Kryeni të plotë haxhin dhe umren, për hir të Allahut! -
Dijetarët kanë parë në këtë ajet argumente për disa çështje. Kështu, ajeti provon se kryerja e haxhit dhe e umres është detyrë ndaj Zotit, me të gjitha ritet përbërëse të tyre, ashtu sikurse na i ka mësuar Profeti (a.s), i cili ka thënë: “Mësojini prej meje ritet dhe adhurimet!” Po te ky ajet janë mbështetur edhe ata që kanë thënë se kryerja e umres është vaxhib, gjithashtu. Nëse nis kryerja e haxhit dhe e umres, atëherë, që nga ky çast, bëhet i detyrueshëm plotësimi i tyre deri në fund, edhe sikur haxhi dhe umreja që po kryhen të jenë thjesht vepra vullnetare për atë njeri (sepse farz është vetëm hera e parë). Haxhi dhe umreja duhen kryer në mënyrën më të plotë të mundshme, dhe jo të kryhen thjesht shtyllat dhe vaxhibet e tyre, sepse Allahu thotë: “Kryeni të plotë haxhin dhe umren...”. Allahu na urdhëron që të jemi të sinqertë ndaj Tij në kryerjen e adhurimeve tona. Haxhi dhe umreja duhen kryer për të fituar kënaqësinë e Tij, sepse Ai thotë që ta kryejmë haxhin dhe umren: “...për hir të Allahut”. Nuk lejohet që haxhi dhe umreja të ndërpriten, përveç rastit që tregon Allahu i Lartësuar, kur thotë:
Nëse pengoheni, atëherë bëni kurban çfarë (kafshe) të keni më të lehtë. -
Kuptimi: Nëse pengoheni që të arrini në Qabe për të kryer ritet tuaja, për shkak të ndonjë sëmundjeje, nga ndonjë armik etj., atëherë rrugëzgjidhja është: “...atëherë bëni kurban çfarë (kafshe) të keni më të lehtë.” Pra, bëni kurban atë kafshë që keni mundësi ta bëni. Për kurban mund të bëhet një deve, që vlen për shtatë vetë, ose një lopë për shtatë vetë, ose një bagëti e imët për një person. Pas therjes së kurbanit, i penguari nga shkaqet e mësipërme rruan kokën dhe del prej ihramit. Kështu veproi Profeti (a.s) dhe shokët e tij në rastin kur u penguan nga idhujtarët e Mekës për të kryer e përfunduar pelegrinazhin në Qabe, vitin e Marrëveshjes së Hudejbijes. Nëse nuk gjen apo nuk ka mundësi që të therë kurban, atëherë njeriu detyrohet të agjërojë dhjetë ditë, - sikurse vepron ai që kryen haxhin temetu kur nuk gjen dhe nuk ka mundësi të bëjë kurban, - pastaj lejohet të dalë nga ihrami.
Mos e rruani kokën, derisa kurbani të arrijë në vendin e vet. -
Qethja ose rruajtja e kokës apo e qimeve të çdo pjese të trupit, me çdo mënyrë qoftë, konsiderohet si një nga veprimet që e prishin ihramin, i cili duhet plotësuar pa tjetër nga ai që kryen haxhin dhe umren. Këto veprime e prishin ihramin, sepse gjatë kësaj kohe njeriu duhet t’i lërë mënjanë ato komoditete që zakonisht ia mundëson vetes, dhe të angazhohet maksimalisht me adhurimin e Zotit. Kjo bëhet që, ditën kur të dalë para Zotit në Arafat, të jetë i përunjur, me flokë të shpupuritur e të pluhurosur, për të qenë kështu më afër mëshirës së Tij. Të njëjtin gjykim ka edhe heqja e qimeve nga pjesët e tjera të trupit, siç u tha më lart. Madje, disa dijetarë e konsiderojnë edhe prerjen e thonjve të njëjtë me heqjen e flokëve, duke e parë nga këndvështrimi i mësipërm. Ky ndalim vazhdon deri në ditën e therjes së kurbanit. Pra, thënia e Allahut: “..derisa kurbani të arrijë në vendin e vet.” ka kuptimin: derisa të theren kurbanet, ditën e Bajramit. Më e mira është që rruajtja e flokëve të bëhet pas therjes së kurbaneve, sikurse e tregon edhe kuptimi i drejtpërdrejtë i ajetit.