Elif, Lam, Ra. Ky është një Libër, të cilin Ne ta shpallëm ty, që, me lejen e Zotit, t’i nxjerrësh njerëzit prej errësirave në dritë, në Rrugën e Ngadhënjimtarit të Lavdëruarit ... -
Allahu i Madhëruar na tregon se ia shpalli Kur'anin Profetit të Tij, për të qenë në dobi të krijesave e për t’i nxjerrë ata prej errësirave në dritë, për t’i nxjerrë nga errësirat e injorancës, mohimit të Zotit, poshtërsive dhe veseve të ulëta, në dritën e diturisë, besimit të sinqertë, bindjes ndaj Zotit dhe virtyteve. Vëreni me kujdes! Allahu i Madhëruar e thekson: “me lejen e Zotit të tyre”. Kjo do të thotë se çdo adhurim që Zoti e do, ka për t’u realizuar prej tyre veçse me ndihmën dhe dëshirën e Tij. Asnjë punë e njerëzve nuk mund të ndodhë pa lejen e Allahut. Kjo është nxitje e hapur për mbështetje dhe kërkim ndihme nga Zoti, për ta plotësuar adhurimin. Adhurojeni Zotin përmes ligjeve dhe mënyrës që Ai e ka përcaktuar dhe kërkoni ndihmën e Tij, që t’jua lehtësojë dhe mundësojë një adhurim sa më të plotë e të pranuar nga Ai. Pastaj i Madhëruari e shtjellon edhe më shumë dritën, drejt së cilës udhëzon ky libër: “...në rrugën e Ngadhënjimtarit të Lavdëruarit”. Kur'ani udhëzon në rrugën që të çon drejt Allahut, që është Ngadhënjimtari dhe i Lavdëruari, dhe në vendin e shpërblimit të përjetshëm, ku Ai do të nderojë të dashurit e Vet. Kjo rrugë ndërtohet mbi dy themele:
1. dituria e saktë rreth Shpalljes dhe:
2. puna e sinqertë sipas kësaj diturie.
Mendo pak! Allahu i Madhëruar thotë se Kur'ani udhëzon në rrugën e Tij, që është El Aziz - Ngadhënjimtari dhe El Hamid - i Lavdëruari. Përmendja e këtyre dy emrave tregon se edhe pasuesit e kësaj rruge janë krenarë dhe ngadhënjimtarë. Ata janë të fortë dhe të pathyeshëm, edhe nëse nuk kanë shumë ndihmëtarë, sepse u mjafton Allahu, i Cili është ndihmuesi më i fuqishëm. Ata janë të lavdëruar ndër njerëz dhe bëjnë punë të lavdërueshme. Sigurisht, i lavdishëm dhe i lavdëruar do të jetë edhe përfundimi i tyre.