e vetme e pranuar nga Ai. Gëzohuni me njohurinë për Zotin, me dashurinë për Të dhe me adhurimin e Tij si një i vetëm. Këto të ofrojnë ëmbëlsinë e jetës, kënaqësi të pandërprera dhe lumturi të përjetshme.
“Kjo është shumë herë më e dobishme se ajo që ata grumbullojnë”. -
Këto janë shumë më të mira se stolitë e kësaj bote, që njerëzit mbledhin për veten e tyre. Kënaqësitë dhe stolitë e dynjasë janë të përkohshme dhe shumë të vogla në krahasim me kënaqësinë e një jete të denjë në adhurimin e Zotit. Veç kësaj, mirësia e fesë dhe besimit sjell lumturinë e të dy jetëve. Mes dy kategorive nuk mund të bëhet asnjë krahasim. Çdo stoli e kësaj bote është e papërfillshme në krahasim me ahiretin e përjetshëm dhe të pafundmë. Dynjaja është e shkurtër; ajo shkon drejt fundit shumë shpejt. Allahu i Lartësuar na urdhëroi që të gëzohemi e ta shprehim haptaz këtë gëzim për mirësinë e Kur'anit dhe të imanit, sepse kjo i sjell shpirtit kënaqësi, ambicie, forcë dhe më shumë gjallëri. Gjithashtu, ajo nxit mirënjohjen për Allahun dhe lavdërimin e Tij. Ajo forcon lidhjen me Allahun dhe mirënjohjen ndaj Tij dhe i jep robit forcë, gjallëri dhe jetë. Ajo i jep një dashuri të fortë për diturinë e dobishme dhe për njohjen e Allahut, i jep dashuri për imanin e pastër. Gëzimi dhe lëvdimi për mirësinë e Kur'anit dhe të imanit e shtojnë, e theksojnë dhe forcojnë edhe më shumë atë iman. Ky lloj lëvdimi është i pëlqyeshëm, ndryshe nga të lëvduarit me të mirat e kësaj bote ose me gjëra të kota; këto janë të qortueshme, sikurse thotë Allahu i Lartësuar në Kur'an, kur na tregon për historinë e Karunit: “Karuni ishte nga populli i Musait, por ai i kaloi kufijtë (në padrejtësi) kundër tyre. Ne i patëm dhënë aq shumë pasuri, saqë çelësat e tij mezi i bartnin edhe njerëzit më të fuqishëm. Populli i vet i tha atij: “Mos u gëzo tej mase, sepse Allahu nuk i ata që e teprojnë në gëzim!" [Kasas 76]. Po kështu na njofton Allahu rreth atyre që gëzonin dhe lëvdoheshin me atë që zotëronin, kundrejt mesazhit të profetëve: "Kur u erdhën të dërguarit me Shenja të qarta, ata u mburën me diturinë e vet, por atëherë i goditi ai (dënimi i Zotit) me të cilin talleshin.”. [Gafir 83].