Ne i vendosëm bijtë e Izraelit në një vend të mirë dhe i furnizuam ata me mirësi të shumta. -
Allahu i Madhëruar u mundësoi bijve të Izraelit që të jetonin atje ku kishte jetuar më parë Faraoni dhe populli i tij, duke u lënë në trashëgim tokën dhe vendbanimet e tyre. Ai i furnizoi dhe i begatoi ata me shumë ushqime, pije e stoli të kësaj bote. Zoti u dhuroi dituri dhe udhëzim, që, nëse do t’i respektonin, do të ishin gjithmonë të bashkuar dhe të vëllazëruar. Pavarësisht nga këto, bijtë e Izraelit, edhe pasi e morën diturinë dhe udhëzimin e qartë të Zotit, filluan të kalonin kufijtë ndaj njëri-tjetrit. Shumë prej tyre filluan të kishin qëllime që kundërshtonin të vërtetën e Zotit. Duke kundërshtuar dhe cenuar të vërtetën, lindi përçarja.
Ata nuk u përçanë mes tyre, veçse pasi u erdhi dituria. Zoti yt do të gjykojë mes tyre Ditën e Kijametit për përçarjet e tyre. -
Gjykimi i Zotit është i drejtë. Ai buron e ndërtohet mbi diturinë e Tij të plotë e gjithëpërfshirëse, dhe realizohet nga pushteti i Tij absolut. Përçarja e kundërshtitë janë sëmundje të rrezikshme, që gjithmonë u kanosen besimtarëve të fesë së vërtetë. Shejtani i mallkuar, kur nuk ia arrin të bëjë njerëzit t’i binden atij dhe të braktisin tërësisht fenë e vërtetë, përpiqet me çdo mjet që të fusë përçarjen mes tyre, duke mbjellë dhe armiqësinë. Nëse robërit i largohen udhëzimit të Zotit dhe ndjekin hapat e shejtanit, do të lindin konfliktet, urrejtja dhe armiqësia mes tyre, derisa fillojnë të përjashtojnë dhe ta konsiderojnë njëri-tjetrin të humbur dhe si armik të urryer. Kjo është vepra që shejtani i mallkuar e preferon mbi shumë e shumë punë të tjera. Mendohu pak! Zoti i tyre është Një i vetëm, profeti që pasojnë është i njëjtë, feja së cilës i përkasin është e njëjtë, synimet, planet dhe motivet që ata synojnë janë të njëjta. Atëherë, për çfarë përçahen dhe kundërshtohen, duke cenuar qëllimin e çështjes së tyre?! Përse bien në këtë rrëpirë, që prish rregullin e bashkësisë, duke humbur shumë mirësi të kësaj bote e të botës tjetër?! Për shkak të këtyre ndasive, venitet e vdes edhe imani. Të lutemi, o i Adhuruari ynë, që të mëshirosh e sjellësh butësi mbi robërit e Tu besimtarë, që ta bashkosh fjalën dhe rreshtat e tyre, të futësh dashuri e vëllazëri në zemrat e tyre, të udhëzosh të devijuarit mes tyre, që të kthehen në gjirin e vëllazërisë së tyre! Ti je Zoti i bujarisë dhe madhështisë.