Zoti ynë! Dërgo ndër ta një të dërguar nga gjiri i tyre, që t’u lexojë atyre ajetet e Tua, -
Ata i kërkuan Allahut të Lartësuar që Ai të dërgonte nga mesi i pasardhësve të tyre një profet. Kjo ndodhi për disa arsye, si:
- që grada e Ibrahimit dhe e Ismailit të lartësohej edhe më shumë;
- që pasardhësit t’i nënshtroheshin dhe ta pasonin rrugën e atij Profeti që do të vinte, duke e njohur mirë atë;
- që ai Profet t’u mësonte atyre ato gjëra që nuk do t’i dinin.
I Lartësuari thotë:
…që t’u lexojë atyre ajetet e Tua -
Domethënë, që t’ua lexojë tekstin fjalë për fjalë, t’ua mësojë atë përmendësh, dhe pastaj t'i mësojë se si ta ruajnë e zbatojnë atë që do të mësojnë.
…t’u mësojë atyre Librin (Kur'anin) dhe Urtësinë (Traditën profetike), -
Pra, t'u mësojë dhe sqarojë atyre kuptimin e Kur’ânit dhe të Urtësisë (Sunetit).
…dhe t’i pastrojë ata. -
T'i pastrojë duke i edukuar që të punojnë punë të mira dhe të largohen nga çdo punë e fjalë e keqe të cilat nuk i lenë shpirtrat të pastrohen dhe të lartësohen.
Ti je Ngadhënjimtari dhe i Urti. -
Ngadhënjimtari (El Azîzu) është Ai i Cili i mposht dhe nënshtron gjithçka, i Cili është i plotfuqishëm për gjithçka dhe që para fuqisë së të Cilit, askush nuk mund të qëndrojë. Ndërsa i Urti (El Hakîmu) është Ai i Cili i vendos gjërat në vendin që e meritojnë. Kështu, ata iu lutën Allahut, që ka këto cilësi, që ta dërgonte këtë Profet mes tyre, ashtu siç di të zgjedhë Ai që është i madhëruari, Ngadhënjimtari, i Urti. Allahu i Lartësuar iu përgjigj lutjes së tyre dhe e dërgoi Profetin e nderuar, nëpërmjet të cilit Ai mëshiroi, në mënyrë të veçantë, pasardhësit e Ibrahimit dhe Ismailit, dhe të gjitha krijesat, në përgjithësi. Për këtë arsye, edhe Profeti (a.s.) ka thënë: “Unë jam fryt i lutjes së babait tim, Ibrahimit (a.s.).”.