Mos u dëshpëro nga fjalët e tyre! - Mohuesit flasin e shpifin kundër teje, duke të cenuar ty dhe fenë tënde. Por ti mos u trishto për fjalët e tyre! Ata nuk mund të arrijnë lavdinë e vet me këto fjalë dhe as dëmtimin tënd.
Pa dyshim, e gjithë krenia i takon vetëm Allahut. -
Allahu ia jep krenarinë atij që Ai dëshiron dhe e privon nga ajo atë që Ai dëshiron. I Madhëruari thotë: "Kush dëshiron krenarinë (le ta dijë se), e tërë krenaria i takon Allahut (pra, vetëm prej Tij le ta kërkojë)! [Fatir 10]. Atëherë, kërkojeni krenarinë përmes bindjes ndaj Zotit, sepse menjëherë pas këtij ajeti i Lartësuari thotë: "Tek Ai ngjiten (të gjitha) fjalët e mira. Është Ai që i ngre lart punët e mira. Ata që kurdisin komplote të së keqes, ata do të kenë një dënim të rëndë dhe komplotet e tyre do të dështojnë." (Fatir 10). Adhurime nëpërmjet të cilave mund të synohet dhe të arrihet krenaria janë edhe ato që Allahu i Lartësuar i ka quajtur el kelimuŧ-ŧaj-jibu, domethënë fjalët e mira. Këtu bëjnë pjesë: leximi i Kur'anit, i traditës profetike, përcjellja e dijes së dobishme, tesbiĥ-u, shprehja e falënderimit dhe mirënjohjes për Allahun, thënia e shehadetit dhe çdo fjalë e mirë dhe e dobishme. Këto fjalë të mira ngrihen lart dhe paraqiten tek i Lartësuari. Nëse janë të sinqerta, Allahu i Lartësuar i përmend përmendësit e Tij në Veten e Vet dhe mes melekëve në qiell. Gjithashtu, adhurime janë edhe ato që Allahu i Lartësuar i quan el ameluŝ-ŝâliĥ - punë të mira, domethënë vepra të zemrës dhe të gjymtyrëve, të cilat është po Allahu i Lartësuar që i ngre lart, i vlerëson dhe i shpërblen me bujarinë e Tij. Kështu, nuk ka dyshim se, nëse ti je i bindur dhe i nënshtruar ndaj Zotit, atëherë e gjithë krenaria të takon ty dhe pasuesve të bindur të rrugës së Zotit. Thotë i Madhëruari: "... e tërë krenaria i takon Allahut, të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve, por munafikët nuk e dinë këtë." [Munafikun 8]. Në vijim, i Lartësuari thotë:
Ai dëgjon e di gjithçka. -
Dëgjimi i Allahut i përfshin të gjithë zërat. Allahut nuk mund t’i fshihet asgjë prej tyre. Dituria e Tij i përfshin të gjitha gjërat, të dukshmet dhe të padukshmet. Allahut nuk mund t’i fshihet asnjë thërrmijë në qiej apo në tokë, sado e vogël apo e madhe qoftë ajo. Kështu, Allahu e dëgjon fjalën tënde, i dëgjon edhe fjalët e armiqve për ty dhe i di me hollësi planet e tyre. Mjaftohu, atëherë, me faktin që Allahu i di nevojat dhe gjendjen tënde dhe që Ai është mëse i mjaftueshëm si kujdestar për ty. Nëse je i devotshëm ndaj Allahut, Allahu ka për të qenë i mjaftueshëm për ty.