“Në zemrat e tyre ka sëmundje, dhe Allahu ua shton sëmundjen e tyre.” -
Sëmundja për të cilën flitet në këtë ajet është pikërisht sëmundja e dyshimit dhe hipokrizisë. Dije se zemra është e predispozuar të goditet nga dy lloje sëmundjesh, të cilat e nxjerrin atë nga natyra e vet dhe nga pastërtia e natyrshmërisë:
1. sëmundja e dyshimeve të kota, që të çojnë teposhtë, në humbje;
2. sëmundja e epsheve, dëshirave dhe pasioneve të shfrenuara.
Mohimi i Zotit, mosbesimi, hipokrizia, dyshimet dhe sajesat në fe, të gjitha janë simptoma të sëmundjes së dyshimeve të kota. Ndërsa imoraliteti, dëshirat dhe tendencat drejt shfrenimit, animi nga gjynahet dhe veprimi i tyre janë simptoma të sëmundjes së epsheve dhe pasioneve të shfrenuara. Allahu i Lartësuar, kur këshillon gratë e Profetit (a.s) që të jenë të ruajtura dhe të kujdesshme në shfaqjen apo fjalët e tyre, thotë më pas: “…që të mos joshet ai që ka sëmundje në zemrën e tij.” [Ahzabë, 32]. Këtu, pra, është fjala për sëmundjen e epsheve të shfrenuara dhe imoralitetit. Kushdo që Allahu i Madhëruar e ruan nga këto dy sëmundje, përfiton, së pari, siguri të plotë dhe besim të patundur, dhe, së dyti, durim kundrejt çdo poshtërsie dhe gjynahu. Këto dy cilësi e ruajnë zemrën të shëndetshme dhe të paprekur.
Thënia e Allahut të Madhëruar rreth munafikëve: “…Në zemrat e tyre ka sëmundje, dhe Allahu ua shton sëmundjen e tyre”, na jep të kuptojmë një urtësi të madhe të Tij në lidhje me përcaktimin e veprave të këqija që bëjnë gjynahqarët. Duhet të kuptohet se këto gjynahe që ata bëjnë janë të përcaktuara nga Zoti i Madhëruar, si pasojë e gjynaheve paraardhëse që ata kanë bërë. Pra, këdo që merr guximin të kalojë kufijtë, Allahu i Lartësuar e sprovon me gjynahe të tjera të mëtejshme, të cilat meritojnë ndëshkimin e Tij, sikurse thuhet në suren Enam, ajetet 110,111: “Ne do t'ua largojmë zemrat dhe shikimet atyre, ashtu sikurse nuk e besuan atë (Shpalljen e Zotit) për herë të parë, dhe do t'i lëmë të bredhin të hutuar në shfrenimin e tyre. Edhe sikur t'u dërgonim melekët, t'i bënim të vdekurit t'u flisnin atyre dhe t'i tubonim të gjitha gjërat para tyre, ata përsëri nuk do të besonin, nëse Allahu nuk do të donte. Por shumica e tyre nuk e dinë (të vërtetën).” Ndërsa në suren Saf, ajeti 5, Ai thotë: “Por kur ata devijuan, edhe Allahu ua devijoi zemrat. Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë një popull që kalon kufijtë." Në suren Teube, ajetet 75 -78, Allahu i madhëruar thotë: “Ka nga ata, që i janë zotuar Allahut, duke thënë: “Nëse Ai na jep nga mirësitë e Tij, sigurisht që do të japim sadaka dhe sigurisht që do të bëhemi njerëz të mirë.” Por kur Ai u dha nga mirësitë e Veta, ata u bënë koprracë dhe kthyen shpinën. Prandaj, Ai ua ka hedhur hipokrizinë në zemrat e tyre, deri në Ditën kur do të dalin para Tij, sepse e shkelën premtimin e dhënë Allahut dhe sepse vazhdimisht gënjenin. Vallë, a nuk e dinë ata se Allahu i di sekretet e tyre dhe çdo bisedë të fshehtë dhe se Allahu është Ai që i di të gjitha të fshehtat?” Më tej, po në suren Teube, ajetet 124-126, thuhet: “Sa herë që shpallet ndonjë sure, disa prej tyre thonë: “Kujt ia shtoi besimin kjo sure?” Po. Besimtarëve ua shton besimin dhe ata gëzohen. E, sa u përket atyre, që kanë sëmundje në zemër, ajo ua shton edhe më shumë dyshimin që kanë, dhe ata do të vdesin si mohues. Vallë, a nuk e shohin ata se çdo vit vihen në provë një ose dy herë? E, megjithatë, ata as nuk pendohen, as nuk reflektojnë.” Kështu pra, ndëshkimi i poshtërsisë është, ndër të tjera, poshtërsia tjetër që vjen pas saj, ashtu sikundër edhe prej shpërblimit të së mirës, ndër të tjera, është e mira tjetër që vjen pas saj. I Madhëruari thotë: "…dhe atyre që u udhëzuan, Allahu ua shton udhëzimin". [Merjem 76]. Ndërsa për ndëshkimin që i pret ata në jetën tjetër, Allahu i Lartësuar thotë:
“Ata do të kenë një ndëshkim të dhembshëm, për shkak të mohimit të tyre.”