Atëherë ruajuni një Dite, kur askush nuk do të mund ta ndihmojë tjetrin për asgjë! -
Askush, sado i nderuar dhe i madh qoftë: melek, profet, apo njeri i mirë, nuk do të ketë në dorë asnjë mundësi ndihme për askënd. Ata nuk mund të ndihmojnë asnjë, sado i dashur apo i afërt të jetë ai që kërkon ta ndihmojnë. E vetmja ndihmë për njeriun do të jetë prej veprave që ka bërë. Edhe ndërmjetësimet janë të papranueshme pa lejen dhe pa kënaqësinë e Allahut të Lartësuar. I Lartësuari thotë:
Prej askujt nuk pranohet kompensim, dhe askujt nuk do t’i bëjë dobi asnjë ndërmjetësim. -
Për ndërmjetësimin duhet të plotësohen dy kushte: Së pari, të jepet leja nga Allahu i Lartësuar për të dhe, së dyti, Allahu i Lartësuar të jetë i kënaqur me atë për të cilin ndërmjetësohet. Nga ana tjetër, dihet shumë mirë që Allahu i Lartësuar nuk kënaqet nga vepra e askujt, nëse ajo vepër nuk plotëson dy kushte:
1. Të kryhet me sinqeritet për Allahun, duke kërkuar kënaqësinë e Tij.
2. Të kryhet në përputhje me traditën e Profetit (a.s) dhe mësimeve të tij. Nuk pranohet ndërmjetësim dhe as kompensim, siç thotë i Madhëruari:
Prej askujt nuk pranohet kompensim -
Për këtë, i Lartësuari thotë sërish në Kur’ân, "Edhe sikur e tërë ajo që është në tokë dhe një herë aq sa ajo, të ishte pronë e atyre që nuk besuan, ata do ta jepnin si kompensim për t’i shpëtuar dënimit të tmerrshëm në ditën e kijametit. Atyre do t’u vijë prej Allahut diçka (një dënim), që as nuk kanë mundur ta mendojnë." [Zumer 47]. Domethënë, nuk do të pranohet kompensim prej tyre. Ata, gjithashtu, nuk do të ndihmohen:
Askush nuk do të ndihmohet. -
Domethënë, prej atyre nuk do të largohet ajo së cilës ata i druhen dhe asnjë krijesë nuk do të ketë mundësi t’u bëjë dobi apo t’u largojë ndonjë dëm. Thënia e Allahut: “la texhzi nefsun an nefisin shejâ” (…askush nuk do të mund ta ndihmojë tjetrin për asgjë), tregon pamundësinë e të gjithëve për të bërë dobi atë ditë. Ndërsa thënia: “ue lâ hum junŝarûn” (e ata nuk kanë për t'u ndihmuar) tregon pamundësinë e tyre për të larguar të keqen dhe të dëmshmen. Në thënien e Allahut: “lâ juķbelu minhâ adlun” (Prej askujt nuk pranohet kompen-sim), dhe në thënien tjetër të Tij: “…Ue lâ tenfeuha shefâah”, (nuk do t’i bëjë dobi asnjë ndërmjetësim) mësohet diçka shumë e rëndësishme. Nëse njeriu e kupton se fitimi i të mirave dhe largimi i të këqijave nuk mund të arrihen duke ia kërkuar krijesave, atëherë ai kthehet për t'ia kërkuar sinqerisht ato të vetmit që mund t’ia dhurojë (Allahut). Arritja e të mirave dhe largimi i të këqijave nuk mund të bëhet, gjithashtu, as me kompensime dhe as me ndërmjetësime, sikurse ndodh mes krijesave. Atë ditë nuk do të jetë askush i aftë qoftë edhe për një grimcë dobie apo dëmi. Kjo është një ftesë e hapur që adhuruesi të lidhet fort dhe sinqerisht vetëm me Allahun e Lartësuar, duke i kërkuar të mirat veç prej Tij dhe duke kërkuar mbrojtje nga çdo e keqe vetëm tek Ai. Kjo është ftesë për ta adhuruar Atë si Një të vetëm, sepse veç Ai e meriton adhurimin tonë dhe vetëm tek Ai duhet të mbështetemi për t’i përkryer adhurimet tona.