[1] Dijetarët shohin në këtë ajet mbështetje për një çështje tjetër. Kush kryen haxhin temetu, fillimisht bën umren. Pasi mbaron umren dhe çlirohet nga ihrami, ai duhet ta veshë përsëri ihramin, tashmë për të kryer haxhin. Për në këtë lloj haxhi, ndodh që adhuruesi t'i sjellë vetë bagëtitë që do të bëjë kurban.[2] Kështu, duke përdorur si dëshmi fjalën e Allahut: “..derisa kurbani të arrijë në vendin e vet”, dijetarët thonë që, edhe në këtë lloj haxhi, nëse i sjell vetë bagëtitë e kurbanit, adhuruesit nuk i lejohet të heqë ihramin dhe të rruajë apo të qethë kokën para se të theren bagëtitë e kurbanit, ditën e Bajramit. Adhuruesi që kryen haxhin temetu (të llojit Kiran) kur ai i sjell vetë bagëtitë e kurbanit, mund t'i çojë bagëtitë që do bëjë kurban në vendtherjen e tyre, para ditës së Bajramit, por thjesht dërgimi i bagëtive në vendtherje, nuk mjafton për të bërë të lejueshme rruajtjen e flokëve dhe heqjen e ihramit, sepse qëllimi i ajetit është: “...derisa bagëtitë të theren ditën e kurbaneve.” Allahu i Lartësuar i ka bërë këto rregulla të ihramit, me qëllim që adhuruesi të ketë një pamje që tregon nënshtrimin dhe modestinë e tij, nga njëra anë, dhe përkushtimin total ndaj Zotit, nga ana tjetër. Por nëse dikush dëmtohet nga kjo gjë, atëherë Allahu i Lartësuar thotë:
Por, për ata që janë të sëmurë ose kanë plagë në kokë, kompensimi (për rruajtjen e kokës para kohe) është me agjërim, sadaka ose kurban. -
Nëse dikush vuan nga diçka, e cila mund të largohet veçse duke hequr flokët, atij i lejohet që ta rruajë kokën, por e ka detyrë të bëjë një nga tri gjërat vijuese si kompensim: ose të agjërojë tri ditë, ose të ushqejë gjashtë të varfër, ose të bëjë një kurban të pranueshëm. Ai është i lirë të zgjedhë mes këtyre tri alternativave. Këto lehtësime vlejnë edhe për veprimet e tjera që janë të ndaluara të kryhen gjatë kohës së ihramit, si: prerja e thonjve, mbulimi i kokës (për burrat), veshja e rrobave të qepura (përveç ihramit) dhe parfumosja. Të gjitha këto, pra, që janë të ndaluara gjatë ihramit, lejohen të kryhen kur janë të domosdoshme, por më pas duhet të jepet kompensimi përkatës, sipas mënyrës së lartpërmendur. Më tej, i Lartësuari thotë:
Kur jeni të sigurt (nga armiqtë), atëherë ai që kryen umren gjatë haxhit, le të bëjë kurban, sipas mundësisë. -
Pra, ai që bën umren dhe lirohet nga ihrami deri për haxh, duhet të therë një kurban, si falënderim për lehtësimet dhe mirësitë e haxhit temetu, i cili mundëson që të bëhen dy adhurime (umre dhe haxh) në një udhëtim të vetëm. Kurbani është edhe si falënderim për lehtësimet që i krijohen pas kryerjes së umres, duke pritur fillimin e haxhit, sepse pas përfundimit të umres, hiqet ihrami dhe lejohen ato komoditete që nuk bëhen gjatë ihramit, derisa vjen koha e haxhit, për ta veshur ihramin përsëri. Kurban duhet të therë edhe ai që kryen haxhin e llojit ķirân, sepse edhe ai kryen umren e haxhin bashkë, në një kohë të vetme.
