Pa dyshim, Ne të dërguam ty me të Vërtetën, -
Ky argument i përfshin të gjitha argumentet e shenjat që Allahu solli me Profetin e Tij (a.s). Ky argument përbëhet nga tri elementë kryesorë, që janë:
1. Vetë dërgimi i Profetit (a.s).
2. Biografia, tradita dhe udhëzimet e Profetit (a.s).
3. Mësimi i të vërtetës së madhe nëpërmjet Profetit (a.s).
Dy elementë e parë të argumentimit i përmban pjesa: “Ne të dërguam ty…”, kurse i treti gjendet në pjesën: “…me të vërtetën”. Por si mund të jetë argument që vërteton saktësinë dhe vërtetësinë e këtij Profeti vetë dërgimi i tij?! Kjo mund të kuptohet plotësisht nëse shihet në këtë kontekst: Së pari, gjendja e njerëzimit para dërgimit të këtij Profeti ishte shumë e rëndë. Njerëzit adhuronin putat, zjarrin, kryqin dhe i kishin tjetërsuar porositë e profetëve të tyre. Ata jetonin në errësirën e plotë të kufrit, duke qenë krejt të pashpresë. Përjashtim bënte vetëm një pakicë e vogël, e papërfillshme, që kishte mbetur nga ato bashkësi që kishin patur dikur libër hyjnor, të cilat ishin zhdukur para se të shfaqej profeti Muhamed (a.s). Së dyti, duhet kuptuar që, Allahu i Lartësuar nuk i ka krijuar njerëzit për t'i lënë të çoroditur. Ai nuk do t'i linte ata pa i udhëzuar, sepse Ai është i Urti dhe i Dituri. Allahu është, gjithashtu, i Plotfuqishëm dhe Mëshirues. Rrjedhimisht, urtësia dhe mëshira e Tij mbi krijesat do të shfaqej me dërgimin e Profetit (a.s), i cili do t'i urdhëronte njerëzit që të adhuronin Mëshiruesin si Një të vetëm, duke mos i shoqëruar Atij asgjë e asnjë. Në këtë kontekst, çdo njeri me mend e kupton domosdoshmërinë e dërgimit të një Profeti të vërtetë e të sinqertë, dhe kjo vërteton se ai ishte realisht i Dërguari i Allahut. Po për sa i përket pikës së dytë, në çfarë mënyre tregon historia dhe tradita e Profetit (a.s) për vërtetësinë e tij si i Dërguar prej Allahut të Lartësuar? Çdokush që sheh me imtësi historinë e tij të plotë të jetës, që nga koha para Shpalljes e deri në çastin e fundit, fëmijërinë dhe edukimin e tij me cilësitë më të larta, dhe pastaj sheh se si cilësitë e tij të shkëlqyera dhe morali i tij i lartë, me kalimin e viteve, u përsosën dhe u shtuan më shumë, patjetër që do të arrijë në këtë përfundim. Arsyeja është se këto janë pikërisht cilësi të profetëve të Allahut, në përgjithësi, dhe cilësitë e përsosura të një të Dërguari të madh, në veçanti. Allahu i Lartësuar i ka bërë cilësitë e karakterit si treguesit më të fortë të sinqeritetit apo të mashtrimit të njeriut. Ndërsa elementi i tretë që vërteton se ai njeri ishte i Dërguari i Zotit të botëve është njohja e të vërtetës të cilën ai e solli prej Zotit të botëve. Ai solli Kur’ânin e shenjtë dhe, nëpërmjet tij, ligjin e jetës. Në Kur’ân gjenden përshkrime të sakta të ngjarjeve të së kaluarës dhe të së ardhmes, gjenden urdhra që nxisin për çdo vepër e fjalë të mirë e të dobishme, gjenden ndalesa që na frenojnë e largojnë prej çdo cilësie dhe vepre të shëmtuar dhe të dëmshme. Kur’âni përmban mrekulli të panumërta. Si përfundim, ky fragment i ajetit që po zbërthejmë i përfshin të gjitha llojet e argumenteve dhe të shenjave të vërtetësisë së Shpalljes.
…si përgëzues dhe paralajmërues. -
Domethënë, Allahu i Lartësuar e dërgoi profetin Muhamed si përgëzues për ata që i binden dhe pasojnë rrugën e Tij, se do të jenë të lumtur në këtë jetë dhe në jetën tjetër; dhe si paralajmërues (nedhîra) i atyre që kundërshtojnë dhe nuk i binden, se do të përjetojnë dëshpërimin dhe ndëshkimin e kësaj jete dhe të jetës tjetër.
Ti nuk do të mbash përgjegjësi për banorët e Zjarrit të madh. -
Kuptimi: Ti nuk ke përgjegjësi për ta. Ti ke për detyrë veçse përcjelljen e qartë të mesazhit, ndërsa llogaria dhe marrja në përgjegjësi e tyre është detyrë e Allahut të Lartësuar.