Ai që nuk ka, le të agjërojë tri ditë gjatë haxhit dhe shtatë ditë kur të jetë kthyer (në shtëpi). Kështu bëhen dhjetë ditë të plota. -
Kush nuk mund të therë kurban, e ka për detyrë që të agjërojë tri ditë gjatë kohës së haxhit dhe shtatë ditë kur të kthehet në vendin e vet, pas haxhit. Tri ditët gjatë haxhit fillojnë që në çastin kur vishet ihrami për të kryer umren, dhe vazhdojnë deri në ditën e tretë pas ditës së kurbanit, ose deri në ditën e fundit të gjuajtjes së gurëve dhe të qëndrimit në Mina. Megjithatë, më e mira është që të agjërohet dita e shtatë, e tetë dhe e nëntë e muajit dhul hixhe, pra, tri ditët para Bajramit. Ndërsa shtatë ditët e mbetura nga dhjetëshja e domosdoshme për t'u agjëruar, duhet të agjërohen pas përfundimit të riteve të haxhit. Me fjalë të tjera, lejohet të agjërosh që kur ndodhesh ende në Mekë, gjatë rrugës së kthimit, ose kur të mbërrish në vendin tënd.
Ky është rregulli për ata që nuk e kanë familjen pranë Xhamisë së Shenjtë. -
Kjo dispozitë, domethënë detyrimi i therjes së një kurbani për atë që e bën haxhin temetu, është e vlefshme për ata që nuk janë vendas në Mekë, ose që nuk jetojnë pranë Xhamisë së Shenjtë. Pra, kjo dispozitë vlen për ata që jetojnë larg Mekës dhe që kur vijnë në të, quhen “udhëtarë”. Vetëm këta e kanë të detyrueshme që të therin kurban, si falënderim për kryerjen e dy adhurimeve (të haxhit dhe umres) në një udhëtim të vetëm. Ndërsa ata që banojnë pranë Xhamisë së Shenjtë, të cilët konsiderohen si vendas, e jo si udhëtarë, nuk duhet të bëjnë kurban, sepse nuk ka arsye për një gjë të tillë.
Pra, kijeni frikë Allahun... -
Ruajuni ndëshkimit të Allahut, duke iu përmbajtur kufijve të Tij në të gjitha çështjet tuaja. Ruajuni zemërimit të Tij, duke zbatuar rigorozisht urdhrat e Tij dhe duke iu larguar ndalesave të Tij. Edhe urdhrat dhe ndalesat që kanë të bëjnë me haxhin, të cilat u përmendën në këtë ajet, duhet të jenë në qendër të vëmendjes suaj, prandaj kurrë mos i neglizhoni ato!
...dhe dijeni se Allahu është ndëshkues i rreptë. -
Allahu është ndëshkues i rreptë i atyre që nuk u binden urdhrave të Tij dhe nuk u largohen ndalesave të Tij. Ja përse duhet devotshmëria (takua). Kush ia ka frikën ndëshkimit të Allahut të Lartësuar, ruhet që të mos shkelë kufijtë e Tij, duke shpresuar shpërblimin e Tij. Ndërsa ata që nuk i ruhen ndëshkimit dhe zemërimit të Allahut dhe nuk shpresojnë faljen dhe shpërblimin e Tij, sigurisht që do të kryejnë harame dhe do të guxojnë të lënë detyrimet e Tij.
[1] Ky ajet tregon në mënyrë të drejtpërdrejtë se nuk lejohet rruajtja para therjes së kurbanit, por sipas shpjegimit të Profetit, ne themi se është më mirë që rruajtja të bëhet pas kurbanit (Sh.p.).
[2] Në këtë rast ky haxh quhet haxh temettu i llojit "Kiran". Imam ibnul kajimi thotë në Zad el miad: "Fjala temettu, sikurse e kemi përmendur, mund të japë dy kuptime: 1. Dalja nga gjendja e ihramit pas kryejres së umres dhe rinisja e ihramit për haxh në ditën e tetë, ose: 2. shoqërim i umres me haxhin e llojit kiran, pa ndërprerje të gjendjes së ihramit . Pra fjala temettu i përmban të dyja mundësitë." Mbr. Shkak për mos'heqjen e ihramit është sjellja e bagëtive të kurbanit me vete siç ka thënë Profeti a.s. kur atë e pyeti Ummu Seleme. Sh.p.